KiE: Diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale, për momentin Kosova s’është në agjendë

KiE: Diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale, për momentin Kosova s’është në agjendë

13:09, 09/05/2024
A+ Aa A-

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës për momentin nuk e ka në agjendë çështjen e Kosovës, kanë konfirmuar nga KiE.

Komiteti mblidhet javën e ardhshme dhe aty pritej që pas votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare, çështja e anëtarësimit të Kosovës në KiE të shkonte në duart e Ministrave të Jashtëm të Këshillit që do të vendosnin përfundimisht nëse Kosova do të bëhej anëtarja më e re e organizatës.

“Sa për sqarim, diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale. Në këtë moment, Kosova nuk është në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave. Nuk kemi më shumë informacion në këtë fazë, por do t’ju njoftojmë për zhvillimet”, kanë thënë nga Këshilli i Evropës për KOHËN.

Franca dhe Gjermania kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk pranon që këto dy çështje të lidhen me njëra-tjetrën.

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur absurd kushtëzimin e të dyja shteteve që Kosova ta dërgojë draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco