Të gjenden urgjent përgjegjësit për dështimin e nxënësve shqiptarë në PISA

Të gjenden urgjent përgjegjësit për dështimin e nxënësve shqiptarë në PISA

09:03, 23/12/2023
A+ Aa A-

Rezultatet e dobëta në testin PISA janë pasqyra e dështimit të politikave arsimore, kurrikulës së re dhe teksteve të dobëta. Duhet një strategji 30-vjeçare për sjelljen në binar të arsimit thotë Ndriçim Mehmeti ekspert për politikat arsimore.

Intervistë me z. Ndriçim Mehmeti ekspert për politikat arsimore

A mund të rendisni disa nga arsyet pse ka rënie të aftësive të 15-vjeçarëve shqiptarë në raport me vlerësimet e mëparshme të testimit PISA?

Rezultate e dobëta në PISA 2022, vijnë për pasojë: -Të politikave të gabuara të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS). -Të kurrikulës dhe teksteve të dobëta të zgjedhura enkas nga MAS dhe që përgjegjësia më e madhe i bie jo vetëm Ministrisë së Arsimit por edhe ASCAP, e cila dështoi në zotimin e saj për të zbatuar kurrikulën e cila, do t’i bënte fëmijët shqiptarë njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE-së.

Kurrikulla dështoi, mjete didaktike dhe infrastruktura për zbatimin e saj munguan, trajnimi i mësuesve po ashtu dhe së fundi erdhi rezultati që pritej. Nxënësit që u testuan në PISA 2022 janë nxënësit që filluan vitin shkollor në vitin 2013-2014, kur u hoq kurrikula e mëparshme dhe u vendos kurrikula dhe tekstet anglosaksone. Rezultatin më të mirë, Shqipëria  e pati në PISA 2015, me nxënësit që filluan shkollën në vitin 2006, ke atë kurrikulë që u anatemua kaq shumë.

Çfarë duhet të përmirësohet në kurrikula dhe në cilësinë e mësimdhënies në mënyrë që Shqipëria të mbyllë hendekun e njohurive në matematikë ose së paku të mos e thellojë më tej? 

Tanimë është vonë. Për më tepër, MAS në vend që të bëjë analizë të thellë dhe të ngrejë alarmin për rezultatet e PISA 2022, nëpër studio përfaqësues të lartë të MAS, ua hedhin fajin mësuesve, nxënësve dhe prindërve “që nuk paskan kuptuar filozofinë e re të kurrikulës e për pasojë kanë dështuar”.

Duhen marrë urgjentisht këto masa: 1.Të gjenden përgjegjësit për këtë situatë dhe të marrin përgjegjësitë që u takon nga i pari deri tek i fundit; 2.Të rishikohet buxheti i arsimit për vitin 2024, duke e çuar së paku 5%; 3.Të investohet fuqishëm në: infrastrukturën shkollore (laboratorë, kabinete, mjete didaktike, pajisjen e mësuesve me mjete digjitale dhje elektronike, pajisjen e nxënësve me tableta dhe jo në tulla e llaç për ndërtim e rikonstruksion shkollash); 4.Të nisë një program kombëtar për trajnimin e mësuesve; 5.Të depolitizohet shkolla; 6.Të rriten pagat e mësuesve në të gjitha nivelet së paku nga 30-50% të pagës bruto; 7.Të mblidhet një forum kombëtar këshillimi për politikat arsimore, i cili të referojë në Parlament dhe të merren masa në kuadër të një plani kombëtar që do të synojë vizionin që kemi për arsimin sot e 30 vitet e ardhshme./MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco