‘S’kam nisur asnjë faks’, Shkëlzen Berisha: Teatër politik, në mëngjes thirret djali, në drekë babai, në darkë merret masa e kufizimit të lirisë

10:18, 27/12/2023
A+ Aa A-

Juristi Shkëlzen Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK, ku dëshmoi për çështjen e Gërdecit.

"Unë e kam njohur burrin e tezes time, nuk e kam ditur ekzaktësisht vendin ku punonte, por jam vënë në dijeni nga familjarët e tij," tha ai.

Gazetari: Prokuroria tha sot se ju keni pasur 44 telefonata me Mihail Delijorgjin në një hark të shkurtër kohor?

Berisha: Për ta specifikuar: Të gjithë telefonat jane kryer pas vitit 2008. Me sa di unë, praktika dhe puna në atë punishte ka filluar me 2007. Kështu që nuk ka pasur asnjë lidhje me çështjen në fjalë. Siç e shpjegova atje, e vetmja telefonate që ka patur lidhje me çështjen ne fjalë ka pasur lidhje me te ndjerin për të ditur fatin e tij. Nuk e kam mohuar kurrë që kam komunikuar.

Gazetari: Po në lidhje me takimet që keni patur me zotin Bumçi dhe zotin Mediu, kanë pasur lidhje me Gërdecin?

Berisha: Sikundër ua kam thënë edhe para një viti, kur kemi dale këtu dhe jem pyetur për të njëjtat gjëra, të gjitha takimet kanë qenë për çështje personale, politike të natyrave të tjera. Asnjë lidhje as me ketë çështje dhe as me VKM të tjera.

Gazetari: Po lidhja juaj me z.Delijorgji cila ka qenë?

Berisha: Siç e dini ju, zoti Delijorgji, përveçse i përfshirë në këtë çështje, ai ka qene nje sipërmarrës ndërtimi dhe kjo është mënyrë se si e kam njohur unë.

Gazetari: Është përfolur shumë për një faks dërguar nga Ministria e Drejtësisë me mbishkrimin për Shkëlzen Berishën. Në fakt asnjëherë nuk ka patur qartësi në lidhje me këtë çështje. Dua të di zoti Berisha e keni bërë ju kallëzim në prokurori?

Berisha: Qartësia ka qenë e plotë që në fillim. E kam thënë. Ky faks, as nuk është nisur nga adresa ime, as nuk ka mbërritur në adresën time, as nuk njoh atë që e ka nisur dhe as atë që e ka pritur. I takon prokurorisë që të na thotë nëse faksi është ose jo origjinal. Nëse është i falsifikuar, duhet të thotë se kush e ka falsifikuar. Nëse është origjinal, duhet ta thotë kush e ka shkruar.

Gazetari: Cila është njohja juaj me Fatmir Mediun, gjatë kohës së Gërdecit dhe pas kohës së Gërdecit. Çfarë raporti keni më të, dhe e dyta, ka një çështje të veçuar për Gërdecin dhe te municioneve. A jeni thirrur ju nga SPAK për pjesën tjetër të veçuar?

Berisha: Qoftë zotin Bumçi dhe zotin Mediu i kam pasur miq përpara se te ishin ministra, i kam patur miq gjatë kohës që kanë qene ministra dhe i kam miq edhe sot që nuk kanë më të njëjtin funksion. Për sa i takon pyetjes së dytë, kam qenë këtu para një viti, dhe kur kam dalë, kam dhënë arsyen.

Gazetari: Prokuroria thotë se keni patur disa komunikime me zotin Mediu.

Berisha: Siç e kam thënë edhe me përpara, kam diskutuar një çështje personale të zotit Mediu.

Gazetari: Pranuat qe i kane takuar zotin Bumçi dhe zotin Mediu në zyrë, çfarë keni diskutuar?

Berisha: I kam takuar përpara se të mbanin funksionin, edhe gjatë funksioneve, por edhe edhe sot që nuk kanë asnjë funksion. Bisedat jane të gjitha biseda që bëhen me miq, siç mund të bëni edhe ju biseda me miqtë tuaj.

Gazetari: Tani kanë kaluar disa vite nga çështja e Gërdecit, në këndvështrimin tuaj, meqenëse ju jeni pyetur, a është hetuar siç duhet kjo tragjedi dhe çfarë është tragjedia e Gërdecit sipas jush?

Berisha: Nëse është hetuar siç duhet. Unë nuk jam as gjykatës as prokuror që ta them. Ajo që mund t'ju them është që politizimi i tejskajshëm i kësaj çështje, sigurisht që nuk e ka ndihmuar të vërtetën, as nuk ka ndihmuar hetimin, as nuk ka ndihmuar të vërtetën. Kjo është ajo që mund t'ju them.

Mund të them edhe diçka tjetër. Akuza ka thirrur këtu 71 dëshmitarë. Dhe këtë 71 dëshmitarë ndahen në tre kategori, familjarë të prekur nga tragjedia, ose janë punonjës të shtetit, ose janë punonjës të kompanisë që ka pasur lidhje me procesin e demontimit.

Unë jam i vetmi dëshmitar që nuk kam asnjë lidhje me këto tre kategori.

Kam ardhur këtu para një viti dhe ju kam dhënë dëshminë time, dhe ju kam thënë kur kam dalë se dëshmia ime nuk ka asnjë lidhje me akuzën e ngritur në rastin konkret. Sikurse e patë edhe sot, asgjë nga ato që u thanë aty, nuk kanë lidhje me akuzën dhe unë e konsideroj thirrjen time në këtë proces, duke qene se nuk kam asnjë lloj informacioni për të thënë për akuzën, që mund t'i shërbejë akuzës, nuk kam asnjë lidhje me asnjë lidhje me këto tre kategori që u përmenden. E konsideroj absolutisht një teatër politik në kontekstin kur në mëngjes thirret djali, në drekë gjykohet babai dhe në darkë ekzekutohet masa e sigurisë.

Gazetari: Ama ka një faks që me mbishkrimin në emrin tuaj?

Berisha: Zonjë, unë jam thirrur para një viti dhe kam dhënë dëshminë time. Tani, unë atë që kam thënë para një viti, ua kam thënë edhe juve. Nuk di kush e ka nisur, nuk di kush e ka pritur. Nuk është nisur nga adresa ime, nuk ka ardhur në adresën time. Këtë pyetje, nëse ju vertet doni të bëni transparencë, duhet t'ia drejtoni prokurorit. Pse nuk e gjen se kush e ka shkruar, 15 vjet. Kjo është shumë transparente si përgjigje.

Gazetari: Zoti Berisha, meqenëse përmendët babain, një nga kërkesat e SPAK është arresti shtëpiak, mbikëqyrja policore dhe ndalimi që të komunikojë me të tjerë që nuk bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, Një pyetje, a do ta takoni babain tuaj?

Berisha: Ky vendim është grotesk, përdorimi politik i prokurorisë ka kapur nivele groteske. Tani unë po ju bej një pyetje të gjithëve: Më jepni një vend, jo në Europë, por në botë, që quhet vend i lirë apo demokratik, ku kryetari i opozitës mbahet në arrest shtëpie pa të drejtë komunikimi, ndërkohë që nuk ka akuzë. Donald Trump ka 34 akuza dhe nuk ka asnjë masë sigurie, Sali Berisha nuk ka asnjë akuzë dhe ndaj tij deri tani janë ngritur tre masa sigurie, duke e çuar në arrest shtëpie dhe deri në pamundësi komunikimi. Qëllimi politik këtu është jashtëzakonisht i qartë. Përdorimi politik i prokurorisë është i turpshëm, janë pikërisht masat e sigurisë, prokuroria mund të hetojë çfarë të dojë, gjykata mund te hetojë çfarë të dojë. Por masat e sigurisë ndaj një lideri opozite, i cili, sipas tyre nuk duhet të takohet me njerëz, nuk duhet të takohet me asnjëri, është groteske.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco