KAFE SHQETO/ Mediu: Kuvendi t'i kërkojë qeverisë të ndalë politikat individuale në raport me Kosovën!

KAFE SHQETO/ Mediu: Kuvendi t'i kërkojë qeverisë të ndalë politikat individuale në raport me Kosovën!

10:34, 13/10/2023
A+ Aa A-

Vërejtjet e z. Fatmir Mediu, kryetar i PR, ndaj qëndrimit të Qeverisë së Shqipërisë ndaj Kosovës, pozicionit që ka zgjedhur Kryeministri Edi Rama, nisur nga rezoluta e përbashkët që u arrit të miratohej dje në parlament për të dënuar sulmin e grupeve terroriste serbe në veri të Kosovës dhe shprehur përkrahjen për Qeverinë Kurti.

I ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, z. Mediu ndër të tjera tha: “Hapi minimal që mund të bënim ne ishte të miratonim atë rezolutë që miratoi Kuvendi i Kosovës dhe pak a shumë ajo ndodhi, por në gjykimin tim politik ne duhet të marrim një pozicion me një ton më të lartë sesa Kosova.

Kosova duhet të jetë në zërin e arsyes, sepse e tillë duhet të jetë në raportet, problemet që ka për të treguar që nuk ka një qëndrim agresiv apo subjektiv në raport me çështjen, por ka një qëndrim institucional të arsyeshëm.

Ndihmë, Kosovës, në këtë rast duhet t’i japim ne, si shqiptarë, për t’ia rritur tonin e shqetësimit dhe për ta bërë atë një problem të ndjeshëm edhe në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, por sidomos në rajon.

Ju e keni parë që ndonjëherë me zë më të fuqishëm flet Kroacia sesa flet Shqipëria për situatën në Kosovë dhe kjo është e papranueshme.

Megjithatë, dua të bëj një krahasim: serbët, në marrëveshje me rusët, në Këshillin e Europës miratuan raportin e Dick Martin, i cili ishte bazuar mbi gënjeshtra absolute, por që ka pasoja dhe konsekuenca të padikutueshme sot edhe për ata që kanë drejtuar luftën çlirimtare të Kosovës dhe janë në Gjykatën e Hagës.

Pra, ata kanë një politikë shumë më të zhdërvjellët institucionale, shumë më tepër të përgatitur për të qëlluar qëllimet e tyre, kurse ne jemi spontanë dhe e thashë edhe dje, parlamenti bën fjalë patriotike, llogje patriotike me fjalë, duke mos respektuar as historinë dhe as të tashmen.

Mënyra e vetme që të veprojë Kuvendi i Shqipërisë është t’i kërkojë njëherë e përgjithmonë kësaj qeverie që të ndalojë patrinalizmin në raport me Kosovën, të ndalojë protagonizmin në raport me Kosovën, të ndalojë politikat individuale, të pakonsultuara dhe të ketë një politikë institucionale.

Shqipëria është ndoshta i vetmi vend anëtar i NATO-s, i cili nuk ka një agjenci të sigurisë kombëtare që bën vlerësimin dhe analizën e informacioneve të inteligjencës apo të institucioneve të sigurisë, për të formësuar një qëndrim të lidershipit politik shqiptar si në nivelin parlamentar edhe në nivelin ekzekutiv.

Politikat e jashtme nuk janë çështje thjesht dhe vetëm të retorikës së një individi; nuancat pa dyshim i përcakton kryeministri apo dhe presidenti në mënyrën e qasjes, por thelbi është institucional. Në qoftë se nuk do të jetë i tillë, ne do të jemi spontan dhe pa logjikë në politikën tonë të jashtme”, theksoi z. Fatmir Mediu./ar/sh/SYRI.NET  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco