VIDEO-SYRI TV/ Gjykata Kushtetuese noterizon një tjetër vendim të Ramës

16:39, 30/01/2024
A+ Aa A-

Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi një tjetër vendim qeverie të Edi Ramës.

Sot gjykata e drejtuar nga ish-avokatja e të drejtave të fëmijëve, Holta Zaçaj, ka vendosur që të lejë në fuqi vendimin për ndërtimin e HEC-it Skavica dhe rrëzimin e pretendimit të denoncuesve.

Kushtetuesja e ka dënuar qeverinë vetëm për mos informim të qytetarëve të zonës, dhe i ka kërkuar asaj që të informojë banorët në ludhje me ndërtimin e Hidrocentralit Skavica.

Ky vendim i Kushtetuese, vjen një ditë pasi po ky institucion noterizoi marrëveshjen e Edi Ramës me Giorgia Melonin për të sjellë në Shqipëri, refugjatët që Italia i kap në det.

NJOFTIM VENDIM MARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datat 12.12.2023 dhe 10.01.2024 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 6 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues:shoqata ‘Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës’, shoqata ‘Për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit të pellgut të Drinit të Zi’ dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me objekt: ‘Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 ‘Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë ‘Bechtel International Inc.’, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës’, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

Shfuqizimi i vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave ‘Për miratimin e kontratës së fazës së parë ‘Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës’ ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited’, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 ‘Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë ‘Bechtel International Inc.’, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës’ dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave ‘Për miratimin e kontratës së fazës së parë ‘Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës’ ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited’, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi’.

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 30.01.2024, pasi mori në shqyrtim kërkesën dhe pretendimet e parashtruara nga kërkuesit, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, vlerësoi se:

Gjykata ka juridiksion për tëshqyrtuar pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit nr. 38/2021 dhe nuk ka juridiksion për vendimin nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave, pasi ky vendim nuk përbën akt me karakter normativ.

Duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohet faza e parë, Gjykata vlerësoi se kërkuesit legjitimohen vetëm për pretendimin për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore.

Në lidhje me themelin, Gjykata vlerësoi se ligji nr. 38/2021 ka të bëjë dhe sjell ndikim,ndër të tjera, edhe në çështjet e mjedisit. Gjatë procesit gjyqësor nuk u provua se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave,para miratimit të ligjit,të kenë zbatuar të drejtën e informimit për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës. Po kështu,këto subjekte nuk kanë kryer procese konsultative me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive që në fazën e hershme të hartimit të projektligjit, ku të gjitha alternativat të ishin të hapura dhe komuniteti i zonës (me statusin e publikut të ndikuar) të mund të merrte pjesë sipas detyrimeve të Konventës së Aarhus-it.

Për sa më lart, Gjykata vlerësoi se, duke qenë se ligji ndodhet akoma në fazën e parë të zbatimit të tij, shkeljet e konstatuara para miratimit të ligjit mund të riparohen ende përmes ndërmarrjes së hapave konkretë për përfshirjen e publikut në informacion dhe vendimmarrje.

Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, njëzëri,

Vendosi:

1) Konstatimin e shkeljes së të drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij, të garantuar nga neni 56 i Kushtetutës, në procedurat e miratimit të ligjit nr. 38/2021.

2) Urdhërimin e autoriteteve publike për të riparuar shkeljen e konstatuar dhe për të garantuar të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit nr. 38/2021.

3) Detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultateve të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco