SYRI TV/ Thellohet afera e inceneratorit të Elbasanit, ERRE i heq licensën e prodhimit të energjisë

13:10, 02/11/2023
A+ Aa A-

Merr goditjen përfundimtare afera 28 milionë euro e inceneratorit të Elbasanit, pasi Bordi i Entit Rrregullator të Energjisë Elektrike ka pezulluar licensën e prodhimit të energjisë elektrike për inceneratorin e Elbasanit. ERRE, ndonëse nuk jep shumë detaje, lë të kuptohet se vendimarrja lidhet me faktin se inceneratori i Elbasanit nuk prodhon energji elektrike.

Syri Televizion ka arritur të faktojë se gjatë dy viteve të fundit, inceneratori nuk ka prodhuar energji elektrike. Vetë bashkia Elbasan, që ka shumicën e aksioneve në kompaninë ECO-ELB deklaronte pak muaj më parë, se për gati një vit, inceneratori ishte në remont dhe jashtë funksionit.

Nga SYRI TV

Enti Rregullator i Energjisë i ka vënë vulën përfundimtare aferës prej 28 milionë euro me inceneratorin e Elbasanit. Në datën 30 tetor, Bordi i Entit Rregullator të Energjisë ka vendosur të pezullojë vendimin për rinovimin e licencës së shoqërisë “Eco-Elb” në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike.

Prej dy vjetësh, kompania shtetërore e krijuar nga shtatë bashkitë e qarkut të Elbasanit, ECO-ELB sha, ka marrë në administrim inceneratorin e Elbasanit. Kompania ECO-ELB sha paraqiti në fillim të muajit tetor, kërkesën për rinovim të licencës për prodhimin e energjisë nga inceneratori, të cilin e ka marrë me qira nga Agjencia  e Pronave të Sekuestruara.

Sipas kërkesës së paraqitur, ERRE konfirmonte se ECO-ELB sha plotësonte kriteret për të kërkuar rinovimin e licencës, duke e kaluar këtë kërkesë për miratim. Por në mbledhjen e datës 30 tetor, bordi i ERRE-s ka vendosur të mos miratojë kërkesën e ECO-ELB sha, për prodhimin e Energjisë Elektrike, duke mos dhënë më shumë detaje për këtë vendimmarrje.

Megjithatë, arsyet e këtij vendimi duket se lidhen me dështimin e inceneratorit të Elbasanit në prodhimin e energjisë elektrike. Vetë Enti Rregullator i Energjisë ka treguar në raportet vjetore, se ky incenerator nuk ka prodhuar energji rregullisht. Madje, për vitin 2022, ERRE raportonte se inceneratori i Elbasanit ka prodhuar rreth 6700 megavatorë energji elektrike vetëm gjatë muajit gusht. Por teksa ERRE raportonte këtë shifër, vetëm bashkia Elbasanit, si institucioni me pjesën kryesore të aksioneve në kompaninë ECO-ELB që administron inceneratorin, raportonte se ky impiant nuk ka qenë funksional nga muaji qershor i vitit 2022 deri në muajin maj të vitit 2023. Madje, Syri Televizion ka arritur të verifikojë zyrtarisht, se impiantin i prodhimit të energjisë në inceneratorin e Elbasanit, gjatë dy viteve të fundit ka prodhuar një sasi minimale energjie. Dhe duket se mungesa e prodhimit të energjisë në impiantin e inceneratorit të Elbasanit, është një nga arsyet e vendimarrjes së ERRE-s për të pezulluar licencën ndaj kompanisë ECO-ELB.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco