Lajmi i fundit

FOTO - Të mbytur në Drin/ Nëna me tre fëmijët e zhdukur në Shkodër - Shoqërohet bashkëshorti

Universiteti i Tiranës i fundit në Evropë, Muka: Kjo kërkon rrëzim qeverie! Më minimalja, shkarkim të rektorëve dhe dekanëve!

Universiteti i Tiranës i fundit në Evropë, Muka: Kjo kërkon rrëzim qeverie! Më minimalja, shkarkim të rektorëve dhe dekanëve!

10:50, 03/10/2023
A+ Aa A-

"Të kesh universitetin më të madh të vendit, në vendet e fundit në rajon dhe në Evropë, është për të vënë duart në kokë. Kjo do të thotë që universitetet shqiptare nuk janë më universitete; ato janë gjimnaze."

"Te Ministria e Arsimit,  po të kishte një njeri të drejtë e të hapte dosjet, do të habiteni sa njerëz të marrë me drogë, sa njerëz të burgosur e njerëz me probleme me drejtësinë, i janë dhënë diploma dhe janë veshur, janë bërë profesorë." 

"Ka ardhur koha që SPAK t’u kërkojë llogari atyre politikanëve që kanë vjedhur të drejtën intelektuale të tjetrit".

Studiuesi Taulant Muka, mjeku dhe epidemiologu shqiptar në Universitein e Bernës, i cili drejton Grupin Kërkimor të Shëndetit Kardiometabolik në Institutin e Mjekësisë Sociale dhe Parandaluese, ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet më të fundit negative të arsimit të lartë në Shqipëri: “Është e dhimbshme të shikosh situatën ku jemi sot, me 50 mijë studentë më pak dhe universitetin më të madh që Shqipëria ka, të renditet i fundit në rajon dhe në Evropë”, tha ai.

Prof. Asoc. Taulant Muka ishte i ftuar në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV nga moderatorët Flavio Qarri dhe Ola Bregu.  

Flavio: Z. Muka, si iu duk ky fillimviti akademik, ky start 2023-2024?

Muka: Me këto shifra që ne po shohim, sigurisht që kjo kërkonte rrëzim qeverie. Më minimalja, shkarkim të rektorëve dhe dekanëve. Të kesh universitetin më të madh të vendit, në vendet e fundit në rajon dhe në Evropë, është për të vënë duart në kokë. Kjo do të thotë që universitetet shqiptare nuk janë më universitete; ato janë gjimnaze, shkolla profesionale dhe janë larguar nga arsyet pse ato u ndërtuan.

Duhet të kuptojmë që Shqipëria ka pasur një universitet në vitet 1200 – 1300 në Durrës, ndërkohë që Italia ka pasur një apo dy universitete në atë kohë dhe Europa nuk ka pasur asnjë universitet. Bëhet fjalë pra për një shoqëri që mund të ketë qenë shumë e zhvilluar, se nuk ndërtohej universitet në një zonë që nuk ka qenë e zhvilluar ndërkohë që sot po flasim për një shoqëri, e cila po kthehet në primitivizëm, kjo për shkak se universiteti ndërton profesione të reja, universiteti i jep drejtim shtetit dhe projekton shtetin e së ardhmes e kjo më pas, me mungesë të arsimit cilësor shoqërohet edhe me reagimin e e të rinjve, do të kthehet në një dramë edhe më të madhe sesa e shohim sot.  

Flavio: Z. Muka, dakord rankimi i ulët, dakort që rektorët e kanë me plagjiatura, por cila ishte nevoja që dhomat e konviktit apo bluzat e bardha të shpërndaheshin siç pamë? A ka një qëllim për t’i degraduar mjekët tanë të rinj?

Muka: Faktikisht, i gjithë ky fenomen që ne shohim sot, vjen nga ajo plagjiatura, vjen nga promovimi i personazheve, të cilët nuk e kanë fituar karrierën akademike përmes testimit në shkencë, përmes qëndrimit 24 orë në zyrë, studimeve, sikurse bëjnë shumë prej kolegëve të tyre. Këta njerëz, duke qenë se janë të kapur nga sistemi, pra, i ka marrë sistemi nga rruga dhe u ka veshur petkun e pedagogut, petkun e profesorit, sigurisht që do të jenë në shërbim të politikave që bën dhe të mos harrojmë që ne kemi një qeveri e cila për sa i përket reformave të arsimit, është anti-shkencë dhe anti-arsim.

Duke parë ato imazhe, ku hidhet letra për të marrë dhomën e konviktit apo hidhet bluza e bardhë në ajër, kjo nuk tregon asgjë më shumë që s’kemi të bëjmë me universitete, po kemi të bëjmë me një godinë të marrë peng nga injorantë më saktë dhe unë besoj se këtu duhet të flasim.

Unë e kam ngritur çështjen edhe kohët e fundit në publik. Ka ardhur koha që ne këtë çështje ta çojmë para drejtësisë, pasi bëhet fjalë për një numër shumë të madhe politikanësh, drejtuesish institucionesh të cilët kanë keqpërdorur taksën publike, kanë promovuar njerëz që kanë qenë ...

Ju do të habiteni po të shkoni tek Ministria e Arsimit dhe të kishte një njeri të drejtë aty e të hapte dosjet. Do të habiteni kur të shikoni sa njerëz të marrë me drogë, sa njerëz të burgosur e njerëz me probleme me drejtësinë, i janë dhënë diploma dhe janë veshur, janë bërë profesorë. U duket e çuditshme kjo fjalë, po ato plagjaturat atë tregojnë.

Tregojnë që ne e kemi marrë të paditurin e kemi vendosur në krye të sistemit të dijes dhe të diturin e kemi lënë jashtë, e flakim dhe nuk i japim rolin që i takon në shoqëri.

Besoj ky duhet të jetë diskutimi i ditës në vendin tonë. Ka ardhur koha që të vendosim drejtësi, ka ardhur koha që SPAK t’u kërkojë llogari atyre politikanëve që kanë vjedhur të drejtën intelektuale të tjetrit, që na janë paraqitur në fushatën elektorale si doktorë shkencash, shkencëtarë, profesorë pra kanë dezinformuar njerëzit dhe për pasojë kanë shkaktuar probleme me orientimin e votës dhe për më tepër kanë penguar zhvillimin normal të universiteteve, të akademisë e shkencës.

Flavio, që ti të jesh profesor, duhet të kesh produkt shkencor; që të marrësh grante akademike, duhet të tregosh që ke bërë punë kërkimore!

Është turp të thuash sot që jam profesor. Edhe unë e kam titullin Profesor i Asociuar dhe nuk e them në ambientin shqiptar, sepse më vjen turp ta them, se janë bërë të gjithë profesorë dhe duhet të ndajmë atë që e ka karrierën akademike të fituar me djersë se ai apo ajo i shërben shoqërisë dhe zhvillimit të brezave të rinj e të largojmë ata persona që nuk e shohin universitetin si djepin dijes, por e shohin si një mundësi për të bërë karrierë politike.

Të mos harrojmë se ne flasim shumë pak, po shumica e katedrave në universitete janë fole për të rekrutuar militantë; janë fole për t’u dhënë diploma njerëzve që janë pjesë të partive me qëllim që nesër të bëhen drejtorë, ministra, ambasadorë, pavarësisht se nuk kanë një vlerë në formimin e tyre dhe kjo është drama e madhe që ka Shqipëria. Vetëm nëpërmjet riformatimit të arsimit, ne mund të kemi zhvillim të një shoqërie normale dhe të ecim përpara drejtë Perëndimit./ar/sh/SYRI.NET 

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco