Tani është koha për betejë pa kthim, e cila kërkon sakrifica nga çdo demokrat

Tani është koha për betejë pa kthim, e cila kërkon sakrifica nga çdo demokrat

09:16, 26/10/2023
A+ Aa A-

Fjala e kryetarit demokrat, Sali Berisha në mbledhjen e kryesisë së PD

E thirrëm këtë mbledhje për të diskutuar mbi një situatë sa recente, aq edhe të kahershme.

Për të diskutuar një gjendje të opozitës shqiptare, e cila pas daljes së saj jashtë kontrollit të Edi Ramës, ose për mbajtjen e saj nën kontrollin e tij, u nis një betejë më e egra, më e turpshmja, më antidemokratikja, por edhe antikombëtare, ndaj opozitës. Për ta patur atë në kontrollin e plotë të qeverisë.

Mirëpo falë idealeve demokratike të qytetarëve shqiptarë, guximit të tyre, vendosmërisë për t’i mbrojtur ato ideale, që në fakt synon shkatërrimin e kombit shqiptar, ose krijimin e kombit të dëshpërimit në këtë truall, më i pasuri në begati dhe pasuri natyrore se çdo truall tjetër.

Rrëzimi i opozitës është rrënimi i kombit. Asnjë pushtim në Shqipëri dhe as në trojet shqiptare kudo që janë, as në Kosovë, në një hark kohor 8-vjeçar, nuk ka larguar nga trojet shqiptare, nuk ka deportuar, nuk ka internuar 35 përqind të kombit, siç ka ndodhur me kombin shqiptar që jeton në Shqipëri.

Në Shqipëri, opozita është një armike e egër, e papajtueshme njësoj si në ideologjinë e etërve të tij. Ndaj saj mund të ndërmerret çdo masë, çdo vendim, çdo qëndrim. E vërteta është se regjimi humbi kontrollin mbi opozitën, kjo ishte vetëm njëra anë se ai mbajti kontrollin mbi shoqërinë. Dhe kontrolli mbi shoqërinë i regjimit, në një mënyrë apo një tjetër, përsëri e bën opozitën një institucion pa të ardhme.

Kur misioni i saj kryesor është alternanca e pushtetit, me aktet, me kontrollin policor të vullnetit të qytetarëve, Edi Rama de facto garanton në ‘perpetua mobile’, pushtetin e tij. Përjashton alternancën dhe rotacionin.

Por, Edi Rama nuk mjaftohet vetëm me kaq. Ai në traditën më të egër të etërve të tij, nuk mund të pranojë hapësirën as për atë pjesë të opozitës që vjen në parlament dhe që përfaqëson rreth 600 mijë shqiptarë që në kutitë e votimit, hodhën votën kundër tij. Në këtë kontekst, kurrë ndonjëherë, kurrë, nuk ka ekzistuar një opozitë parlamentare e bllokuar si opozita parlamentare e Shqipërisë. Një opozitë e cila, si një armike, nuk i jepen dokumentet nga ministritë dhe agjencitë për të përmbushur detyrimet e saj. Një opozitë, të cilës u shkelmohet e drejta kushtetuese për të ngritur komisione hetimore. Një opozitë, e cila nuk mund të thërrasë në komisione ministrat për të kërkuar llogari dhe përgjegjësi atyre për keqqeverisjen ekstreme. Një opozitë, e cila harton ligje në përputhje me detyrimin e saj kushtetues, me garancitë kushtetuese, harton amendamente, harton rezoluta, i dorëzon në parlament dhe Edi Rama i ndryn ato në sirtarin e parlamentit.

Ai mendoi se tani këta u ambientuan me këtë situatë. Ai mendon se këtyre që u grabita votën, këtyre që u mora vulën, siglën, u bëra çfarë desha, këta tani janë një grup llafazanësh të cilët flasin, po le të flasin. Po në parlament ata nuk mund të kenë asnjë aktivitet real përveç asaj të foltores.

Mendoj se mbledhja e grupit parlamentar i dha përgjigjen më të shkëlqyer kësaj situate. Deputetët vendosën të fillojnë vetë betejën. Ta fillojnë në parlament, aty ky shkelmimi i përfaqësimit të interesave të qytetarëve shqiptarë është në shkallë esktreme.

Dhe, sot janë 600 mijë qytetarë, të cilët ndjekin me shqetësim shumë të madh këto zhvillime. Por ama, përsëri shpresa e vetme e tyre jemi ne.

Pasi Edi Rama e pa që nuk ka më biznes si zakonisht, pasi e kuptoi se kjo betejë është pa kthim, në një akt unik në historinë e botës, jo në diktaturat komuniste, ai vendos t’i kufizojë lëvizjen pa parlament, kryetarit të opozitës.

E pa që me të gjithë atë setapin e vendimeve të qeverisë së tij dhe vendimeve ndërkombëtare që ai mbetej i vendosur në bindjen dhe idealet e tij, atëherë zgjodhi rrugën tjetër, mendoi se do i hapë një goditje të re opozitës, me një proces politik të shekullit.

Pse unë e quaj këtë një proces politik të shekullit? Edhe Putini ka dënuar opozitarë. Edhe Lukashenko dënon opozitarë. Po ky jo, prisni, është ndryshe. Këtu Edi Rama me dy-tre larot e tij, merr përsipër të bëjë gjyqin e reformave që transformuan këtë vend.

Kurrë Shqipëria nuk ka njohur ndonjëherë reforma më transformuese si ato të vitit 2005-2009.

Të gjithë ju që keni pasur mundësi të lexoni dacibaon e Edi Ramës, konstatoni se ajo është e denjë absolutisht vetëm për zyrat e Sigurimit të Shtetit, të gjykatave të popullit të diktaturës, ose të zyrave të Gestapos.

Jashtë çdo lloj imagjinate, që të shkruhen qindra faqe për të përdorur reformat për të akuzuar armikun. Reformat nga të cilat kanë përfituar qindra-mijëra shqiptarë. Qindra-mijëra shqiptarë!

Në një akt me të cilin, dëshmon fytyrën e tij të vërtetë. Por, që unë kam besim që motivon sot më shumë se kurrë çdo demokrat. 

Nuk është këtu çështje e sulmit ndaj Sali Berishës, çështja themelore është se Edi Rama me dy-tre vrasës me pagesë të reformave, kërkon t’i përdorë ato kundër autorit të tyre. Të gjitha janë vendime kolektive, të gjitha ligje parlamenti. Kërkon të nxjerrë jashtë funksionit, të delegjitimojë parlamentin si ligjvënës. Qeverinë si ligjzbatuese dhe hartuese ligjesh dhe vendime.

Dhe të krijojë këtu sundimin e tij me 4-5 vrasës të ligjeve, të Kushtetutës, të demokracisë. Kurrë nuk ka ekzistuar nga viti 1946 një histori e tillë. Them nga 46-a se ishte histori pluralizmi. Ata që u pushkatuan ishin burra viganë që e dinin se çfarë i priste dhe vendosën të dalin kundër.

Ndaj, kjo situatë është një kushtrim për një mobilizim total të të gjithë atyre që janë të gatshëm të luftojnë një regjim të tillë.

Është një kushtrim për një mobilizim të plotë dhe total të të gjithë atyre që besojnë se demokracia në Shqipëri duhet të ndërtohet me ideale dhe jo me botën e korrupsionit dhe krimit.

Është një kushtrim për të gjithë ata që duan t’i dalin zot vullnetit të tyre, që të mos përdoren si kavie në ditën e votimit, siç jemi përdorur 46 vite nga diktatura.

Është një kushtrim për çdo shqiptar, duhet të kujtohet të zgjedhë mes Shqipërisë apo apatisë? Të zgjedhë mes kombit dhe flamurit, apo nënshtrimit dhe poshtërimit?

Çfarë synohet me këtë? Një komb pa opozitë është një komb pa shpirt. Një komb që nuk e meriton të quhet komb.

Lidhur me këtë, kujtoni vetëm qëndrimin e tij ndaj Kosovës. Po i shkopisim nga konteksti i demokracisë shqiptare.

Ka 8 vite me egërsinë më të madhe përdor pushtetin e shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ne nuk jemi apatridë, jemi burra dhe gra që e duam këtë vend. Sa janë ata që e duan? Unë them se janë shumë. Ne nuk mund të pajtohemi më me këtë situatë. Nuk mund të pajtohemi me një Vuçiç të dytë në Tiranë. Nuk mund të pajtohemi me një Pashiq të dytë në Tiranë.

Ne jemi parti e interesit kombëtar. Përndryshe më mirë të mos jemi. Në momentin që nuk do jemi dalëzotës të interesit të kombit, më mirë të mos ekzistojmë. Kjo është historia, ditën e themelimit të saj, shkruhet se PD do jetë parti e interesit kombëtar. Sepse Partia e Punës kishte qenë për 46 vite, parti kundër interesit kombëtar. Kishte shkelmuar me akte, me traktate, me marrëveshja, me çdo gjë interesat, gjer në sovranitetin e Shqipërisë, që donte të në bashkonte me Jugosllavinë.

Kurse sot jetojmë në një kohë kur vendi fqinj vëlla, apo motër të themi se janë 90 e ca përqind shqiptarë, sulmohet nga Tirana zyrtare me egërsinë më të madhe. Nuk mund ta pranojmë kurrë këtë. Ne bëmë një protestë dhe bëmë shumë mirë, kundër projektit të Vuçiç dhe Lavrov të Ballkanit të Hapur. E mbushëm sheshin. Ai projekt, falë BE u gropos.

Të gjitha këto po ndodhin para syve tonë.

Tani është koha për betejë!

Tani është koha të ngrihemi!

Tani është koha që cilido që mendon dhe beson se duhet të luftojë për demokracinë në këtë vend, për dinjitetin në këtë vend, se pa demokraci nuk ka dinjitet. Kurrë!

Ne duhet të ngrihemi!

Ne nuk mund të pranojmë… ne e nisëm këtë, askush të mos e lidhë më këtë që ndodhi. Kjo që ndodhi është dëshmi e radhës e atyre faktorëve që na detyruan të shpallim betejën pa kthim.

Beteja pa kthim duhet të organizohet.

Beteja pa kthim kërkon sakrifica nga çdo demokrat.

Unë jam i bindur se problemet me të cilat përballen demokratët, janë shumë të dhimbshme, janë shumë të thella, janë shumë të mëdha.

Por zgjidhje tjetër nuk ka përveç mobilizimit, përveç ngritjes në këmbë, përveç betejës!

Përndryshe, sa më shumë të zvarritet, aq më e thellë bëhet kriza. Aq më dëshpëruese bëhet situata.

Ndaj dhe mesazhi im është ky sot: mesazhi im është të bëjmë gjithçka, të shpërndahemi në mbarë vendin në një dialog, në një emergjencë. Thashë edhe njëherë ky është kapitulli i fundit dhe këta nuk kanë fund fare se ky nuk ndalet në betejën e asgjësimit të opozitës.

Por edhe opozita nuk do ndalet kurrë në rezistencën e saj me të gjitha format për të mbrojtur demokracinë dhe interesin kombëtar.

Nuk ndodh kurrë në botë që të përdoret një samit kundër gjysmës tjetër të kombit. Që të përdoret një vizitë shtetërore për të kërkuar anulimin e vizave për gjysmën tjetër të kombit.

Nuk ka kurrë tradhtar të tillë që i lejojnë vetes qëndrime të tilla si Edi Rama.

Ne nuk mund të rrimë më duarkryq. Kjo situatë kërkon përgjigje, besoj se biem dakord.

Ndaj të shpërndahemi në një takim me bazën tonë, me këtë thirrje: Ne duhet të fillojmë betejën, parlamentarët e kanë filluar betejën. Ata do qëndrojnë në parlament, nuk e braktisin parlamentin, por do qëndrojnë aty gjer në rikthimin e të drejtave të plota të tyre.

Kurse PD do qëndrojë gjersa shqiptarët të votojnë të lirë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco