Ndahen çmimet për gazetarinë ekonomike, fitues është gazetari i SYRI TV, Julian Hoxhaj

14:50, 11/11/2023
A+ Aa A-

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndau çmimet për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”  për gazetarin më të mirë të ekonomisë të vitit. Julian Hoxha, gazetari i SYRI TV, fitoi çmimin e gazetarit me investigimin më të mirë në fushën e ekonomisë, i cili lidhet me abuzimin e fondeve IPARD. Ndërkohë, fitues u shpallën edhe gazetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksander Çipa, vlerësuan kontributin e gazetarëve në shoqëri dhe shprehen mbështetjen e tyre.

Nga SYRI TV

U zhvillua edicioni i 15-të i ndarjes së çmimeve për konkursin “Vangjush Gambeta” për gazetarin më të mirë të ekonomisë të vitit.

Konkursi i organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në prani të Presidentit të Republikës, përfaqësuesve të selive diplomatike, medias dhe biznesit, vlerësoi katër gazetarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia për artikuj dhe kronika televizive në fushën e ekonomisë.

Gazetari dhe redaktori i SYRI TV, Julian Hoxhaj, u përzgjodh si gazetari me investigimin më të mirë në fushën e ekonomisë, i cili lidhet me abuzimin e fondeve të IPARD.

Ky investigim, i publikuar në INA Media, i parapriu hetimeve të Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, OLAF, e cila vendosi të pezullojë fondet e IPARD për Shqipërinë.

Gjithashtu, në fushën e ekonomisë me çmimin “Vangjush Gambeta” u vlerësua edhe gazetarja e “Top Channel” Entela Resulaj si dhe gazetarët Zenel Miftari nga Maqedonia e Veriut dhe Sanije Isufi.

Gjatë ceremonisë, u ndanë edhe çmime mirënjohje si gazetari i vitit që shkoi për gazetarin e Euronews Albania, Thimi Samarxhi si dhe çmimi Reporteri i Vitit për gazetarin Osman Stafa.

Gjithashtu u ndanë edhe çmime karriere, ku u vlerësua gazetari i Zërit të Amerikës, Elez Biberaj si dhe gazetari nga Kosova, Agustin Paloka.

Çmimi “Ismet Bellova” për gazetarinë sportive, iu dha pas vdekjes gazetarit nga Kosova, Milaim Krasniqi.

Ceremoninë e përshëndeti Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili vlerësoi kontributin e gazetarëve në shoqëri dhe kërkoi t’i jepet fund dhunës apo intimidimit të gazetarëve.

Presidenti i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa gjithashtu vlerësoi punën e gazetarëve, duke u shprehur se kjo organizatë do të jetë gjithmonë në mbështetje të tyre.

Ky ishte edicioni i 15-të i ndarjes së çmimeve që mban emrin e themeluesit të gazetarisë ekonomike në Shqipëri, Vangjush Gambeta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco