Samit dhe fonde/ Andoni: Po me çfarë malli 'Made in Albania' përfaqësohemi në tregun e madh të BE?!'

Samit dhe fonde/ Andoni: Po me çfarë malli 'Made in Albania' përfaqësohemi në tregun e madh të BE?!'

11:07, 17/10/2023
A+ Aa A-

Përfitimet politike dhe financiare që Shqipëria pret nga Procesi i Berlinit dhe aftësitë e saj për të përmbushur reformat që ia kërkon Bashkimi Europian në këmbim, përbëjnë një çështje që është diskutuar sot në  emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.

Moderatori Flavio Qarri ka kërkuar sot mendimin e opinionistit të njohur, Ben Andoni, të cilit iu drejtua me këtë pyetje:

Z. Andoni, pas një flirti me Ballkanin e Hapur në kurriz të Procesit të Berlinit, z. Rama dukej si dikush që kishte luftuar për Procesin e Berlinit e që kështu që më në fund ëndrra iu bë realitet. A kishte diçka paradoksale tek ky entuziazëm dhe pashmangshmërisht, te shfrytëzimi për të pasur liderët europianë në Tiranë?

Andoni: Duhet të jemi të ndershëm për diçka. Samiti është historik për shqiptarët në sensin që Shqipëria logjikohet që e ka logjistikën për të bërë samite të tilla dhe, një lloj vlerësimi të them, për atë shpresën e madhe  që kanë të gjashta vendet tona,  përfshirë edhe Serbinë me problematikat e saj, të cilat besoj se do të vazhdojnë dhe me Bosnje Hercegovinën, një shtet shumë-shumë problematik.

Bashkohem me ju për pjesën e “Ballkan Open”; unë vetë personalisht në fillim e kam mirëbesuar idenë për ta ndihmuar Procesin e Berlinit. Në fakt, goditjen e parë, procesi i “Ballkan Open” ia kanë dhënë vendeve tona e ia ka dhënë Kosovës. Ju e dini që sot që ne po flasim, Kosova duhet të lëvizte pa viza në të gjashta vendet tona por kjo nuk ndodh, paradoksalisht në Bosnje Hercegovinë, thjesht prej bllokimit të Republikës Serpska ku ata  sfidojnë jo vetëm autoritetin e Procesit të Berlinit, por edhe detyrimet që ata kishin në kuadër të këtij procesi e realisht, ardhja e Samitit në Tiranë bëri që të merrte ose të shpresojë z. Scholtz për një impuls të një procesi që është në margjinat skajore.

Lajmi i mirë dje ka qenë premtimi, por ne me premtime jemi marrë vazhdimisht. Problemi i madh që ka lindur nga dje është problemi në do të kemi aftësi absorbuese të këtij fondi të jashtëzakonshëm, sipas zonjës von Der Leyen.

Kafe Shqeto: Ç’ështja është se dukej si një deklaratë tronditëse që kemi të paktën 20 vjet që e dëgjojmë - bëj reformat, merito lekët. - Ku ishte lajmi këtu? Se ajo nuk tha që këto lekë po vijnë. Tha që këto lekë do t’i marrë kushdo që bën reforma dhe gjendja e Shqipërisë, po sipas parametrave europianë, nuk është po ndodhin këto reforma. Sa afër atyre lekëve jemi?

Andoni:  Përveçse nuk po ndodhin,  Shqipëria ka treguar diçka të paktën që tashmë është në vendin e dytë pas Serbisë për t’i thithur, por akoma administrata jonë ka probleme të jashtëzakonshme dhe unë do t’ju them diçka tjetër përtej kësaj. Në të gjithë këtë proces, Shqipëria duhej të përgatitej, sot që ne të dy po flasim, duhet të përgatitej dhe të tregonte realisht - mirë që ne mund t’i marrim këto para, këto fonde, po me çfarë malli “Made in Albania” ne përfaqësohemi në këtë treg të madh?!

Tjetër. Me këto probleme të mëdha që ka bujqësia jonë, që është e parcelizuar frikshëm nga të gjitha qeveritë pas viteve ’90 dhe bujqësia tek ne zë akoma 45%. Më falni,  si do ta përballojmë këtë treg të madh?!

Ndërkohë që ekziston frika tjetër e madhe që ju e thoni me të drejtë, pas premtimeve, që në qoftë se vendet tona do të arrijnë të kalojnë këtë cak të madh, cakun e krijimit të një tregu të përbashkët, nuk është çudi që vendet e BE të na lënë të merremi me këtë treg. Pse?! Sepse e gjithë ajo që ne prodhojmë në të gjithë rajonin është më pak se 1% e GDP evropiane. E kuptoni tani diferencën?!

Prandaj ju e ngrini shqetësimin me të drejtë që pas kësaj zhurme të madhe, pas këtyre premtimeve, pas cakut të vitit 2030 ku znj. von Der Leyen dhe të tjerë thonë po mirë, duhet të bëni detyrat dhe këto detyra, ju e dini për t’i bërë Shqipëria ... Dje kam dëgjuar dy analiza interesante, të znj. Bregu dhe të ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, një studiuese e marrëdhënieve ndërkombëtare që thoshte se Shqipërisë do t’i duhen, me këtë ritëm që i kërkohen, mbi 100 vjet për t’i bërë këto reforma!

Po kush është kaq optimist në ditët tona me goditjet që po merr BE-ja që të presim që kjo të ndodhë pas kaq shumë vitesh dhe ne kemi parë para disa ditësh, qëndrimet aspak unifikime të BE-së për sa i përket luftës që po ndodh në Lindjen e Mesme: thotë ndryshe z. Varhelyi; thotë ndryshe znj. von Der Leyen; thotë ndryshe Presidenti i Këshillit Evropian, Michel. Prandaj Samiti i Tiranës, përveç pjesës së formës, në mendimin tim u bë shumë mirë; kuptohet që protagonizmi i z. Rama dhe kulti i z. Rama nuk mungon asnjëherë, domethënë ai eklipsoi çdo gjë të pjesës tjetër ...”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në videon e SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco