Lajmi i fundit

Vendimi/ Reagon kryetari i PD, Sali Berisha: Sot fitoi demokracia, qëllimi ynë i përbashkët, rikthimi i shpresës tek shqiptarët

Raporti amerikan: Hetimi i SPAK ndaj Arben Ahmetajt, i motivuar politikisht

Raporti amerikan: Hetimi i SPAK ndaj Arben Ahmetajt, i motivuar politikisht

09:30, 24/11/2023
A+ Aa A-

Firma e njohur ligjore amerikane, Nixon Peabody, e cilësuar si një nga kompanitë më të mëdha dhe më të rëndësishme jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën, ka përgatitur një raport të hollësishëm ligjor për çështjen e ngritur nga SPAK ndaj ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

Në konkluzion të një hetimi të hollësishëm, ekspertët e kësaj kompanie arrijnë në përfundimin se hetimi ndaj Arben Ahmetajt është i motivuar politikisht.

“Bazuar në shqyrtimin tonë, ne kemi arsye të besojmë se akuzat e ngritura nga SPAK ndaj zotit Ahmetaj janë, tërësisht ose pjesërisht, të motivuara nga animusi politik.

Ne e kuptojmë se SPAK ka qenë nën presion, si nga burime të jashtme, ashtu edhe nga qytetarët, për të goditur korrupsionin. Ndonëse ky është një synim fisnik dhe duket se ka dhënë fryte në formën e ndjekjeve penale legjitime dhe të mbështetura në mënyrë provuese ndaj individëve si zoti Lefter Koka, ndjekjet penale të bazuara në akuza të rreme dhe të pambështetura, nuk mund të lejohen të qëndrojnë.

Ne e kuptojmë se zoti Ahmetaj ka të ngjarë të jetë në shënjestër sepse ai (a) nuk konsiderohet më si aleat i kryeministrit Rama, por (b) konsiderohet ende si një ‘peshk i madh’ për qëllime politike për shkak të rolit të mëparshëm si zëvendëskryeministër.

Siç vuri në dukje raporti i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara: “Edhe pse Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, presioni politik, frikësimi, korrupsioni dhe burimet e kufizuara e penguan gjyqësorin të funksiononte politikisht, në mënyrë të pavarur dhe efikase”.

Departamenti i Shtetit vuri në dukje më tej se ‘u raportuan raste të korrupsionit gjyqësor, joefikasitetit, frikësimit dhe ndërhyrjeve politike’. Zoti Ahmetaj fatkeqësisht rezulton të jetë viktimë e një prej këtyre rasteve,” thuhet në raport.

Ndër të tjera, në raportin e Nixon Peabody theksohet se SPAK nuk ka identifikuar asnjë akt ligjor që zoti Ahmetaj të ketë ndërmarrë për të mbështetur projektet e inceneratorëve. Raporti thotë se SPAK nuk ka identifikuar asnjë provë të ligjshme se zoti Ahmetaj ka përfituar nga kjo skemë. Për më tepër, raporti i SPAK nuk përcakton ndonjë element korrupsioni në akuzë dhe nuk e lidh zotin Ahmetaj me ndonjë shkelje.

Por raporti thekson se Ahmetaj nuk kishte kurrë mundësi që të çonte përpara kontratat e inceneratorëve.

“Ndërsa shqyrtimi ynë ishte i kufizuar në ato dokumente dhe materiale në të cilat kishim akses, përkatësisht te raporti i SPAK dhe dokumente të tjera të disponueshme publikisht, ky shqyrtim ishte mjaftueshëm gjithëpërfshirës për të identifikuar shqetësimet kryesore të identifikuara më sipër.

Bazuar në analizën tonë, në lidhje me përvojën tonë të mëparshme në hetimin, ndjekjen penale dhe mbrojtjen e rasteve të korrupsionit publik, ne konstatojmë se rasti i SPAK, siç parashtrohet në raportin e SPAK, është i pambështetur nga provat. SPAK ka dështuar plotësisht të përcaktojë asnjë nga elementët kryesorë të një vepre penale të korrupsionit publik, përkatësisht një veprim apo mosveprim zyrtar dhe një përfitim të dhënë në këmbim.

Më tej, SPAK dështon në mënyrë totale të kuptojë se zoti Ahmetaj nuk ishte kurrë në gjendje të çonte përpara materialisht kontratat për inceneratorët, dhe në fakt e refuzoi disa herë propozimin për kontratën e djegësit të Tiranës.

SPAK gjithashtu tenton të krijojë një lidhje mes zotit Ahmetaj dhe keqbërësve të tjerë të dyshuar në këtë çështje- ndaj të cilëve janë paraqitur prova domethënëse të llojit që mungojnë në rastin e zotit Ahmetaj- përmes një labirinti të ngatërruar personazh dhe subjektesh pa lidhje.

Në rastin më të mirë, raporti i SPAK është rezultat i një hetimi të dobët dhe të keqtrajtuar, që tregon qartë rreziqet e teorive argëtuese të konspiracionit në ndjekjet penale. Në rastin më të keq, raporti i SPAK pasqyron një persekutim të motivuar politikisht të një individi të njohur, gabimi i vetëm i të cilit ishte përplasja me elitën në pushtet.

Megjithëse përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe mashtrimin duhen duartrokitur, sulmet e pabaza ndaj individëve të pafajshëm, sepse ata janë kundërshtarë politikë, janë haptazi të padrejta. Prandaj ne besojmë se SPAK duhet të revokojë raportin dhe të pushojë menjëherë hetimin ndaj zotit Ahmetaj,” thekson raporti.

Por në një sqarim më të detajuar, raporti rrëzon hetimin e SPAK për Arben Ahmetajn sa i përket kontratave të inceneratorëve.

Fillimisht sa u përket kontratave për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, raporti thotë se Ahmetaj në atë kohë nuk kishte lidhje, pasi ishte ministër i Ekonomisë.

“Autoriteti kontraktor përkatës për koncesionet e inceneratorëve ishte Ministria e Mjedisit. Ministër i Mjedisit gjatë procesit të koncesionit të tre projekteve të inceneratorëve ishte zoti Koka. Gjatë vendimeve përkatëse për kontratat e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit, zoti Ahmetaj ka qenë ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Siç e kemi detajuar më lart, miratimi i Ministrisë së Financave për inceneratorin e Elbasanit u kërkua në fund të vitit 2014 dhe për inceneratorin e Fierit në janar 2016. Zoti Ahmetaj shërbeu si ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes deri në shkurt të vitit 2016,” thuhet në raport.

Por edhe kur u bë ministër i Financave, raporti thekson se ‘Ahmetaj parandaloi në mënyrë aktive kontratën për djegësin e Tiranës që të ecte përpara’.

“Shkurtimisht, përveç Autoritetit Kontraktor, Ministria e Financave është e vetmja agjenci tjetër qeveritare që luan ndonjë rol në procesin e kontraktimit. Ky rol është i kufizuar në vlerësimin nëse ka fonde të mjaftueshme në buxhet që do të ndahen për një projekt të tillë,” sqaron raporti.

“Për më tepër, zoti Ahmetaj refuzoi tre herë që të miratonte projektin e inceneratorit të Tiranës, sepse nuk kishte fonde të mjaftueshme në buxhet për të paguar për të. Në rastin e pestë, zoti Ahmetaj u informua se plani për projektin e inceneratorit të Tiranës kishte ndryshuar dhe se fondet e qeverisë nuk do të nevojiteshin më. Për rrjedhojë, zoti Ahmetaj në herën e pestë kur u pyet, deklaroi se Ministria e Financave nuk kishte asnjë koment për projektin.

Dikush mund të supozojë se nëse zoti Ahmetaj do të ishte pjesëmarrës aktiv në skemën e korrupsionit, ai do të kishte firmosur projektin, pavarësisht këtyre shkeljeve të rregullave. Fakti që ai nuk e bëri, tregon shumë dhe vërteton bindshëm se ai nuk ka vepruar në mënyrë korruptive në lidhje me projektet e inceneratorëve.

Nga ana e tij, SPAK duket se sugjeron se refuzimi i zotit Ahmetaj për të ushtruar kompetencën e Ministrisë së Financave në përgjigje të kërkesës së pestë për miratim- e cila do të kishte qenë krejtësisht e pavend duke pasur parasysh se nuk kërkoheshin më fonde publike- është dëshmi e fajit të tij.

Kjo është natyrisht qesharake. Fakti që zoti Ahmetaj ka ndjekur germat e ligjit, nuk mund të përdoret si dëshmi se ai është përfshirë në korrupsion publik. Fakti që SPAK do të ndjente nevojën për të arritur përtej kufijve të logjikës, duhet të ngrejë shqetësime serioze për hetimin dhe ndjekjen penale të SPAK-ut, si dhe motivet që qëndrojnë në themel të të dyjave”, thekson raporti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco