Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ A po e shet Rama Veliajn?

Inceneratori në kolaps: 'Sharra nuk ka më vend për plehrat'

Inceneratori në kolaps: 'Sharra nuk ka më vend për plehrat'

09:42, 11/11/2023
A+ Aa A-

 

Pak ditë më parë në tryezën e kryeministrit dhe disa ministrive mbërriti një shkresë urgjente nga shoqëria Integrated Energy BV shpk, tashmë nën administrim shtetëror. Objekti i shkresës ishte problematika urgjente e kapacitetit për menaxhimin e mbetjeve urbane.

“Që nga momenti që Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara ka marrë në administrim shoqërinë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k., ka konstatuar se Zona e Trajtimit të Mbetjeve ndodhet në limitet e kapacitetit për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane,” thuhet në shkresë, shkruan Kapitali.al.

Nga firmosja e koncesionit të inceneratorit, mbetjet e Tiranës janë depozituar në landfillin e miratuar me lejen përkatëse të KKT-së në vitin 2019. Ky landfill ka një kapacitet total prej 420 mijë metër kub mbetjesh dhe ishte parashikuar të përballonte plotësisht kërkesën deri në ndërtimin e inceneratorit, i cili më pas do të kryente djegien e mbetjeve. Por inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë dhe mbetjet u bënë kapicë në landfill.

Alarmi pas sekuestrimit

Një javë pasi mori nën administrim shoqërinë Integrated Energy, në gusht të këtij viti, Agjencia e Pasurive të Sekuestruara njoftoi zyrtarisht ministrinë e Infrastrukturës si autoritet kontraktues se landfilli ekzistues kishte vetëm 60 ditë kalendarike kapacitet për akomodimin e mbetjeve.

Për shkak të këtij ngërçi urgjent, Agjencia i kërkoi ministrisë që të ndërhyjë urgjent për të miratuar ndryshimin e destinacionit të landfillit që ishte përcaktuar për mbetjet e rrezikshme duke e kthyer atë në qelizë shtesë për depozitimin e mbetjeve të ngurta urbane. Por 60 ditët kaluan dhe ministria e Infrastrukturës nuk ndërhyri.

“Shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k., gjendur në një situatë tejet të vështirë për menaxhimin e mbetjeve, ka gjetur një zgjidhje të përkohshme për vijimin e depozitimi te mbetjeve në një zonë të venddepozitimit ekzistues,” thuhet në shkresë. Por kjo zgjidhje është e përkohshme dhe shton më pak se 3 muaj jetë për landfillin.

Ndaj shoqëria kërkon nga ministria e Energjisë dhe Këshilli Kombëtar i Territorit që të ndryshojnë destinacionin e landfillit që ishte përcaktuar për mbetjet e rrezikshme duke e kthyer atë në qelizë shtesë për depozitimin e mbetjeve të ngurta urbane.

Koncesioni i inceneratorit të Tiranës, që dikur kryeministri e quajti krenari, vazhdon të shpërfaqë problemet e lëna pas nga afera korruptive. Teksa kapaciteti i landfillit është ezauruar plotësisht, tashmë shteti do të duhet të shpenzojë miliona euro të tjera për të krijuar hapësira të reja për depozitimin e mbetjeve urbane.

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco