SYRI TV/ Inceneratori i Elbasanit bëhet për remont pa punuar, Eco-Elb shpenzon 200 mln lekë për pajisje mekanike

13:59, 19/12/2023
A+ Aa A-

Ndonëse kontrata korruptive e djegësit të Elbasanit ka kushtuar mbi 20 mln euro,   investimi  i qeverisë shqiptare rezulton i dështuar,  pasi inceneratori është bërë për remont, pa kryer asnjë ditë punë.  Kompania Eco Alb, ka  përfunduar një tender për blerjen e pajisjeve mekanike e hidraulike  me fond limit 220 mln lekë. Kjo fakton se Djegësi ka qenë tërësisht jashtë funksionit, dhe të vetmet ditë që është ndezur ishin ato gjatë fushatës elektorale, duke shërbyer si mjet propagande i Edi Ramës

Syri tv

Inceneratori i përpunimit të mbetjeve në Elbasan është bërë për remont, pa punuar thuajse asnjë ditë. Impianti i djegies së plehrave ka kushtuar mbi 20 milionë euro, duke shënuar një prej investimeve më të dështuara të qeverisë shqiptare. Ai u ndez vetëm pak ditë gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2023, duke i shërbyer kryeministrit Edi Rama si mjet propagandë për të justifikuar shpenzimin kolosal. Por, pas përfundimit të fushatës, inceneratori u fik sërish dhe tashmë është bërë për remont. Kompania publike “Eco-Elb”, e cila ka marrë në dorëzimin impiantin e incenerimit të mbetjeve ka përfunduar së fundmi një tender për blerjen e një numrin të konsiderueshëm pajisjesh mekanike.

Fondi limit i tenderit ishte rreth 220 milionë lekë të vjetra. Në dokumentet zyrtare thuhet se kompania menaxhuese do të blejë ventilatorë, kabllo, tela, xhunto, termostate, automatë e shumë e shumë elementë të tjerë teknikë, elektrikë e hidraulikë. Kompania koncesionare “Albtek Energy” e dorëzoi impiantin e mbetjeve në dhjetor 2021 dhe, si rregull, ai duhet të ishte në gjendje pune në momentin që i është kaluar në menaxhim shoqërisë publike “Eco-Elb”.Por, çdo gjë duket se ka qenë mirë vetëm në letra. Pasi inceneratori ka qenë tërësisht jashtë funksionit. Madje, jo vetëm që nuk ka punuar, por po vijon të tërheq qindra milionë lekë të tjera publike për ta mbajtur në këmbë. Ndërtimi i landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit u mor përsipër nga shoqëria “Albtek Energy”, e cila nënshkroi kontratë koncesionare me qeverinë shqiptare në fund të vitit 2014. Kontrata parashikonte se afati i koncesionit ishte 7 vjet dhe përfundoi në vitin 2021.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, provuan se hartimi i kontratës dhe zbatimi i saj janë shoqëruar me paligjshmëri të rënda, përfshirë korrupsion, shpërdorim detyre e pastrim parash. Megjithatë, hetimet e SPAK-ut mbetën në një nivel jo shumë të lartë, pasi nga hetimi u përjashtuan zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, të cilët kanë miratuar një kontratë koncesionare në kundërshtim flagrant me ligjin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco