Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Rama në samite, Kikia: Priren të shfaqen si liderë të rajonit, jo mbrojtës të interesave ekonomike të shqiptarëve

Rama në samite, Kikia: Priren të shfaqen si liderë të rajonit, jo mbrojtës të interesave ekonomike të shqiptarëve

09:56, 23/01/2024
A+ Aa A-

Si e gjykon analisti Mentor Kikia, pjesëmarrjen e Shqipërisë në nismat dhe takimet e liderëve të Ballkanit, samitet rajonale apo ato evropiane?

Flavio Qarri në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV sot ia bëri edhe më konçize pyetjen,analistit, duke i treguar atë që po ndodh në Shkup.  “Ka pasur një samit në Shkup, përveç këtij samitit të Brukselit, ku u përplasën deputetë tanë, - tha ai. -  Tingëlloi pak sikur e morën për veshi Ramën dhe e çuan atje, ndoshta që t’i hiqnin mallin e “Ballkanit të Hapur”..."

"Tani, çështja e “Ballkanit të Hapur” është e mbyllur, - tha Kikia. -   Me sa duket janë ato nismat politike që prodhohen... e me që po flasim për konsensus, ajo që i mungoi “Ballkanit të Hapur” ishte pikërisht konsensusi. Vendet e rajonit nuk ishin të gjitha në të njëjtën linjë, por duket se kishte dhe ca forca më madhore se sa ato të rajonit që nuk e mbështesnin “Ballkanin e Hapur” dhe erdhi një moment që ideja nuk mund ta mbahej më në këmbë në mënyrë të sforcuar dhe shpejt e shpejt u pranua kapitullimi për t’u zëvendësuar me procese të tjera.

Pa dyshim, që SHBA dhe BE janë duke shpenzuar kohë dhe energji me Ballkanin, të cilin duam - s’duam, duhet ta pranojmë që është në epokën më të të paqtë dhe më të qetë që ka qenë ndonjëherë në historinë e tij dhe do të duan të ngrenë projekte afatgjata stabiliteti e një ndër të ta është shkëmbimi i lirë. Por duket se sharra këtu ngec mes Serbisë dhe Kosovës ku Serbia kërkon të vendosë sanksione apo kufizime në raport me Kosovën dhe kur Kosova i përgjigjet me të njëjtën monedhë, kjo quhet shkelje e këtyre marrëveshjeve dhe në këtë këndvështrim, ndërkombëtarët, aktorët që po ushtrojnë presion në këto tryeza, përpiqen që të vënë para përgjegjësisë Kosovën duke kërkuar që të mos bëhet askush shkaku i krijimit apo i lindjes së përplasjeve të reja.

Duhet parë dhe duhet pritur se deri ku do të shkojë e çfarë do të prodhojnë këto takime. Duke qenë mbi të gjitha se këto janë projekte politiko-ekonomike dhe mbi të gjitha ekonomike, impaktet e tyre janë të ndjeshme në mënyrë të menjëhershme dhe kjo bën që shtetet, qeveritë, qytetarët, shoqëritë të jenë më të ndjeshme dhe të reflektojnë. Në këtë kuadër, ekonomitë e dobëta janë të destinuara të paguajnë kosto, sikundër është e jona që është në një nivel konkurueshmërie shumë më të ulët në raport me ekonomitë e vendeve të rajonit.

Ajo që unë kam parë është fakti që përgjithësisht, lidershipi politik shqiptar, mazhoranca që drejton, në këto takime më shumë ka qenë e prirur ta shikoje veten si “lider” i rajonit, sesa përfaqësuese e një vendi dhe ekonomie për të mbrojtur interesat e qytetarëve të saj dhe të ekonomisë. Në një farë mënyrë është tentuar protagonizmi edhe përtej kapaciteteve dhe mundësive reale që ne kemi.

Gjithsesi, pjesëmarrja në këto aktivitete unë mendoj se është një gjë pozitive se në fund të fundit, rajoni do të shkojë drejt pajtimit jo me formula magjike, por duke ecur në këto shtigje dhe duke pasur gjithmonë në krye të tryezës fuqi të mëdha politike, ushtarake dhe ekonomike.

Sesa të zotë jemi ne që në këto tryeza të shtrijmë dorën dhe të marrim gjënë më të mirë të mundshme për veten tonë kjo do të varet pastaj nga aftësia e përfaqësuesve tanë dhe rrethanat që afron realiteti,” tha ndër të tjera Mentor Kikia./ar.sh/SYRI.NET  

Ndiqni intervistën e plotë në videon e Kafe Shqeto në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco