SYRI TV/ Kreshnik Hajdari kalon për gjykim, Maliqi: Hajdari të gjykohet dhe për Sinecin

19:03, 10/01/2024
A+ Aa A-

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut socialist të Kuçovës Kreshnik Hajdari për falsifikim formulari. GJKKO pranoi njëherësh kërkesën e të pandehurit për gjykim të shkurtuar, teksa atij së fundmi i rrezikohet edhe mandate, për shkak se KAS, riktheu për shqyrtim vendimin e KQZ. Në përfundim të seancës, pala kallëzuese, hodhi akuza të forta ndaj kryebashkiakut, teksa është i kallëzuar edhe për çështje të tjera korrupsioni e shpërdorimi detyre, dhe hetimet janë të ngadalta.

SYRI TV

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar, kalon për gjykim kryebashkiakun socialist të Kuçovës, Kreshnik Hajdarin. Ai do të gjykohet për “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” pasi nuk ka deklaruar një dënim në Greqi disa vite më parë ku kishte hyrë ilegalisht në 1999 në territorin e vendit fqinj. Në të njëjtën seancë gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar për Hajdarin me kërkesë të këtij të fundit. Në përfundim të seancës, avokati i tij Theodhori Sollaku nuk u ndal gjatë, vetëm sa konfirmoi vendimin e gjykatës.

Si kallëzues i subjektit, Lafter Maliqi që kandidoi përballë Hajdarit në 14 maj, kundërshtoi gjykimin e shkurtuar që pranoi menjëherë gjykata. Maliqi, ambientalisti Sazan Guri dhe avokati Arben Llangozi, kërkuan nga SPAK të përparojë me hetimet për atë që e konsiderojnë si aferë korruptive një tender në zonën e Sinecit, teksa e akuzojnë që bashkë me biznesmenë që e mbështetën në zgjedhje, si grup të strukturuar kriminal.

Kreshnik Hajdari u dënua nga Gjykata e Janinës me 4 muaj burg për kalim të paligjshëm të kufirit, dënim të cilin nuk e deklaroi asnjëherë përkundër detyrimit ligjor kur kandidoi për postin e kryebashkiakut. Ai së fundmi rrezikon heqjen e mandatit, për shkak se Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzoi vendimin e Ilirjan Celibashit që Kreshnik Hajdari të vijojë detyrën pavarësisht se fshehu dënimin në Greqi. KAS kërkon që çështja të shqyrtohet edhe në herë në KQZ

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco