Aksion 'spektakolar' i policisë, kap dyqanxhiun e një fshati që cënonte Sigurinë në Shkolla

Aksion 'spektakolar' i policisë, kap dyqanxhiun e një fshati që cënonte Sigurinë në Shkolla

13:05, 03/10/2023
A+ Aa A-

Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë kthyer në një institucion qesharak.

E dështuar për t’u përballur me krimin dhe bandat që kanë zaptuar çdo skaj të vendit, Policia e Shtetit dhe Ministri Balla i bëjnë jehonë aksionit të policisë për kapjen e një dyqanxhiu në Konispol sepse tregtonte mallrat të skaduar.

Ushqime të skaduara futen çdo ditë në Shqipëri nga portet e pikat doganore. Shiten në mes të kryeqytetit e qyteteve më të mëdha të vendit dhe askujt s’i hyn gjemb në këmbe.

Kontrabanda gjithashtu është një korsi tregtie që nuk preket aspak në policia, por lëviz ditën për diell sikur të ishtë diçka legale.

Nuk është në vetvete aksioni i ndodhur në Konispol thelbi i problemit, është propaganda e shëmtuar dhe qesharake që bën ministri dhe institucioni që ai drejton. 

Për më tepër lexoni njoftimin e policisë, i cili i ngjan njoftimit sikur të ishte shkatërruar një organizatë e superstrukturuar mafioze.

 

Njoftimi i policisë

Si rezultat i kontrolleve në zbatim të Paketës për Sigurinë në shkolla, goditet një rast i shitjes së produkteve ushqimore të skaduara, brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle në Konispol.

Nga verifikimet ka rezultuar se produktet ishin të kontrabanduara dhe shiteshin pa faturë.

Vihet në pranga pronari i këtij subjekti, me detyrë përgjegjës i Policisë Bashkiake Konispol, i cili duke përdorur detyrën e tij, ka shmangur kontrollet  në dyqan.

Sekuestrohen produktet e ndryshme ushqimore.

Sherbimet e Komisariati të Policisë Sarandë, në zbatim të planit të masave të hartuar në funksion të Paketës së Sigurisë në shkolla, kanë ushtruar kontrolle në afërsi të shkollave, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.

Gjatë kontrolleve, në një subjekt tregtar që ushtronte aktivitetin brenda perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme, në Konispol, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se pronari i këtij subjekti shiste mallra të kontrabanduara, një pjesë e madhe e të cilave përbënin rrezik për shëndetin e nxënësve dhe të qytetarëve të tjerë, sepse iu kishte kaluar afati i konsumimit.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimit e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë pronarin e dyqanit, shtetasin N. A., 56 vjeç, banues në Konsipol, me detyrë përgjegjës i Policisë Bashkiake Konispol.

Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas duke përdorur detyrën, ka ndikuar për të shmangur kontrollet në subjektin ku shiteshin produkte pa faturë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan produkte të ndryshme ushqimore të kontrabanduara dhe të skaduara.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco