Sula: Hallkat e Arsimit - 'armatë' zgjedhjesh elektorale, Manastirliu s'ka lidhje me kërkimin shkencor

11:57, 03/10/2023
A+ Aa A-

U përsëritën edhe dje, skenat e turpshme të talljes me studentët e rinj të Fakultetit të Mjekësisë me bluzat e bardha që magazinieri ua fluturonte sipër kokave. Videot në rrjetet sociale u mbushën me komente që dënonin këtë qëndrim të administratorëve të konvikteve dhe konkluzioni ishte vetëm një: hakmarrja e pushtetit ndaj protestave të mjekëve të rinj kundër vendimit që i mban peng ata 5 vjet në Shqipëri në përfundim të studimeve, pa vullnetin e tyre.

Znj. Lili Sula, drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, e ftuar sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, e pyetur për atë që ndodhi tek Fakulteti i Mjekësisë dhe në përgjithësi, me degradimin që po vërehet në fushën e arsimit në Shqipëri, gjykon se që gjithë hallkat e Ministrisë së Arsimit, sidomos ato parauniversitare, janë një fole, një armatë e madhe që përmes mësuesve, drejtuesve, ZVA-ve etj.  mbahet si një armatë e sigurt fushatash dhe zgjedhjesh elektorale.

“Dje ka qenë dita e parë e këtij viti akademik. Për të thënë të drejtën, një ditë jo e mbarë, që shënon një vit akademik gjithashtu jo të mbarë, - vërejti Sula. - Skenat që kemi parë të shpërndarjes së bluzave të bardha janë jo etike, aspak të denja për profesionin e mjekut, por edhe të studentit që ka zgjedhur të studiojë në mjekësi.

Përtej kësaj, ka një situatë tjetër, që është vijimi dhe përshkallëzimi i protestave të studentëve kundër vendimit që ka miratuar qeveria në korrik të këtij viti për t’i kushtëzuar ata, për të paguar një gjobë, një taksë të çmendur mbi 5 mijë euro, mbi 5500 euro, nëse ata nuk pranojnë që të jenë për pesë vjet, pra viti i parë që fillon këtë vit, të caktohen atje ku ka nevojë partia, ku ka nevojë kjo qeveri.

Dje, studentët kanë dalë dhe vitin e parë e kanë nisur në mënyrë të organizuar, në mënyrë të përshkallëzuar, me një bojkot të mësimit pa afat. Sipas informacioneve që kam, janë studentë të të gjashtë viteve të Mjekësisë së Përgjithshme; u janë bashkuar edhe studentët e vitit të parë, që për shkak se kanë ndryshuar edhe ciklin arsimor (kanë shkuar nga shkolla e mesme në shkollë të lartë), nuk kanë pasur informacionet e duhura për t’u bashkuar me protestën e studentëve të Mjekësisë, por tashmë ata kanë dalë siç është bërë e ditur edhe nga mediat, me qëndrime dinjitoze në mbrojtje të të drejtave të tyre kushtetuese, në mbrojtje të drejtave të tyre shumë të ligjshme për të mos iu bindur, për të reaguar në mënyrë institucionale, por edhe në frymën e studentëve në përgjithësi, ndaj asaj VKM-je që bie ndesh me një sërë të drejtash themelore të njeriut.”

Flavio: Znj. Sula, nëse flasim për ata që e kanë kapur sistemin nga brenda në bazë të një mungese të meritokracisë, a i ka mekanizmat universiteti t’i nxjerrë jashtë apo është viktimë e një pengmarrjeje të injorancës?

Sula: Mekanizma në lidhje me plagjaturën, me sa di unë, nuk ka ende.  Domethënë, Ministria e Arsimit ende nuk ka një përgjigje të saktë. Që kur kanë qenë protestat e studentëve në vitin 2018-2019 , iu sigurua studentëve dhe stafeve akademike që do të operohej në lidhje me plagjaturën përmes një software, i cili, nuk e di më se çfarë u bë. U fol mediatikisht, por me sa di nuk funksionoi.

Sigurisht që gjithë hallkat e Ministrisë së Arsimit dhe të gjithë arsimin që ato mbulojnë, sidomos atë parauniversitar, është një fole, është një armatë e madhe që përmes mësuesve, drejtuesve, ZVA-ve etj. që mbahet si një armatë e sigurt zgjedhjesh elektorale, fushatash dhe zgjedhjesh elektorale. Nuk janë të paqëllimta edhe lëvizjet që janë bërë ndoshta në këtë kuadër edhe në kreun e drejtimit të Ministrisë së Arsimit, ku një zonjë fare pa lidhje me Arsimin, me kërkimin shkencor, me botën universitare, vihet në krye të një ministrie shumë të rëndësishme, jetike.

Nuk dua të merrem me pjesën e Shëndetësisë, por sot e drejton Ministrinë e Arsimit, znj. Manastirliu, e cila nuk ka lidhje me Arsimin dhe një sërë pikëpyetjesh këtu edhe nga ato që tha z. Taulant Muka, të cilat unë i mbështes. Në gjithë sistemin arsimor, sidomos atë parauniversitar, janë persona që fillojnë punë, kanë funksione drejtuese, jo në sajë të meritës, por në sajë të angazhimit politik, militantizmit, të miqësive politike e kështu me radhë./ ar.sh/SYRI.NET  

Ndiqni intervistën e plotë me znj. Lili Sula dhe me z. Taulant Muka në videon më sipër në Kafe Shqeto. 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco