Pasi rifilloi mbledhjen në orën 12:00 duke u mbyllur dyert qytetarëve, Këshilli Bashkiak i Himarës ka vendosur me 16 vota pro, futjen në rendin e ditës të zgjedhjes së kryetarit të komanduar të Himarës. Pasi u lexua ligji, ku shpjegohej procedura që duhej ndjekur në rastet kur kryebashkiaku jepte dorëheqjen, u vu në dukje sipas ligjit se detyra i caktohej zv.Kryetarit.
Kryetarja e Grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, Mirka Gjiçali, ka propozuar për të zgjedhur nënkryetaren Blerina Bala. Nënkryetari tjetër u tërhoq aty për aty, para mediave.
Siç ishin të ulur në të njëjtën tryezë, me 15 vota pro për kryetarin e ri të komanduar të bashkisë, këshilltarët kanë zgjedhur automatikisht Balajn, duke lenë jashtë votimit vetëm një këshiltar që ishte në konflikt interesi.
“Mbaroi, vazhdojmë me pikën tjetër të rendit të ditës,” u dëgjua. Por, më pas ka dalë një problem se nuk mund të vazhdonin me miratimin e buxhetit të bashkisë së Himarës për shkak të mungesës së komisioneve.
Ndaj, kryetari i Këshillit, Dhimitër Kapaj i PS, e mbylli mbledhjen me një urim për të sapozgjedhurën Blerina Balen, e cila pason dy kryebashkiakët e arrestuar, Fredi Belerin dhe Jorgo Goron: "Unë dua të falënderoj edhe kryetaren që mori detyrën, - tha Kapaj. - Besoj se do të vazhdojë atë rrugën që ka ndjekur ai kryetari i mëparshëm Gjergji Goro sepse bashkia e Himarës ka nevojë shumë për një kryetar.”
Në këtë mbledhje të mesditës nuk morën pjesë të dërguarit nga Qeveria, Bledi Klodi dhe Vangjel Tavo, të cilët u përzunë nga qytetarët e Himarës kur u ulën në tryezë në mbledhjenn e parashikuar të niste në orën 10. Prania e tyre shkaktoi protesta dhe u bë shkak për shtyrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për në orën 12:00.
© SYRI.net