Berisha: Nuk protestojmë kundër refugjatëve, s'jemi parti ksenofobike

Berisha: Nuk protestojmë kundër refugjatëve, s'jemi parti ksenofobike

09:50, 16/11/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, u pyet dje nga gazetarët në lidhje me qëndrimin e tij pas deklaratës së një kryebashkiaku të djathtë, i cili tha se mirëpret refugjatët që do vijnë pas paktit Rama-Meloni.

Z.Berisha doja një koment nga ana juaj lidhur me një letër lidhur me kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëzit që ka dalë nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’. Një letër drejtuar kryeministrit që kërkon që të strehohen refugjatët afrikanë në bazë të marrëveshjes që ka bërë Edi Rama me kryeministren e Italisë. Ka patur një konsultim me ju, pasi ju u shprehët publikisht kundër asaj marrëveshje?

Berisha: Tani, që ta dini qëndrimin tim unë e kam shumë publik. Unë kam qenë kundër me bindjen e plotë se ka një problem madhor të të drejtave të njeriut. Ka një problem kushtetues, përveç kësaj. Këto dy probleme më bëjnë mua që të qëndroj në pozicionin tim. Për këto dy probleme unë kam kundërshtuar një kërkesë vite më parë, pak të ngjashme, por pak më ndryshe për sjelljen e irakenëve në Shqipëri. Dhe nuk kam pasur asnjë keqkuptim nga qeveria e SHBA.

Unë jetën time politike, mos e harroni kurrë këtë, në dhjetorin e ’90, angazhimin tim e kam pasur për të drejtat e njeriut dhe i qëndroj deri në fund të jetës sime. Nuk mund të pajtohem që të mbyllem. Sot më thonë mua, gjykata e madhe e Britanisë së Madhe e rrëzoi marrëveshjen e qeverisjes së kryeministrit për Ruandën.

Unë e kuptoj që problemi i refugjatëve është një problem madhor, por në bindjen time më të thellë nuk është një zgjidhje kjo. Unë jam për kthimin e tyre nga kanë ardhur, por jo ndërhyrjen e tyre në një vend tjetër. Çfarë standardesh për të drejtat e njeriut ka Shqipëria? Mizerabël. Shqipëria nuk respekton të drejtat e deputetëve të saj në parlament.

Sikundër, e kam shpjeguar dhe e shpjegoj, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, përveç Kushtetutës, përveç Konventës, përveç vendimeve të Strasburgut për çështje të tilla, i cili shkelet me dy këmbë. Nuk pajtohem unë me një gjë të tillë.

Qëndrimi im është ky, edhe unë këtë qëndrim kam patur mundësi në bisedë t’ua transmetoj edhe qeveritarëve italianë dhe natyrisht në mënyrën më transparente publikut shqiptar. Kam theksuar gjithashtu, dhe po e them prapë. Nuk jam për protesta. Pse nuk jam për protesta?

Së pari, edhe demokratëve kudo që janë. Ne nuk mund të protestojmë për një çështje emigrantësh.

Së pari, rrisim ksenofobinë dhe ne jemi komb në interes kombëtar, jemi komb mikpritjeje.

Së dyti, ne nuk jemi parti në asnjë mënyrë, as e ksenofobisë, e cila një teh brisku e ndan nga racizmi.

Së treti, e them këtu, e kam thënë, nuk kam pse ta fsheh, Italia ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm e thashë edhe një ditë në transformimin e Shqipërisë. Nuk janë vetëm miliardat, që ato janë, por janë ozmia, problemi i mijëra shkëmbimeve të përditshme midis dy vendeve 80 km larg, të cilat në një vend i cili ishte më i izoluari i planetit, ka patur ndikimin më të fuqishëm

Këto janë qëndrimet e mia të hapura. Edi Rama ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur Konventën e të Drejtave të Njeriut, ka shkelur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ka shkelur vendimet e gjykatës së Strasburgut.

Këto që them unë nuk varen nga askush, por këto që them unë janë të vërteta reale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco