SYRI TV/ Kreshnik Hajdari i dënuar me 4 muaj burg në 1999, i rrezikohet mandati i kryebashkiakut

14:18, 13/11/2023
A+ Aa A-

Zbardhet shkresa që Prokuroria i Përgjithshme i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me dënimin në Greqi të kryebashkiakut socialist të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit. Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se Kreshnik Hajdari është dënuar në vitin 1999 nga Gjykata e Janinës dhe ky dënim është fshehur prej tij, pasi në dy mandate nuk është deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Ky dënim pritet t’i rrezikojë mandatin kryebashkiakut të Kuçovës, i cili gjithashtu është dëbuar nga shteti helen për shkak të dënimit.

Nga SYRI TV

Zbardhet shkresa që Prokuroria i Përgjithshme i ka dërguar Komisionit Qendror të Agjedhjeve lidhur me dënimin në Greqi të kryebashkiakut socialist të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit.

Në  dokumentin  e Prokurorisë së Përgjithshme, konfirmohet se Kreshnik Hajdari ka qenë i dënuar në vitin 1999 nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë për veprën penale, “Kalim i paligjshëm  kufiri” për të cilin është dënuar me 4 muaj burgim. Por ndërsa KQZ-ja thekson se Kreshnik Hajdari e ka fshehur në 2 palë zgjedhje në formularin  e vetëdeklarimit këtë vendim, duke shënuar “Jo” në pyetjen nëse ka qenë i dënuar më parë jashtë shtetit, Prokuroria e Përgjithshme  i dërgon Komisionit të Zgjedhjeve, vendimin nr. 3286/23-6-1999 të Gjykatës së Janinës, ku theksohet se Hajdari është dënuar me 4  muaj, të cilat i janë konvertuar me gjobë 1500 dhrahmi si dhe është urdhëruar dëbimi i tij i menjëhershëm nga shteti grek.  

“Në aktet e administruara dhe konkretisht referuar vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë rezulton se në prani të të pandehurve, Kreshnik Hajdari i biri i Riza dhe Halime, i lindur me 29.7.1982 në Berat, Shqipëri, punëtor, gjykata shpall faktor secilin nga personat madhor të përgjegjshëm penalisht dhe shkaktar secilin nga personat e mitur për shkeljet: Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse.

Veprimet u konstatuan në Despotike të Prefekturës së Janinës me 23 qershor 1999, konverton dënimin me gjobë dhe përcakton shumën e konvertimit për çdo ditë burgim me 1500 dhrahmi; urdhëron dëbimin e të gjithë të pandehurve madhore të dënuar më burg.”

Në shkresën zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme atashohen edhe të gjitha  shkresat me kthim përgjigje nga instancat e drejtësisë shqiptare, drejtorive të policive dhe gjendjes civile lidhur me gjeneralitetet e Kreshnik Hajdarit.  

Ndërkohë  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se do të mblidhet nesër, ku do të dalë me një për shqyrtimin e  rezultatit të verifikimit për Kreshnik Hajdarin.   Në këtë mbledhje, pritet të ketë një qëndrim mbi lejimin ose jo të ushtrimit të detyrës nga Hajdari.

Vetë kryebashkiaku socialist, në përgjigje ndaj akuzave, ka deklaruar më herët se nuk ka pasur dijeni, por shton se edhe sikur të ketë pasur, nuk do të përbënte pengesë për të kandiduar, pasi është çështje administrative dhe nuk përbën element të deklarimit të detyrueshëm.

Por kjo hidhet poshtë së pari nga KQZ, i cili në njoftimin e mbledhjes bën me dije se Kreshnik Hajdari ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit për dënimin e tij. Por çfarë parashikon ligji dhe precedentët e mëhershëm të shkarkimit të të paktën dy kryebashkiakëve më herët?

Neni 190 për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve në, në paragrafin një dhe dy të tij, thekson:  

“Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organe shtetërore, dënohet me burg nga gjashtë muaj deri në katër vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga 6 muaj deri në pesë vjet”.

 Sa i përket precedentëve, janë të paktën 3 të ngjashme, përkatësisht shkarkimi i ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshit; dorëheqja e imponuar e të sapozgjedhurit në Shkodër, Valdrin Pjetrit dhe dënimi i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailajt në Shkallën e Parë Antikorrupsion.

Ndërkohë Hajdari është në hetim edhe nga SPAK për çështjetn e ndërtimit të ujësjellësit në Sinec.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco