Dosja ‘buka’ dhe ‘mielli’ Rama-Veliaj

Dosja ‘buka’ dhe ‘mielli’ Rama-Veliaj

20:20, 11/10/2023
A+ Aa A-

SPAK e ka detyrë kushtetuese për të hetuar çdo zyrtar të shtetit në Republikën e Shqipërisë, por hetimi duhet të jetë mbi bazën e respektimit të ligjit dhe i pandikuar nga “mielli” që po gatuan Rama-Veliaj me regji mbi Strukturën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo e fundit, me gjasë, duke parë shqetësimin e Edi Ramës pasi Arben Ahmetaj, siç duket ka siguruar azilin në një vend perëndimor, friket se kanali i tij i komunikimit si “pentito” i bashkëqeverisjes me Ramën nga “Off” mund të bëhet “On”, ka vendosur të hetojë për çdo gjë dhe për gjithçka ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë për vite me radhë.

Alibia e Ramës se, Ahmetaj më akuzon mua dhe Veliajn për inceneratorët (në të ardhmen) pasi është vetë i akuzuar, mund të zërë vend për aq kohë sa të gjitha mediat kanë një kryeredaktor, Endri Fugën.

Akuzohet Arben Ahmetaj për miqësi me përfituesit e PPP-ve dhe nuk akuzohen Rama e Veliaj që kanë firmosur.

Hetohen të gjitha krushqitë e Ahmetajt e nuk hetohen familjarët e atyre që vetë SPAK ka dënuar për inceneratorët.

Akuzohet Ahmetaj se e ka shitur “bukën” shtrenjtë për llogari të shtetit e nuk hetohet Rama që ka falur mbi 430 milionë euro tek biznesmenët e inceneratorëve me 17 vendime qeverie brenda një dite.

Dyshimet e Edi Ramës se Arben Ahmetaj është “spiuni” i mazhorancës tek opozita për inceneratorët duket se kanë shqetësuar edhe SPAK-un. Deri tani Ahmetaj më shumë po hetohet pse ka “spiunuar” për aferën e inceneratorëve tek opozita se sa pse ka shkelur procedurat duke lejuar dhe ndihmuar, si pjesë e saj, në këtë mega-vjedhje.

Për parantezë; SPAK ka hetuar e dënuar të gjithë të “vegjlit” e aferës së inceneratorëve duke u marrë me pasuritë e tyre dhe shpërdorim detyre. Por SPAK nuk ka hetuar asnjë moment anën procedurale të aferës së shekullit. Nuk e ka hetuar jo nga padija, por nga dija e tepërt, sepse po të hetohej procedura rast pas rasti, gjurmët do ta çonin SPAK te Edi Rama, Engjëll Agaçi dhe Erion Veliaj. Përshembull: Pse SPAK nuk heton Erion Veliajn që ka dhënë leje në gusht të 2018-ë ndërkohë që vendimi i gjykatës që ka anulluar privatizimin ka dalë në nëntor 2017?

Gjithsesi një lajm i mirë është nga e gjithë kjo drejtësi me regji.

Arben Ahmetaj, mesa duket, nuk ka bërë marrëveshje me Ramën apo me SPAK për të heshtur përderisa po kërkohet të dënohet, edhe pse ka mbrojtur aksionet e shtetit siç ai pretendon për rastin e “bukës”.

Por tani, Arben Ahmetaj nuk mund ta shfajësojë më veten vetëm duke sqaruar procedura, por ai duhet të tregojë kush i ka iniciuar dhe si kanë ndodhur ato procedura, pasi ka qenë pjesë e qeverisë.

Arben Ahmetaj duhet të tregojë se pse refuzoi katër herë të firmosë për inceneratorin e Tiranës dhe kush e detyroi të firmoste në fund.

Ai duhet të tregojë se kush ishte ajo forcë madhore që firmosi 17 vendime brenda ditës.

Ka ardhur koha që Arben Ahmetaj të flasë për “miellin” e Ramës që në kohën e jeshilimit të kanabisit në gjithë Shqipërinë e deri te lulëzimi i aferës së korruptive të shekullit, djegësat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco