Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Kërkohet një ‘Reformë’ për Reformën në Drejtësi

Kërkohet një ‘Reformë’ për Reformën në Drejtësi

13:26, 08/05/2024
A+ Aa A-

Nga Besnik Muçi

Mazhoranca dje e pranoi publikisht dështimin e reformës në drejtësi. Ndaj edhe kërkoi fillimin e një“reformë” për reformën në drejtësi.

U përmbys si një kupë me verë një histori që ka mbizotëruar shoqërinë shqiptare këto 10 vjet, duke harruar problemet e tjera të jetës, varfërinë, korrupsionin, krimin e organizuar, largimin masiv të shqiptarëve nga mëmëdheu i tyre etj.   

U fshinë sikur të ishin shënime me laps gjithë ajo propagandë shurdhuese e viteve 2014-2016 lidhur me nevojën e një sistemi drejtësie të re që do t’i shërbejë qytetarit.

U zerua ai konsensus i mbrapshtë politik i vitit 2016 që prodhoi këtë dështim, që dje e pranoi edhe pozita, por që opozita, edhe pse me vonesë, ka kohë që e ka pranuar. 

U harrua dhe u fshi si pluhuri në një dritare gjitha ajo “punë kolosale”  me grupe specialistësh të famshëm vendas dhe të huaj, shumë prej të cilëve e kishin parë drejtësinë si tifozët shohin në stadium një ndeshje futbolli. 

U hoq nga kujtesa e shqiptarëve gjithë ajo propagandë e shfrenuar mediatike që shoqëroi procesin e vetingut.

U harruan premtimet për lumturinë që do të sillte për shqiptarët reforma në drejtësi si ajo parulla “Plani i parë 2-vjeçar do të sjellë begatinë”. U hoq tashmë kjo parullë dhe u vendos parulla “Të dështuar, por krenarë”.

Po çfarë ka ndodhur konkretisht me Reformën në Drejtësi? Le të bëjmë disa konstatime:

1.   Shkeljet filluan që me procedurën e emërimit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) dhe të Komisionerëve Publikë (KP) duke emëruar persona në shkelje të kritereve kushtetuese  dhe ligjore. E provuar kjo në dy raste (të paktën) me vendime gjyqësore (L. Daci, A. Hajdaraj).

2.   Partnerët ndërkombëtarë, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), ka përgjegjësinë e vetme dhe kryesore për këtë fakt pasi ishte parashikuar në Kushtetutë si organi i vetëm që duhet të verifikonte plotësimin e kushteve dhe kritereve kushtetuese dhe ligjore për kandidatët anëtarët e KPK, KPA dhe KP.

3.   U vërtetua plotësisht dyshimi kryesor i Komisionit të Venecias lidhur me reformën në drejtësi se Shqipëria nuk ka kapacitetet e mjaftueshme intelektuale, profesionale dhe njerëzore për të plotësuar në mënyrë cilësore gjithë organet e reja të drejtësisë, e shoqëruar kjo me përzgjedhjen dhe përjashtimet selektive gjatë zbatimit të reformës.

4.   Zbatimi i procesit të vetingut u shoqërua me standarde jo të dyfishta, por të shumefishta që krijuan dyshime serioze, konkrete dhe të bazuara se në shumë raste largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk u bë mbi kritere kushtetuese dhe ligjore por kritere që nuk kanë të bëjnë as me Kushtetutën dhe as  me Ligjin. Dy vendimet e GJEDNJ, Sevdari dhe Cani, e tregojnë qartë këtë.

5.   Procesi u zvarrit dhe po zvarritet në një periudhë jo thjesht të paarsyeshme por të pakuptimtë e gati absurde duke pasur në konsideratë që ishin për tu vetuar vetëm 800 subjekte, gjyqtarë dhe prokurorë. Kjo solli edhe jo vetëm humbjen e besimit të publikut në vetë procesin e vetingut, por edhe kolapsin e plotë të sistemit të drejtësisë.

6.   6 vjet pas fillimit të zbatimit të reformës të gjithë treguesit e sistemit të drejtësisë janë përkeqësuar si ata sasiorë ashtu edhe to cilësorë.

7.   Sistemi i drejtësisë është i bllokuar, mbi 120 mijë çështje janë në pritje të gjykimit. Kohëzgjatja mesatare e gjykimit nga më pak se 2 vjet që ishte para vitit 2016 ka shkuar në më shumë se 10 vjet sot.

8.   Vetëm rreth 0,5% e çëshyjeve penale të regjistruara në Shqipëri heton dhe gjykon struktura e SPAK-ut, që pretendohet si histori suksesi e reformës. 99,5%  e çështjeve penale hetohen dhe gjykohen nga prokuroritë dhe gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe që hetimi dhe gjykimi i tyre zgjat me më shumë se 5 vite, pasi prokuroritë e zakonshme janë të bllokuara.

9.   Të dhënat e fundit tregojnë se ka dyshime serioze lidhur me cilësinë e hetimeve dhe gjykimeve në SPAK e cila nuk është në nivelin e pritshëm. Zvarritja në periudha gati 5 vjeçare e hetimeve sjell uljen e cilësisë pasi provat zhduken dhe mundësia e një hetimi të suksesshëm zvogëlohet në minimum duke sjellë edhe humbjen e efektit parandalues që ka ndëshkimi penal në këto raste.

10.  Në prokuroritë dhe gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm nuk flitet më për cilësi të hetimeve dhe gjykimeve, por vetëm për të mbyllur, përdoret një fjalë me shumë kuptim, evadohen, sa më shumë çështje.

11.  Ky bllokim i sistemit solli dhe nevojën e reformës së re territoriale që mbylli 12 gjykata dhe prokurori në rrethe çka solli edhe përkeqësimin e shërbimit të sistemit gjyqësor duke e larguar nga qytetari, rritur koston dhe ulur cilësinë.

12.  Sistemi i organeve të larta të drejtësisë jo vetëm që nuk është treguar efiçent, por në shumë raste KLGJ dhe KLP kanë qenë pengesë serioze në funksionim e shpejtë dhe cilësor të sistemit. Inspektori i Drejtësisë nuk ka prodhuar asnjë rezultat.

13.  Ka rënë ndjeshëm besimi i qytetarëve tek drejtësia çka ka sjellë edhe rënien në minimum të kërkesës të të rinjve shqiptarë për tu bërë Gjyqtarë dhe Prokurorë. Shkolla e Magjistraturës ka shfaqur probleme serioze në funksionimin dhe menaxhimin e saj dhe në cilësinë e kandidatëve për Prokurorë dhe Gjyqtarë të pranuar. Rasti i ditëve të fundit është thjesht dalja në sipërfaqe e gjithë këtyre problemeve.

14.  Të gjitha raportet ndërkombëtare konstatojnë se 5 vitet e fundit ka përkeqësim të situatës kriminale në Shqipëri që lidhet me korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet dhe qelizat e qeverisjes, krimin e organizuar ndërkufitar, përkeqësimi i situatës me të drejtat e njeriut, lirinë e medias, rënien e besimit në drejtësi, etj.

Të gjitha këto fakte dhe të dhëna tregojnë që pavarësisht dëshirës dhe qëllimit të mirë që mund te ketë pasur Reforma në Drejtësi, të cilën unë nuk e besoj, zbatimi i saj konkret praktikisht ka pasur devijime serioze duke sjellë dështimin e saj. Ndaj kërkohet ndërhyrje të menjëhershme për ta pasur një sistem drejtësie efiçent, profesional dhe të pavarur.

Lind pyetja a është kjo rruga e duhur dhe a janë këta aktorët e duhur?

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco