Xhaferi: Udhëtimi im i parë si kryeministër, Brukseli, të japim mesazhin se jemi të orientuar drejt Evropës!

Xhaferi: Udhëtimi im i parë si kryeministër, Brukseli, të japim mesazhin se jemi të orientuar drejt Evropës!

07:06, 10/02/2024
A+ Aa A-

Xhaferi: Ata që më kritikojnë, le të shohin veten në pasqyrë

Nga Boris Georgievski, DW

Kryeministri i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tregon për DW për turbullirat në qeveri, problemet me dokumentet e udhëtimit, kritikat se është “dezertor” dhe për pirjen e duhanit në Parlament.

DW: Zoti Xhaferi, ende nuk jeni akomoduar në karriken e kryeministrit, e në qeveri pati tronditje, disa ministra duhet të largohen dhe të tjerë duhet të vijnë në vend të tyre pas përçarjeve në Aleancën për Shqiptarët. Çfarë do të thotë kjo për qeverinë dhe funksionimine saj?

Xhaferi: Nuk pajtohem me konstatimin për tronditje në qeveri. Tronditje ndodhën në një nga partitë pjesmarrëse në qeveri, por ato janë çështje të subjektit që po përballet me to. Puna e qeverisë zhvillohet në kuadër të asaj që është përgjegjësi dhe detyrim i qeverisë. Qeveria funksionon në tërësi. Janë ndërrmarë aktivitetet dhe masat e duhura në lidhje me zgjidhjen e statusit  të atyre anëtarëve të qeverisë, në përputhje me procedurat e përcaktuara dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligjet.

DW: Megjithatë, ministrat Mexhiti dhe Aliu, ju kanë akuzuar për komplot kundër Aleancës për Shqiptarët. Kanë thënë se ju e keni lejuar Grubin të heqë nga rendi i ditës pika nga ministritë e tyre...

Xhaferi: Marrëdhëniet ndërpersonale ndërmjet anëtarëve të qeverisë, janë marrëdhënie të tyre dhe janë përgjegjësi e tyre. Sjellja e kujtdo jashtë asaj që është përcaktuar, është përgjegjësi e imja me të cilën veproj në përputhje me rrethanat. Pra, nuk i komentoj deklaratat e anëtarëve të qeverisë që i bëjnë në emër të partive dhe si anëtarë të partive. Nëse kanë diçka me qeverinë, kjo është çështje tjetër.

DW: Pra, i hidhni poshtë kritikat e tilla?

Xhaferi: Nuk i komentoj, nuk merrem me ata, unë merrem me punën dhe përgjegjësitë e mia.

DW: A i bën BDI presion Aleancës për Shqiptarët për të "bërë pazar” me kombinimet apo aleancat parazgjedhore, për shembull për listat e përbashkëta?

Xheferi: Nuk e di nga e keni këtë përshtypje për BDI-në dhe përse duhet unë të përgjigjem për atë se çfarë bën dhe si vepron BDI. Unë si kryetar i qeverisë, përgjigjem për qeverinë, fakti që jam anëtar i ndonjë subjekti politik, nuk do të thotë se jam përgjegjës për lidhje me veprimet apo marrëdhëniet mes partive politike. Unë  mbaj llogari të drejtoj qeverinë që kanë lidhje me ligjet, rregulloret dhe procedurat e funksionimit të qeverisë.

DW: Si ju shkon atëherë, bashkëpunimi me ministrat e VMRO-DPMNE-së? A ka tensione?

Xheferi: Bashkëpunimi është në nivelin e  duhur, kolegjial, në kuptimin të asaj se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e të gjithë anëtarëve të qeverisë dhe ata trajtohen si anëtarë të qeverisë, pavësisht se nga cili subjekt vijnë. Pra, nuk kam qasje ndryshe ndaj tyre, pavarësisht nëse janë opizitarisht të përcaktuar, pra kanë hyrë në Qeveri si pjesë e opozitës, si pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës. Në këtë kontekst, ata janë anëtarë të qeverisë me të njejta të drejta dhe juridiksion për të zbatuar atë që është puna e qeverisë. Pra, marrëdhënia është kolegjiale, si me të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë.

DW: Qeveria po diskuton rreth zgjidhjeve për ndryshimin e dokumenteve personale, në pajtim me Marrëveshjen e Prespës, por ministri Toshkovski ka ndërmarrë disa hapa të tjerë. A shikoni në këtë qasje moskoordimin me qeverinë apo është veprim i ndërmarrë për shkak të kuotave të partisë së tij?

Xhaferi: Puna në lidhje me dokumentet, është përgjegjësi operative e MPB-së. Prandaj nuk mund ta shikoni si veprim të një ministri jashtë asaj që quhet përcaktim. Qeveria e ka detyrim të gjejë zgjidhje për çështje që janë në kompetencat e qeverisë, në rast se ato nuk të zbatohen nga ministria përkatëse. Pra, unë këto çështje i shikoj nga aspekti i funksionimit të sistemit. Në instancë të fundit, kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, përgjegjësi e bartësve të funksioneve në vetë këtë ministri dhe në adrministratën që në mënyrë operative zbaton detyrimet në lidhje me lëshimin dhe përgatitjen e dokumenteve dhe procesin e lëshimit të dokumenteve. Pra, nuk ka asnjë arsye për ta parë atë si një përpjekje për të fituar pikë politike.

DW: A mund të presim në këtë rast që gjërat do të rregullohen dhe procedura do të përshpejtohet dhe që deri më 12 shkurt, nuk do kemi shumë qytetarë që do mbeten pa pasaporta?

Xhaferi: Nuk mund të them që të gjitha gjërat do të zgjidhen deri më 12 shkurt, sepse nga analizat që kemi bërë, doli se ka mjaft neglizhencë gjatë  procedurave gjatë procesit të përgatitjes dhe në realizimin e procesit të lëshimit të dokumenteve, e në këtë kontekst mendoj se ajo që është kompetencë e Qeverisë për t'u rregulluar me vendime përkatëse, do të rregullohet nga Qeveria. Por pjesën operative, duhet ta zbatojë institucioni. Prandaj kjo çështje nuk varet vetëm nga ministri, kryeministri apo Qeveria, është një konglomerat përgjegjësish nga i punësuari i fundit në Ministri, deri te i punësuari i fundit në qeveri dhe për këtë punë, duhet koordinim. pra, nuk mund t'i shikoni gjërat në mënyrë segmentare se kush çfarë duhet ët punojë. Është një sistem në të cilin ka hierarki dhe kjo hierarki duhet të funksionojë nga lart poshtë e nga poshtë deri në majë.

DW: Nuk ka vendim të qeverisë për pasaportat?

DW: Si kryeministër dhe qeveri, a mund të ndërrmerni ndoshta ndonjë masë plotësuese për ta lehtësuar këtë gjendje, ndoshta me ndonjë komunikim me Greqinë? 12 shkurti është afër, e ne  e dimë se sa njerëz janë ende pa dokumente udhëtimi…

Xhaferi: Para së gjithash, ne duhet të marrim masa dhe aktivitete që janë në kompetencën dhe përgjegjësinë tonë. Nuk përjashtohen komunikimet me të gjitha palët e interesuara që mund të lehtësojnë procesin, por së pari është e rëndësishme që ne t'i përgjigjemi detyrimeve tona që këtu,  për të zbatuar detyrimet tona. Fakti që nuk mund të përfundohet është objekt shqyrtimi dhe në atë mënyrë të komunikohen të gjithë faktorët që mund të ndikojnë në zgjidhjen e kësaj situate dhe të përmbushen detyrimet në afat, kohë, procedurë të përshtatshme për të siguruar funksionalitetin e të gjithë  nevojave të  njerëzve.

DW: A është obligim i Qeverisë që më 12 shkurt të informojë shtetet e tjera që dokumentet e deritanishme të udhëtimit nuk vlejnë më, apo nuk keni një obligim të tillë?

Xhaferi: Këto janë norma dhe rregullore ndërkombëtare që janë nën ingerencat e Minnistrisë për Punë të Brendëshme. Do të bëjmë konsultimet e nevojshme me institucionet ndërkombëtare dhe pas përfundimit të këtyre konsultimeve do ketë edhe një vendim përfundimtar se si do t'i qasemi apo nuk do t'i qasemi kësaj procedure, do te zbatohet ose jo.

DW: Pra, ende nuk keni sjellë një vendim të tillë?

Xhaferi: Jo, nuk mund ta sjellim para kohe.

DW: Cili është vlerësimi Juaj rreth përmbushjes së Marrëveshjes së Prespës, nga të dyja palët. Maqedonia e Veriut, ballafaqohet me këtë problem me pasaportat dhe letërnjoftimet, mes të tjerash edhe për shkak të Marrëveshjes së Prespës, por nga pala tjetër nuk po zbatohet shumë. Për shembull, nuk ka asnjë tabelë rrugore në Greqi ku shkruan Maqedonia e Veriut, por prapë shkruan Shkup ose FYROM, etj. Sa i kënaqur jeni  Ju me përmbushjen e marrëveshjes nga të dyja palët?

Xhaferi: Unë jam në ditën e 10-të si kryeministër dhe vërtetë nuk mund t'u jap një përkufizim të qartë dhe të saktë për ndonjë  vlerësim pozitiv apo negativ. Gjithesesi, në kuadër të komunikimit dhe bashkëpunimit parlamentar, mendoj se bashkëpunimi është korrekt dhe madje më se korrekt për sa i përket raportit pozitiv në komunikim dhe në perceptimin që bëhet si ndërinstitucional ashtu edhe ndërqytetar. E rëndësishme është që të ketë një perceptim pozitiv të marrëdhënieve mes qytetarëve. Isha ministër edhe në qeverine e VMRO-DPMNE-së

DW: Zoti Xhaferi, ardhja Juaj në funksionin e kryeministrit, u përcoll me shumë kritika nga opozita. A ju shqetësojnë kritikat  e tilla , se për shkak se keni qenë pjesëtar në UÇK, nuk duhet të jeni në një pozicion kaq të lartë? Madje ka kritika se nga të qenit major në ushtri, jeni bërë udhëheqës i guerilës. Si ndjeheni pas këtyre kritikave?

Xhaferi: Ndjehem komod në detyrimin që t'i kryej obligimet dhe përgjegjësitë e mia të marra nga qytetarët përmes votimit në Kuvend. Nuk është detyra ime të merrem me vlerësime dhe deklarata politike. E kam thënë më parë dhe do ta them sërish për ju: Sa i përket VMRO-DPMNE-së, unë kam qenë ministër në një qeveri të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, pavarësisht nëse ka qenë qeveria e Nikolla Gruevskit, apo e tanishme, apo e kujt do qoftë. Pra, kam qenë edhe në qeverinë e VMRO-DPMNE-së nëse mund të them kështu, edhe pse qeveritë nuk janë të partive por të qytetarëve dhe të shtetit. Pra,  institucioni nuk mund të përvetësohet, qeveria e imja, e juaja apo nuk e di se e kujt. Qeveria është e shtetit dhe pjesëmarrësit në atë qeveri janë subjekte të ndryshme sipas situatave tona  aktuale për nga shumëllojshmëria e subjekteve politike që marrin pjesë në qeverisje.

DW: A ju ka lënduar kritika e deputetit Antonio Miloshoski se "Një dezertor doli nga kryeministria dhe në vend të tij, erdhi një tjetër dezertor”?

Xhaferi: Ju thashë që nuk shqetësohem për mendimin personal politik të askujt. Unë jam i destinuar t'i kryej detyrat, ashtu siç në fakt i kam kryer edhe në institucionet e mëparshme. A përsa i përket kritikave dhe asaj që i shqetëson disa njerëz, ato gjëra më ndjekin nga posti në post. Për mua është e rëndësishme t'i përgjigjem asaj që është përgjegjësia ime dhe përgjegjësia që kam marrë për të kryer këtë funksion dhe jam i fokusuar përpara qytetarëve që të përmbush pritshmëritë e këtij institucioni për të qenë funksional, për të marrë vendime në favor të nevojave të qytetarëve. Nuk e  ngarkoj veten me perceptimet anësore, si individëve dhe personave të caktuar. Ekziston një thënie se kushdo që nis të flasë për tjetrin, bën mirë që njëherë të shikojë veten në pasqyrë.

DW: Zoti Xhaferi, ku do të jetë udhëtimi juaj i parë kryeministror, ​​cilin koleg kryeministër do ta takoni në fillim?

Xhaferi: Unë mendoj se Brukseli do të jetë udhëtimi i parë, sepse aty është adresa jonë kolektive si për rajonin ashtu edhe si shtete të veçanta. Synimi është që të dërgohet mesazhi se edhe kjo përbërje e qeverisë, është e orientuar drejt Brukselit dhe Europës dhe në këtë kontekst, mendoj se kjo është në agjendën tonë, duke pasur parasysh se obligimet e të gjitha qeverive të tjera në rajon synojnë në vitin e  përvjetorit të Konferencës së Sigurisë në Mynih. Pra, nuk është realisht koha për të menduar për takime dypalëshe në këtë periudhë, sepse të gjithë po përgatiten për atje.

DW: Brukseli po ju  kërkon të konfirmoni orientimin e kësaj përbërjeje qeveritare apo ju vetë dëshironi ta deklaroni të njejtin?

Xhaferi: Nuk kërkojnë konfirmim. Ne e kemi deklaruar orientimin tonë edhe gjatë zgjedhjes edhe në ekspozenë e qeverisë, dhe është gjëja e duhur që ai mesazh të prezantohet fizikisht në institucionet evropiane.

DW: A ju ka uruar kryeministri i Kosovës Kurti për postin tuaj? Sa të vërteta janë thashethemet se Kurti dhe BDI nuk e duan njëri-tjetrin?

Xhaferi: Unë nuk i shoh gjërat kështu. Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, unë jam kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai ka zgjedhur të më përgëzojë përmes Facebook-ut, ndaj nuk ka arsye që unë t'i lidh marrëdhëniet ndërpartiake me marrëdhëniet ndër-institucionale. Janë dy gjëra të ndryshme

DW: Nuk ju është lajmëruar personalisht në telefon që t'iu urojë?

Xhaferi: Nuk më ka marrë në telefon, ai ka zgjedhur këtë mënyrë komunikimi.

DW: A është e vërtetë që BDI ka frikë nga popullariteti i Kurtit,  siç pretendon opozita këtu nga kampi politik shqiptar?

Xhaferi: BDI ka një strukturë drejtuese, duhet të shkoni tek ata që t'ju thonë nëse kanë frikë apo jo.

DW: Kam dëgjuar dekarata nga disa, mes tyre edhe nga paraardhësi juaj, që zgjedhjet e ardhëshme do jenë një luftë mes Lindjes  dhe Perëndimit. A pajtoheni ju me këto vlerësime dhe ku e shikoni ndikimin e Lindjes në Maqedoni?

Xhaferi: Që nga Pavarësia, nga përbërja e parë e Kuvendit në vitin 1993, janë miratuar dy rezoluta. Ato nxjerrin në pah objektivat strategjike të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Njëra është realizuar, por për fat të keq pas shumë kohe të humbur dhe e njëjta gjë po na ndodh tani me çështjen  e dytë, sepse nuk e kemi nxjerë mësimin nga periudha e kaluar.

DW: Në fund edhe një pyetje në dukje e parëndësishme, por që ka të bëjë me reagimet e shumta të publikut për xhirimet e bëra ku ju dukeni teksa  pinit puro në Kuvend, gjë që është vërtet e pakëndshme, sepse Kuvendi ka miratuar Ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit, do të pajtoheni me konstatimin se ishte veprim i  pahijshëm…

Xhaferi: Sigurisht që edhe për këtë ka një përgjigje: Ka institucion përkatës që mund të bëjë ankesën përkatëse, unë do të mbaj përgjegjësi si të gjithë qytetarët. Ishte një gabim, por ndoshta atmosfera ishte e tillë dhe ndodhi. Pra, nuk po e mohoj që është diçka që nuk duhej të ndodhte, prandaj ka një institucion që mund të reagojë dhe unë do të përgjigjem në përputhje me reagimin e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco