Bardhi: Masat e sigurisë ndaj Berishës, në tejkalim të Kushtetutës. Ndalimi i komunikimit është i paligjshëm

Bardhi: Masat e sigurisë ndaj Berishës, në tejkalim të Kushtetutës. Ndalimi i komunikimit është i paligjshëm

21:22, 10/01/2024
A+ Aa A-

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, tha në intervistën për SYRI TV, se mungesa e kreut të opozitës, Sali Berisha, ndikon në aktivitetin politik të opozitës.

“Unë mendoj që sa i takon vijimit të aksionit në parlament nuk do ketë ndikim. Sigurisht që mungesa e zotit Berisha në aktivitetin e tij politik apo veprimtarinë e tij politike ndikon në tërësi veprimtarinë politike të opozitës. Por unë besoj se grupi parlamentar i PD dhe të gjithë deputetët e opozitës janë të vendosur për ta vijuar aksionin politik në parlament,” tha Bardhi.

Ai i cilësoi masat e sigurisë ndaj kreut të opozitës, të paligjshme dhe antikushtetuese.

“Unë e kam bërë komentin tim, pra kam pasur një reagim publik. Si jurist e kam konsideruar aplikimin e masave fillestare dhe më pas arrestit në shtëpi si një tejkalim të asaj që lejon Kushtetuta e Shqipërisë. Sepse dy masat e para u caktuan pa dhënë autorizim Kuvendi i Shqipërisë.

Nga ana tjetër, aplikimi i masës së sigurisë arrest shtëpie si formë ndëshkimi për moszbatimin e dy masave të para del jashtë qëllimit për të cilin ligji lejon aplikimin e masave të sigurisë. Masat e sigurisë janë që prokuroria të hetojë e papenguar një çështje të caktuar.

Prokuroria kishte të gjithë mundësitë ta hetonte zotin Berishën pa caktuar asnjë masë sigurimi.

Masa e sigurisë së detyrimit të paraqitjes ka si qëllim që prokuroria të dijë se ku ndodhet personi nën hetim. Besoj se nuk ka shqiptar që nuk e di se zoti Berisha ishte 24 orë para kamerave në komunikim me publikun. Pra dihej vendndodhja e tij.

Kurse masa e sigurimit të daljes jashtë shtetit, është një masë sigurie që nuk ka nevojë për veprimin e personit. Pra, është e vetëekzekutueshme, mjafton të njoftohen pikat kufitare nga prokuroria.

Në këtë kuptim, qëllimi i të dyja masave të sigurisë është vetëpërmbushur.

Sa i takon masës së re, ka një kapërcim të asaj që lejon ligji, kur vendoset ndalimi i komunikimit të zotit Berisha. Kjo është një masë që nuk e lejon ligji ynë procedural penal. E ka parashikuar deri në vitin 2017, më pas në kuadër të reformës në drejtësi, është hequr nga ligji. Dhe sa kohë nuk e lejon ligji, nuk mund të aplikohet.

Shtuar kësaj që ndalimi i komunikimit të një politikani të lartë, siç është zoti Berisha, me strukturat e partisë së tij apo me qytetarët, është e ndaluar shprehimisht nga ligji,” tha Bardhi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco