‘E nxitur nga Rama’/ Berisha dënon terrorin shtazor ndaj artistëve të Kosovës nga narkobanditët me uniformë

‘E nxitur nga Rama’/ Berisha dënon terrorin shtazor ndaj artistëve të Kosovës nga narkobanditët me uniformë

22:19, 06/02/2024
A+ Aa A-

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka dënuar ashpër terrorin fizik dhe psikologjij të ushtruar ndaj artistëve të njohur nga Kosova nga ana e Policisë së Shtetit, duke i hequr lirinë për 10 orë.

Në postimin e tij në Facebook, Berisha thekson se ‘ky qëndrim shtazor i narkobanditëve me uniformë të policisë Rama- Balla dëshmon frymën e urrejtjes kundër shqiptarëve të Kosovës të nxitur nga Edi Rama’.

Postimi i plotë:

Terror fizik dhe psikologjik shtazor i policisë së shtetit ndaj artistëve të mirënjohur të Kosovës.

Të dashur miq, artisti i mirënjohur Jeton Neziraj pas kthimit nga Firence ku kishin dhënë shfaqje, dhe nga aeroporti i Tiranës u nisën për në Prishtinë u përball gjatë rrugës me aktet më banditeske, dhunën brutale të narko-banditëve me uniformë sigurisht të udhëzuar nga Taulant Bego.

Artistët u shoqëruan në stacionin e policisë Kukës ku u agresuan shtazërisht nga banditë me uniformë dhe prej aty përsëri pa asnjë motiv ligjor shoqërohen të ndaluar për në Tiranë ku përsëri keqtrajtohen nga narkobanditë të tjerë dhe pas dhjetë orëve lirohen. Ky qendrim shtazor i narkobanditëve me uniformë të policisë Rama- Balla dëshmon frymën e urrejtjes kundër shqiptarëve të Kosovës të nxitur nga Edi Rama. Ky akt i paprecedentë me të cilin narkobanditë me uniformë në Shqipëri zevendësojnë aktet dhe veprimet e racistëve serbë dhe qendrimet e tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës përbën një turp dhe një krim të rëndë shtetëror të Edi Ramës dhe narkoshtetit tij.

Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë qendrim çnjerëzor, antishqiptar ndaj artistëve kosovar, si një krim të vërtetë shtetëror të narkoshtetit të Edi Ramës.

Këtu më poshtë keni reagimin e artistit të njohur Jeton Neziri për këtë krim shtetëror të shëmtuar të policisë Rama-Balla.

REAGIMI

Mbrëmë vonë u kthyem nga Firenze, ku e kishim luajtur shfaqjen tonë “The Handke Project”. Përgjatë rrugës për në Kosovë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, një pjesë e ekipit të shfaqjes jemi ndaluar në Kukës, ku jemi mbajtur me dhunë e terrorizuar nga policia e shtetit shqiptar.

U mbajtëm për mbi 10 orë, fillimisht në oborrin e stacionit policor në Kukës, e më pastaj në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Përfundimisht, u lamë të lirë mëngjesin e sotshëm, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.

Megjithatë e ndjejmë të nevojshme t’ju informojmë se gjatë kësaj aventure jo të këndshme, megjithëse kemi takuar e njohur punonjës policie të zellshëm, të sjellshëm, profesionalë e dashamirës, pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar.

Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psiqikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disa-orëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektivë të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psiqike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht, ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre. Ndërkohë, atyre qe janë sjellur njerëzisht me ne, u themi faleminderit. Duam të besojmë që këta janë policia e vërtetë e shtetit shqiptar.

U themi faleminderit edhe miqve, kolegëve, përfaqësuesve të institucioneve në Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë atyre që janë shqetësuar e kanë bërë telefonata per të na kthyer në Kosovë sa më parë dhe krenarë, ashtu siç po ktheheshim nga Firence e Italisë, ku ishim dhe e shfaqëm me sukses shfaqjen ‘The Handke Project’ në Teatro di Rifredi atje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco