Fitorja e Kombëtares/ Berisha: Stadiumi ndëshkoi përçarësin e kombit, Edi Rama

Fitorja e Kombëtares/ Berisha: Stadiumi ndëshkoi përçarësin e kombit, Edi Rama

12:28, 13/10/2023
A+ Aa A-

Kryetari i opozitës, z. Sali Berisha, e ka nisur sot konferencën e shtypit, me ngjarjen më të re të ditës, që entuziazmoi shqiptarët në mbarë botën, fitoren e Kombëtares së Shqipërisë përballë Çekisë, fitore e vlefshme për Kampionatin Europian të Futbollit 2024.

"Nuk mund të fillohet ky takim me ju pa një urim shumë të veçantë për Kombëtaren tonë, ekipin në tërësi, golëshënuesit e mbrëmshëm - Seferin dhe Asanin, me golat e tyre fantastikë, trajnerin, i cili po e ngjit këtë skuadër, këtë ekip kombëtar në nivelet më të larta, -  tha Berisha. - Magjia e këtij trajneri është pothuaj reale. Silvinjo është shkrirë në një me psikologjinë e lojtarëve dhe krijon tek ata siguri të madhe dhe motivim të fortë.

Ndeshja në vlerësimin tim modest, ishte më e bukura e kombëtares tonë që unë kam parë ndonjëherë.

Por nuk ishte vetëm fusha, nuk ishin vetëm entuziazmi dhe ndezja flakë e fansave nën himnin e kënduar nga Shkurte Fejza, po pati momente po kaq pikante sa edhe vetë golat. Sa edhe vetë himni.

Ju e patë, aq sa ishte të themi lartësimi dhe krenaria që krijoi ekipi me lojën e tij fantastike, por aq ishte domethënia e ndëshkimit që i bënë përçarësit të kombit, i cili nxinte sterrë.

Ju jeni dëshmitarë se si rrinte si në gjemba. Si tiran, pa duartrokitur njëherë ekipin. Sepse shihte ato. Përçarësi i kombit.

Se ç’ndodhi më pas mes tij dhe Dukës, atë jeni gazetarë dhe investigojeni, por unë them se ajo ishte përgjigjja më e merituar që i dhanë një përçarësi, që edhe ditën e ndeshjes, në prag të samitit të Procesit të Berlinit, shfrytëzoi parlamentin për një fjalim koprolalik, kundër udhëheqjes politike të Kosovës, si vëllai i Vuçiçit, siç thotë ai, apo të themi Pashiqi shqipfolës apo argati i Beogradit, siç e quan PD.  

Të gjithë zhvillimet në arenën ‘Air Albania’ janë një simfoni madhështore e një suksesi, që unë e quaj të jashtëzakonshëm të ekipit kombëtar dhe fansave tanë, që janë absolutisht, janë tifozët më patriotë, më të civilizuar, më të qytetëruar, më të zjarrtë, më të përkushtuar të Europës.

Dhe nëse një ditë, dhe do jetë një ditë, që kombëtarja jonë do dalë kampionë e Europës, unë them se tifozët tanë që sot janë kampionë të Europës".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco