VIDEO/ Tedi Blushi: SPAK të nisë hetimet për pastrimin e parave në kullat e Tiranës!

VIDEO/ Tedi Blushi: SPAK të nisë hetimet për pastrimin e parave në kullat e Tiranës!

14:22, 20/10/2023
A+ Aa A-

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një dalje për mediat ka kërkuar nga  SPAK që të nisë hetimet për pastrimin e parave në kullat e Tiranës.

“Nisur nga dyshimi i arsyeshëm i korrupsionit me lejet e ndërtimit dhe i pastrimit të parave në këto kulla, nga kundërshtimi i bazuar i shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës, nga paralajmërimet serioze të institucioneve të specializuara, kjo vendimarrje skandaloze e dyshes Rama-Veliaj meriton t’i nënshtrohet pa vonesë një hetimi të thelluar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit”, us hpreh Blushi në deklaratën e tij.

Deklarata e plotë:

Dhënia e lejeve për ndërtimin e 12 kullave të reja në Tiranë, në fshehtësi dhe në mungesë të plotë të transparencës nga Këshilli Kombëtar i Territorit, është vijim i një krimi dhe gjenocidi kulturor ndaj identitetit të Kryeqytetit tonë, në funksion të pastrimit të parave të pista të korrupsionit, të krimit të organizuar dhe të babëzisë së shfrenuar të Edi Ramës dhe Erion Veliajt për pasurim personal në kurriz të Tiranës dhe të vetë shëndetit të qytetarëve të saj.

Plot 320 kate mbi tokë dhe 44 kate nën tokë do të shtohen në kryeqytet me ndërtimin e këtyre kullave, në shkelje të plotë të Kushtetutës, të ligjit për konsultimin publik që i detyron në këtë rast institucionet shtetërore të krijojnë mundësinë dhe hapësirën për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe të të gjitha palëve të interesuara në këtë proces, në shkelje të çdo parimi për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike dhe kulturore.

Nisur nga dyshimi i arsyeshëm i korrupsionit me lejet e ndërtimit dhe i pastrimit të parave në këto kulla, nga kundërshtimi i bazuar i shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës, nga paralajmërimet serioze të institucioneve të specializuara, kjo vendimarrje skandaloze e dyshes Rama-Veliaj meriton t’i nënshtrohet pa vonesë një hetimi të thelluar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit.

Babëzia dhe marrëzia e shfrenuar e Edi Ramës dhe Erion Veliaj për të shkatërruar çdo hapësirë publike dhe të gjelbërt dhe për të shfarosur çdo gjurmë historike dhe kulturore të Tiranës, nuk është gjë tjetër veçse korrupsion dhe pastrim i mirëfilltë parash nëpërmjet klientëve të tyre, që njëherazi janë jo vetëm përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë dhe koncensioneve, por edhe sponsorizuesit de facto të fushatave zgjedhore të “Rilindjes”.

Tirana është kthyer sot në një lavatriçe gjigande të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit, me gati 3 milionë metër katror ndërtime, me çmimet më të shtrenjta për metër katror në Europë, që shkojnë deri në 4 mijë euro m2, dhe e faktuar tashmë edhe nga përgjimet e Antimafias Italiane si “toka e premtuar” për investime të grupeve më të rrezikshme kriminale vendase, italiane dhe jo vetëm.

Në Tiranën e klasifikuar ndër 10 qytetet më të ndotura të Europës, me numrin më të lartë të fëmijëve azmatikë dhe të të prekurve nga sëmundjet e mushkërive, në vendin ku sipas Bankës Botërore 10% e vdekjeve shkaktohen nga ndotja e ajrit, ndërtimi i 12 monstrave të reja të betonit do të thotë më pak oksigjen, më shumë sëmundje për mushkëritë e qytetarëve, më shumë shpërfytyrim për Tiranën, që gjithmonë e më shumë po asgjësohet nga barbaria e korrupsionit dhe paligjshmërisë!

Fakti që shumë sektorë jetikë për vendin, si bujqësia, zvogëlohen dhe ndodhen në kushtet e mbijetesës, ndërsa vetëm sektori i ndërtimit pëson rritje stratosferike, është një indikator, që vërteton faktin se këto ndërtime përdoren si një mënyrë e larjes së parave të pista të grupeve kriminale, që sipas institucioneve të specializuara vetëm në Tiranë kanë investuar rreth 1.6 miliard euro në dy vite, duke e renditur jo më kot Shqipërinë në listën gri të MONEYVAL.

Partia e Lirisë kërkon nga SPAK të nisë pa vonesë hetimet për pastrimin e parave në kullat e Tiranës, për të nxjerrë të vërtetën që fshihet pas këtyre investimeve të dyshimta dhe krejt panevojshme për kryeqytetin e asfiksuar nga betoni dhe paratë e krimit të organizuar, që mbajnë në këmbë Qeverinë dhe Bashkinë më të inkriminuar dhe më të korruptuar në kontinent!

Kullat në Tiranë ndërtohen vetëm nga Edi Rama dhe Erion Veliaj! Ky është fakt!

Vetëm nëpërmjet një hetimi të thelluar dhe transparent mbi burimin e financimit të kullave në Tiranë dhe mbi vendimarrjen e dyshes Rama-Veliaj për të betonizuar çdo hapësirë publike në kryeqytet do t’i jepet një goditje në zemër korrupsionit dhe paligjshmërisë në nivelet më të larta shtetërore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco