Berisha: Opozita i tregoi botës se Shqipëria nuk është më një demokraci

Berisha: Opozita i tregoi botës se Shqipëria nuk është më një demokraci

09:01, 22/11/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë konferencës së djeshme me gazetarët se për opozitën ishte një fitore e madhe jehona botërore e aksionit të saj pa kthim.

DEKLARATA E PLOTE

Të dashur qytetarë dhe qytetare! Dy arsye bënë mbrëmë që Shqipëria të jehojë në titujt më kryesorë të mediave ndërkombëtare.

E para, ishte ndeshja e kombëtares në eliminatoret e Euro2024. E dyta, ishte qëndresa e opozitës shqiptare në parlament kundër mobo-diktaturës, apo narko-diktaturës së Edi Ramës.

Për të parën le t’i shprehim ne urimin më të përzemërt, mbështetjen më të fuqishme kuq e zinjve, ekipit, kapitenit dhe trajnerit të saj fantastik.

Për të dytën, dua të theksoj se mediat më serioze të planetit BBC, Fox News, Sky, Uashington Post, The Independent, The Guardian dhe Telegraph dhe dhjetëra e dhjetëra media në të pesta kontinentet kishin në titujt më kryesor aksionin opozitar pa kthim të opozitës të PD në parlament dhe opozitës shqiptare.

Analistët e qeverisë, për të sfumuar aksionin, për të dezinformuar apo për të hedhur baltë mbi të u shprehën se: ‘Nuk ishte kjo një fitore, pasi buxheti u votua gjithsesi.’

Mjerimi nuk ka kufij në mendim, përveçse këtë. Beteja e opozitës është për një qëllim madhor. Misioni ynë është shembja e diktaturës. Diktaturat nuk shemben duke ndaluar një votim, por duke treguar të vërtetën njerëzve dhe opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Dhe e vërteta mbrëmë u tregua pa asnjë filtër nga mediat më të fuqishme të botës. Opozita i tregoi mbrëmë botës se kryeministri shqiptar që herë vishet me atlete për modern, dhe herë tjera me çitjane për oriental, votoi dje në 4 minuta, në rekordin më të turpshëm botëror buxhetin. Dhe kjo, sepse ai nuk pranon në përputhje me Kushtetutën krijimin e komisioneve hetimore parlamentare për vete, familjen soj e sorollopin e tij dhe ministrat e zyrtarët e tij.

Opozita i tregoi botës se Edi Rama në fakt është një kryeministër, por pasi voton buxhetin i ndalon opozitës të paraqesë ligje, duke i mohuar asaj 31 të tilla pa proces të duhur parlamentar.

Opozita i tregoi botës të vërtetën se Shqipëria de fakto nuk është më një demokraci, sepse Edi Rama kërkon t’i përcaktojë opozitës përfaqësuesit e saj. Sepse Edi Rama e blindoi njëlloj si një narko-diktator në romanet e Markezit parlamentin. Për çfarë? Që opozita të mos kërkojë të drejtat e saj.

Të drejtat kushtetuese që kërkojnë deputetët e opozitës në parlament nuk janë të drejta personale të tyre. Janë të drejta të 600 mijë votuesve që kanë votuar kundër qeverisë së Edi Ramës.

Pra, një fitore e madhe për opozitën kjo jehonë botërore e aksionit të saj pa kthim, e cila i çorri maskën Edi Ramës, dhe hap pas hapi do vijojë në këtë betejë pa kthim deri në çmontimin e diktaturës në Shqipëri, deri në shpëtimin e Shqipërisë.

Dje deputetët e opozitës me guximin e tyre ishin më përfaqësues se kurrë të popullit opzitar. Ata me aktet e tyre të mosbindjes civile përcollën në mbarë botën zërin qytetar të opozitës se në parlamentin shqiptar po vdes pluralizmi politik, dhe se deputetët e opozitës me mosbindjen e tyre civile janë të vendosur ta mbrojnë atë me çdo çmim.

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Beteja pa kthim e mbi 40 deputetëve të opozitës në parlament është një lëvizje simbolike, që ka për qëllim madhor t’i paraqesë botës të vërtetën e diktaturës së bandave në Shqipëri.

Por njëkohësisht ka një qëllim të dytë madhor, të zgjojë luanët që janë në zemrat dhe shpirtrat e çdo shqiptari. Pasi zgjimi i luanit të fjetur është fitorja përfundimtare e demokracisë dhe përmbysja përfundimtare e diktaturës në Shqipëri.

Ndaj dhe me këtë rast, duke shprehur vlerësimin tim më të madh për betejën pa kthim në parlament të deputetëve të opozitës, ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetare dhe qytetar, kudo që ndodhen, në Shqipëri, emigracion dhe diasporë, t’i bashkohet kësaj beteje për shpëtimin e Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco