I ftuar në edicionin qëndror të lajmeve, me Armela Ferkon, ishte Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Levizjes Europiane në Shqipëri.
Dritëhijet e marrëveshje për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët dhe vizita e Melonit sot në Shëngjin ishte tema për të cilën Gjipali e quajti që në krye të intervistës si vizitë elektorale në kuadër të zgjedhjeve europiane të 9 qershori.
“Vizita ‘flash’ e Melonit lidhet në mënyrë më të drejtpërdrejtë me fushatën elektorale të zgjedhjeve europiane, duke qenë se ishte një premtim i Melonit. Vizita në Shëngjin ishte për të konfirmuar premtimin elektoral që Mëloni kishte bërë në zgjedhje dhe kjo ishte edhe tëma e vetme edhe e konferencës për shtyp me Ramën”.
Gjipali e cilësoi marrëveshjen si një vetëofrim të Shqipërisë për të zgjidhur një problem të Italisë, siç janë refugjatët. Nëse do ketë problem në menaxhim, kjo do mbetet për t’u parë se çfarë do t’i mbetet palës shqiptare, por kjo duhet parë, pasi rreziku ekziston, edhe pse kampet janë parashikuar që të jenë të mbyllura dhe refugjatët nuk do lejohen të dalin.
“Do ketë shumë vështirësi në zbatimin e marrëveshjen, por kjo është përgjegjësi e palës italiane. Nëse do të ketë probleme të çështjes së sigurisë do të shihet se si do të trajtohet nga Shqipëria. Zbatimi është pjesa më problematike e kësaj marrëveshje, pasi nuk është vetëm policia, por edhe shëndeti, arsimi, problemet sociale etj.”, - u shpreh Gjipali.
© SYRI.net