Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ A po e shet Rama Veliajn?

Kosovë/ Njësitë speciale policore kërkojnë rritjen e shtesave për rrezikshmëri

Kosovë/ Njësitë speciale policore kërkojnë rritjen e shtesave për rrezikshmëri

12:48, 01/11/2023
A+ Aa A-

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës njoftoi për shtesat për rrezikshmërinë në punë, të ndarë në shtatë kategori.

Një përfaqësues i këtyre njësive elite policore tha se kërkesat e tyre janë: kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të përcaktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Ai shtoi se shpreson që përfaqësuesit e këtyre njësive të takohen shpejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe që Qeveria të marrë për bazë kërkesat e tyre.

Këto dy njësi po ashtu u shprehën të pakënaqura që nuk janë përfshirë në shtesa të tjera.

Pjesëtarët e këtyre njësive policore janë të certifikuar për luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve, si dhe në rastet kur cenohet siguria kombëtare, “përkatësisht janë të specializuar për trajtimin e kërcënimeve me eksplozivë dhe bomba”, tha përfaqësuesi i protestuesve.

Ai tha se këto njësi intervenojnë në situata ku rrezikshmëria vlerësohet të jetë ekstreme.

“Gjithashtu, këto dy njësi në kryerjen e detyrave të tyre gjithmonë kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë, ku ndër vite kanë realizuar me sukses operacione të shumta policore, sidomos në pjesën më të ndjeshme të vendit duke mbrojtur vazhdimisht integritetin dhe sovranitetin shtetëror”, tha përfaqësuesi i protestuesve, të cilët ishin të gjithë me maska në fytyrë.

Protestuesit thanë se pakënaqësitë e tyre datojnë për më shumë se një dekadë.

“Fillimisht, arsyet e mospërmbushjes së kërkesave tona kanë qenë mungesa e Ligjit të pagave. Mirëpo, edhe nëntë muaj pas miratimit të këtij ligji, nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesa e veçantë që e kemi gëzuar nga viti 2010, u ndalua e tëra”.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh. Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

Pagat e policëve të Kosovës nisin nga 210 euro në muaj për kadetët policorë dhe arrijnë në mbi 1.500 euro në muaj për drejtorin e përgjithshëm.

Policia e Kosovës është formuar 24 vjet më parë dhe numëron mbi 9.000 pjesëtarë me grada të ndryshme.

Ata nuk kanë as sigurim shëndetësor, as jetësor./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco