Von Cramon vlerëson Rugovën, i bën thirrje Qeverisë të shfaqë më shumë vetëpërmbajtje

Von Cramon vlerëson Rugovën, i bën thirrje Qeverisë të shfaqë më shumë vetëpërmbajtje

11:25, 17/02/2024
A+ Aa A-

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, në urimin për 16-vjetorin e Pavarësisë, ka vlerësuar figurën e presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa i ka bërë thirrje Qeverisë që të shfaqë më shumë vetëpërmbajtje dhe mirëkuptim “për ata që mund të ndihen të privuar”, duke aluduar në komunitetet, veçanërisht te ai serb.

Në një urim të postuar në “X”, Von Cramon ka thënë se shteti i Kosovës është testament i përpjekjeve të palodhshme të Rugovës.

“16 vjet më parë, Kosova deklaroi Pavarësinë duke shënuar kapitullin e ri në historinë e saj. Në këtë ditë, duhet të festojmë jo vetëm suksesin që Kosova ka arritur deri tash, por edhe qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e njerëzve të saj. Më 17 shkurt, unë kujtoj edhe presidentin Rugova dhe vizionin prej lidershipi të tij. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 2008 është testament i përpjekjeve të palodhshme të Rugovës. Vizioni i tij për një Kosovë demokratike, gjithëpërfshirëse dhe multietnike, ku të gjithë qytetarët jetojnë të lirshëm nga frika dhe diskriminimi, hodhi themelet për shtetin që e festojmë sot”, ka thënë ajo.

Duke shfrytëzuar urimin për Pavarësi, në mesin e tensioneve me ndërkombëtarët për shkak të çështjes së dinarit, Von Cramon i ka bërë thirrje Qeverisë të tregojë më shumë dhembshuri për ata që mund të ndihen të privuar.

​“E veçanta e Kosovës qëndron pikërisht në përkushtimin perëndimor për të shfaqur shembullin e një politike multietnike funksionale. I bëj thirrje autoriteteve të Kosovës të shfaqin më shumë vetëpërmbajtje, më shumë mirëkuptim dhe mbi të gjitha, më shumë dhembshuri kur kemi të bëjmë me ata që mund të ndihen të privuar. Kur ne angazhohemi për idealet që mbrojti Rugova, kur përpiqemi për Kosovën, ku drejtësia mbizotëron, ku përqafohet multietniciteti dhe ku fryma e pajtimit fiton mbi ndarjen, ne mund të ndërtojmë një të ardhme që pasqyron vlerat dhe aspiratat më të mira të Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco