Çfarë është procesi ‘screening’ dhe pse Rama nuk e çeli gojën kur Von der Leyen e përmendi si kusht?

Çfarë është procesi ‘screening’ dhe pse Rama nuk e çeli gojën kur Von der Leyen e përmendi si kusht?

19:36, 15/10/2023
A+ Aa A-

Procesi screening konsiston në një lloj ekzaminimi të hollësishëm që ndërmerret si fazë përgatitore e negociatave për anëtarësim. Ai është vlerësimi analitik i harmonizimit të legjislacionit të vendit kandidat (në këtë rast të legjislacionit shqiptar) me legjislacionin e BE-së, ku qartësohen dhe dallimet midis legjislacionit shqiptar dhe acquis së BE-së për secilin kapitull, dhe kërkesa për harmonizime të mëtejshme deri në harmonizimin e plotë të kuadrit ligjor. Ai është një proces i domosdoshëm, pasi formon bazën e negociatave dypalëshe midis Bashkimit Europian dhe vendit kandidat.

Ky proces  është përcaktues dhe vendimtar për përparimin që duhet të bëjë vendi kandidat.

Në korrik të këtij viti Komisioni Europian ka publikuar raportin e procesit screening për Shqipërinë, një vit pas hapjes së negociatave.

Qeveria Rama ka marrë kritika të forta nga KE për këtë çëshjte dhe kjo ishte edhe kryefjala e Presidentes Ursula Von der Leyen sot në konferencë më Ramën.

Që të merrni fonde dhe të vazhdojë procesi i integrimit duhet të bëni reforma, u shpreh prerë Von der Leyen.

Për çfarë e ka fjalën Presidentja e KE kur thotë të bëni reforma, ndërkohë që Rama ka dhjetë vjet që flet vetëm për reforma-reforma-reforma?

Fjala është për ligjet që BE-ja i ka kundërshtuar dhe qeveria Rama nuk ka pyetur, por ka vijuar me kokëfortësi t’i bëjë.

Çfarë deklaroi Rama në konferencë:

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka deklaruar se në fokus të diskutimeve ka qenë integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Rama u shpreh falenderues për fjalët e mira të dëgjuara (ato që kryeministri ka dash të dëgjonte)  nga Ursula von der Leyen lidhur me këtë process.

“Presidentja na informoi për ecurinë e procesit të screening në kuadër të integrimit, po e them me këtë term se ende nuk jam informuar si është kjo fjalë në shqip. Është diagniozë e thelluar e të gjithë situatës në të gjithë sektorët e vendit. Më vjen mirë që nga presidentja dëgjuam fjalë të mira për këtë proces dhe për çfarë Shqipëria ka bërë. Megjithatë presidentja nuk është personi që thotë vetëm fjalë të mira, çka e bën të rëndësishme fjalën e mirë. Kemi folur për situatën në rajon për ecurinë e përbashkët të të gjithë rajonit”, tha Rama.

Një vit pas hapjes së negociatave Shqipëri-Bashkimi Evropian dhe përfundimit të raundit të parë të takimeve, Komisioni Evropian publikoi në korrik të këtij viti raportin ‘screening’ për vendin tonë. Në raport është evidentuar rrugëtimi Shqipërisë drejt BE-së dhe problematikat kryesore në vend.

“Kuadri legjislativ dhe institucional i Shqipërisë duhet të konsolidohet dhe të thellohet më tej në zbatimin e reformës, kornizën ligjore dhe institucionale, veçanërisht duke siguruar bashkëpunim efektiv ndërmjet institucioneve të drejtësisë. Shqipëria duhet të rrisë koherencën e kuadrit ligjor dhe institucional për parandalimin e korrupsioni dhe integriteti i zyrtarëve publikë, i cili është gjithëpërfshirës, por tepër kompleks, në veçanti si për zyrtarët e lartë.’’- shkruhej në raport.

Vetëm 1 muaj pas publikimit të raportit, Bashkimi Europian ndaloi fondet IPARD që jep për bujqësinë shqiptare, për shkak të korrupsionit të zyrtartëve që janë marrë me menaxhimin e tyre. Ende sot nuk ka asnjë njeri të proceduar nga drejtësia shqiptare për këtë çështje.

Një vëmendje e veçantë në raport i kushtohej miratimit të projektligji për kultivimin e kanabsiit mjekësor.

“Është e rëndësishme të sigurohet që janë vendosur mekanizmat për të parandaluar në mënyrë efektive devijimin e këtij kanabisi tregjet e paligjshme.’’- shkruhej në raport.

Pa marrë parasysh sugjerimet, qeveria Rama miratoi me ngut ligjin për kanabisin.

Raporti screening i Komisionit Evropian, ka paraqitur rekomandimet për hapat pasardhës që duhen ndërmarrë në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim. Ndërkohë që në një kapitull më vetë ka edhe vlerësime dhe rekomandime për proceset zgjedhore.

Në raport evidentohej qëndrimi kundër amnistisë fiskale dhe pasaportave të arta.

Të dyja këto kushte të BE-së Rama ka deklaruar disa herë se nuk do t’i plotësojë dhe do të bëjë edhe amnistinë dhe pasaportat e arta.

Këto dhe shumë të tjera ishin kërkesat e Von der Leyen për qeverinë si kushte të BE-së, por që Rama u përpoq t’i mbysë me tallavara si mikpritja shqiptare, apo qëndrimet e Shqipërisë për luftërat nëpër botë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco