Rikthimi i bujshëm: David Cameron bëhet Sekretar i Jashtëm i Britanisë

Rikthimi i bujshëm: David Cameron bëhet Sekretar i Jashtëm i Britanisë

11:05, 13/11/2023
A+ Aa A-

David Cameron do jetë Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe. Ish-kryeministri britanik rikthehet duke marrë kështu një post të lartë në qeverinë e Rishi Sunak.

Cameron do zëvendësojë James Cleverly, i cili zuri vendin e Suella Braverman si Sekretare e Brendshme.

Braverman u shkarkua nga detyra për shkak të përplasjeve të vazhdueshme që kishte me kryeministrin Sunak. Një figurë e lartë brenda konservatorëve, Braverman kishte kritikuar qasjen e policisë ndaj protestave pro-Palestinës.

Ajo kishte shkruar një artikull në gazetën ‘Times’, por kryeministria kishte kërkuar që ajo të bënte ndryshime në tekst. Braverman e injoroi këtë kërkesë. Ajo nuk ka reaguar zyrtarisht, por tha për mediat se do të flasë në kohën e duhur.

Lëvizja shokuese për riorganizimin e kabinetit nga kryeministri Rishi Sunak, e sheh Cameron sërish në politikën aktive, pasi kishte dhënë dorëheqjen si kryeministër në vitin 2016.

Ashtu siç kishte premtuar pas referendumit të Brexit, ku kauza e tij për të mbajtur Britaninë e Madhe në Europë humbi, Cameron u largua nga politika pasi dha dorëheqjen edhe si deputet nën qeverinë e Theresa May.

Ish-kryeministri u pa duke hyrë në 'Downing Street' mëngjesin e sotëm, pasi pak më herët ka marrë titullin Baron i Përjetshëm nga Mbreti Charles III.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco