Terrorizmi shpërthyes i 'Luftës së Tretë të Fragmentizuar'

Terrorizmi shpërthyes i 'Luftës së Tretë të Fragmentizuar'

11:04, 14/01/2024
A+ Aa A-

Nga Tritan Shehu.

Një reflektim sot në ditën e 100-të të sulmit kriminal të organizatës terroriste Hamas ndaj Izraelit, ku dhe thirrja e Papa Françeskut, e mëparshme e paralajmëruese - “Lufta e Tretë Botërore ka filluar e fragmentizuar“ - gjeti një tjetër konfirmim dhe shembuj të tjerë konkrete janë të shumtë edhe rreth nesh, që kanë në themel kolonën ideologjike të terroristeve, mosekzistencën e tjetrit.

“Ukraina është Rusi”, pra nuk duhet të ekzistojë - nisi kështu sulmi rus ndaj saj.

“Kosova është Serbi“ - kolona e regjimit serb për terrorizmin ndaj Kosovës.

“Bosnja duhet të shpërbëhet” - thërret nga ana tjetër Dodik.

“Të pafetë duhet të vdesin” thërrisnin e thërrasin hordhitë e mbetura të ISIS!

“Izraeli nuk duhet të ekzistojë” është motoja e organizatave terroriste Hamas, Hezbollah, Houthi etj, që shpërtheu 7 tetorin, që rrezikon përshkallëzimin.

“Izraeli nuk duhet të ekzistojë” - deklarohet edhe në Teheran a tjetër për “të ushqyer” ato organizata për interesat e shteteve që përdorin terrorizmin politikisht.

Thelbi i të gjithë këtyre “forcave të zeza” është i njejtë: mohimi i tjetrit, i të ndryshmes, dëshira për ta zhdukur atë!

Dhe pikërisht për këto qëllime makabre, terroristët shpërthejnë “aksionet” e tyre vrastare, asgjësuese, edhe atëherë kur besohet se po u nënshtrohen rregullave të bashkëekzistencës, duke i kthyer më tej këto si bumerang për fatkeqësi të mëdha edhe për vetë popujt e tyre, siç po ndodh aktualisht në Gaza, sepse terroristët pa ideologjinë e veprimet terroriste nuk mund të ekzistojnë, jo thjesht për veten e tyre, por dhe për ata që i financojnë, që i përdorin…Për të cilët, demokracia, liritë, bashkëjetesa, janë vdekje, sepse vetëm këto mund të nxjerrin globin nga ky “rreth vicioz” i rrezikshëm. Por kjo kërkon rreshtimin e bashkëveprimin e të gjithë atyre shteteve, personaliteteve, qytetarëve të thjeshtë, pavarësisht racës, prejardhjes, fesë, gjuhës etj…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco