SYRI TV/ Dështon integrimi në BE me Inteligjencë Artificiale, anulohet tenderi 2.5 mln euro

14:51, 28/02/2024
A+ Aa A-

Pak javë pas parlajmërimit të kryeministrit Edi Rama, se integrimin në Bashkimin Europian do ta kryente nëpërmjet inteligjencës artificiale, ka dështuar realizimi i një tenderi për këtë qëllim. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ka anuluar tenderin e Inteligjencës artificiale me vlerë 2.5 milion euro, pasi nuk kishte asnjë ofertë.

Syri Tv:

Pasi dështoi 10 vjet në qeverisje për të avancuar në procesin e integrimit, kryeministri Edi Rama u shpalli shqiptarëve në fund të vitit 2023 se e kishte gjetur çelësin e suksesit. Kreu i qeverisë deklaroi se do të përkthente aktet e Brukseli zyrtar me Inteligjencë Artificiale dhe në këtë mënyrë Shqipëria do të ecte e sigurt drejt Bashkimit Europian. Por, edhe kjo zgjidhje ideale dështoi me sukses. Në 27 Dhjetor të vitit të kaluar, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit-AKSHI-shpalli tenderin me objekt “Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin e Transpozimit të Aqcuis për Integrimin Evropian”. Fondi për këtë tender u vendos rreth 280 milionë lekë të reja ose mbi 2.5 milionë euro. 

Dy muaj më pas, në Shkurt të këtij viti, u njoftua se tenderi është anuluar. Arsyeja zyrtare është se asnjë operator nuk plotësonte kriteret për t’u kualifikuar. Në këtë mënyrë, kompanitë shqiptare të teknologjisë së informacionit nuk arritën të përmbushnin dëshirën e kryeministrit Rama për të integruar vendin në Bashkimin Europian nëpërmjet përkthimit të dokumenteve me Inteligjencë Artificiale. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë risie do të sjellë kryeministri për të përshpejtuar hapat drejt Bashkimit Europian, të cilat prej një dekade kanë mbetur në vend-numëro për shkak të qeverisjes së përfshirë nga korrupsioni, shtetit të dobët ligjor dhe mungesës së demokracisë funksionale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco