Reporterët Pa Kufij: Shqipëria bie fundit në Rajon për Lirinë e Medias. Mbrojtja cënohet nga ata që duhet të garantojnë gazetarin

Reporterët Pa Kufij: Shqipëria bie fundit në Rajon për Lirinë e Medias. Mbrojtja cënohet nga ata që duhet të garantojnë gazetarin

13:27, 03/05/2024
A+ Aa A-

Organizata “Reporterët Pa Kufij” publikoi sot raportin për për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.
Sipas autorëve Problemi më i madh është konflikti i interesit dhe niveli i ulët i zhvillimit të qëndrueshëm afat-gjatë të medias në Shqipëri.Sa i përket sigurisë së gazetarëve ata venë në dukje “problemin e krimit të organizuar, si dhe të fushatave online në media të caktuara, me shumë urrejtje dhe shpifje kundër gazetarëve”.

Ndërkohë që telefonata e Kryeministrit Edi Rama karshi drejtorit të RAI 3 lidhur me investigimin e “Report” që skanoi dritë hijet e paktit të emigrantëve dhe lidhjet krim qeveri në Shqipëri, shkaktoi një furtunë reagimesh në Itali, duke nisur nga Sindikatat, Komisioni i Medias, Parlamenti e deri tek Eurodeputetët.

Për fat të keq e njëjta gjë nuk ndodh në Shqipëri ku rastet e dhunës verbale  dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë kthyer në normalitet dhe veç reagimeve sporadike të shoqatave të gazetarëve, asnjë institucion nuk vihet në lëvizje.

Qëndresa Qytetare ngre alarmin se liria e medias në Shqipëri është në mëshirë të qeverisë, sipërmarrjes dhe krimit të organizuar.
Sulmet verbale të Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Ambrozia Meta, morën jehonë në mediat ndërkombëtare, por sulme të ngjashme ndaj gazetarëve janë të përsëritura, ku sjellim ndërmend sulmin verbal ndaj gazetarit Klevi Muka, padinë ndaj gazetarit Bledian Koka, kërcënimin ndaj gazetares Ola Xama dhe sulmin fizik ndaj gazetarit Elvis Hila në Lezhë.

Sulmi i armatosur ndaj godinës së Top Channel ku humbi jetën punonjësi Pal Kola është një këmbanë alarmi, për revanshin e krimit ndaj medias dhe fjalës së lirë, në një vend ku gjithmonë është zbatuar kodi që lajmësi nuk preket.

Gazetarët sot janë të ekspozuar nga kërcënimi, linçimi dhe shantazhi. Mungesa e kontratave kolektive dhe statusit ligjor bën që gazetarët të jenë të pambrojtur përballë pronarëve të tyre dhe kjo ka ndikim të drejtëpërdrejtë në integritetin e tyre profesional.

Qëndresa Qytetare ngre alarmin për vonesat e pagave në shumë media  si ato tradicionale dhe ato online si dhe operimin me dy bordero, ku një pjesë e pagës për gazetarët  jepet në dorë dhe një pjesë në bankë.

Ky standard është i pranishëm në shumë media por i papranueshëm dhe gazetarët e kanë të pamundur ti japin zgjidhje kolektive.
Media është pushteti i katërt dhe roli i saj është jetik për demokracinë dhe shoqërinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco