KAFE SHQETO/ Nesho zbulon prapaskenat kundër Kosovës: Para 24 shtatorit, dy kryeministra qenë me idenë e 'lëvizjes' së Kurtit

10:21, 29/09/2023
A+ Aa A-

Diplomati Agim Nesho e ka cilësuar si një lojë tepër të rrezikshme dhe antikombëtare, qëndrimin që po mban edhe kësaj here, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndaj Kosovës, duke e cilësuar si vazhdim të skenarëve Rama-Vuçiç për mbijetesën e tyre politike.

Z. Nesho iu referua në veçanti, propozimit më të fundit Ramës për të vendosur forcat e KFOR-it në veri të Kosovës, propozim që në fakt vjen pas atij për ndryshimin e kufijve, Ballkanit të Hapur, por që në gjykimin e diplomatit, nuk është tjetër përveçse krijim i një zone konflikti të ngrirë për t'u përdorur nga Serbia së bashku me Moskën.

Diplomati po ashtu rrëfeu sot për herë të parë edhe një skenar të fshehtë që ishte parapërgatitur në një mbledhje të liderëve ballkanikë në SHBA para datës 24 shtator,  sulmit terrorist në veri të Kosovës, por që dështoi siç u shpreh ai, për fatin e mirë të Kosovës dhe shqiptarisë.

Pra, pse z. Rama doli në një konferencë shtypi dje dhe çfarë ishte qëllimi i asaj konference shtypi? – kjo ishte pyetja që z. Nesho iu drejtua sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV dhe për të cilën, ai gjykoi se:

"Z. Rama vazhdon në linjat e tij të vjetra të bashkëpunimit me Vuçiç për arsye sepse, pavarësisht se “spin doctor”-ët e tij përpiqeshin të thoshin se për herë të parë Shqipëria doli jashtë vendimeve ët BE-së, ku të krijohej përshtypja se mbante një qëndrim pro Kosovës, çështja dhe kryefjala e diskutimit dhe diskursit të Kryeministrit ishte vendosja e KFOR-it në veri të Kosovës, që ishte një veprim i parapërgatitur në funksion të asaj politike që ai ndan me Vuçiçin për të krijuar në veriun e Kosovës një zonë, e cila në komunitetin ndërkombëtar të shikohet si një zonë e konfliktit të ngrirë e që mund të ketë një mënyrë zgjidhjeje vetëm nëpërmjet ndërhyrjes së fuqive të mëdha brenda atyre vendimmarrjes së tyre.

Prandaj unë mendoj se z. Rama nuk dha asgjë të re veçse konfirmoi që është në vazhdimësi dhe në unison me politikat e Vuçiçit.

Do t’ju jap një shembull që në Shqipëri nuk është pasqyruar edhe që indirekt tregon edhe rastin e këtij bashkëpunimi, për arsyen se pse për disa muaj me radhë i vetmi element i cili pengonte politikat Vuçiç-Rama në Ballkan, ishin institucionet e Kosovës, kryeministri Kurti i cili po qëndronte si për çështjen e Asociacionit ashtu edhe në mospranimin e gjithë kompromiseve të lëshuara, që do të sillnin një favor në dëm të Kosovës dhe pro Serbisë.

Është folur më përpara që Kurti me politikat e tij të palëkunduara po provokon Vuçiçin, prandaj situata do të kthehet dhe do të degjenerojë si në Donbas e të gjitha...Kjo ishte parapërgatitja për një skenar  që komuniteti ndërkombëtar të sensibilizohej dhe të vendoste për Shqipërinë.

Në punimet e Asamblesë para datës 24 shtator, është bërë një mbledhje, ku “chief correspondent” i Shtëpisë së Bardhë, një nga korrespodentët kryesorë, flet për faktin  që vendet ballkanike janë mbledhur me autoritete të larta të SHBA-së dhe kanë nxjerrë dy konkluzione kryesore: që situatën e rënduar në Ballkan sigurisht e provokon një kryeministër, që nuk arrin të bashkëpunojë me elementin ndërkombëtar e që quhet Kryeministri Kurti i Kosovës dhe e dyta, nevojën që për të parandaluar konfliktet, të ketë një prezencë të madhe në veri të Kosovës të KFOR-it!!!

Të dyja këto propozime janë vetëm “forward” nga vendet ballkanike, bile dhe në takimin e Nju Jorkut është folur që të paktën, “të paktën” dy kryeministra, duke përjashtuar Beogradin, kanë qenë me idenë e lëvizjes së Kurtit.

Prandaj i gjithë ky diskutim paraprakisht se çfarë mendonin liderët e Ballkanit për të pasur një politikë të përbashkët me Perëndimin në stabilitetin dhe paqen ballkanike, do të diskutohej në datën 25 në Bruksel.

Prandaj data 24, për fat të mirë të Kosovës dhe të shqiptarisë, një dështim i tillë spektakolar, bllokoi edhe gjithë skenarin që mund të vazhdonte e ky skenar nuk ishte gjë tjetër veçse një parapërgatitje e skenarëve të vazhdueshëm Vuçiç - Rama, të cilët për një kohë të gjatë në Ballkan kanë propozuar dhe vetofruar skenarë të tillë.

Kam parasysh këtu ndryshimin e kufijve, Ballkanin e Hapur dhe tashmë për të krijuar një zonë të tillë për ta përdorur Serbia së bashku me Moskën në kushtet kur kërkohet një ndërmjetësim ndërkombëtar.

Domethënë, paraqitja e Ramës dje nuk ishte në mbrojtje të Kosovës, nuk ishte një distancim i hapur nga politikat e Vuçiçit, por në të kundërtën ishte një vazhdimësi e atyre skenarëve për të cilët Rama duket se është tepër i ndërgjegjshëm se vetëm kështu mund të mbijetojë në politikën shqiptare,.

Ai është sot një i humbur i madh, një njeri i përbuzur nga opinioni publik kudo në hapësirat shqiptare por ai është një konseguent duke e ditur që ato propozime që këta i bëjnë dhe që i vetofrojnë Perëndimit, ky duket sikur i shërben dhe sikur është në një linjë me Perëndimin. Kjo është një lojë tepër e rrezikshme, një lojë antikombëtare që fatkeqësisht  Rama vazhdon ta ushtrojë,” theksoi z. Agim Nesho./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco