'The Guardian' shkruan për tensionet në veri të Kosovës: Provokohet ndarja

'The Guardian' shkruan për tensionet në veri të Kosovës: Provokohet ndarja

10:57, 28/09/2023
A+ Aa A-

Gazeta prestigjioze “The Guardian” ka shkruar një artikull të gjatë për gjendjen e tensionuar në veri të Kosovës pas sulmeve terroriste të grupeve serbe dhe vdekjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ata kanë treguar në detaje rrjedhën e ngjarjeve, teksa edhe kanë intervistuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Gazeta angleze shkruan se qëllimi i aksionit të serbëve në veri ka qenë ndarja apo ndërhyrja shtetërore ndaj Kosovës, shkruan RTK.

Autoritetet në Prishtinë shfaqën një sërë armatimesh moderne që ata thanë se grupi serb po përdorte, duke përfshirë dy makina të blinduara të prodhimit serb dhe një granatëhedhës, së bashku me një dokument që supozohej se tregonte se granatahedhësi, i bërë nga kompania e armëve “Zastava”, ishte furnizuar nga ushtria serbe.

Qeveria e Kosovës pohoi gjithashtu se lideri i grupit ishte një politikan i shquar serb i Kosovës besnik ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Gjithashtu njëri nga tre luftëtarët paraushtarakë të vrarë të dielën ishte një ish-truproje e shefit të inteligjencës serbe të sanksionuar nga SHBA,  Aleksandar Vulin.

“Ky grup ka ardhur nga Serbia, ata janë të trajnuar dhe të financuar nga Serbia. Gjithashtu janë të pajisur nga ushtria e Serbisë dhe policia e saj”, tha për “The Guardian” Sveçla.

Më tutje ai ka thënë se të gjitha dëshmitë e mbledhura i kanë ndarë me ambasadat dhe organet perëndimore.

“Një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë dhe janë dorëzuar te terroristët që kanë ardhur në Kosovë nga Serbia. Ajo që ata donin të bënin është të kapnin territorin e Kosovës dhe të hapnin një kanal të ri komunikimi, një rrugë të re nga Serbia në Kosovë”, ka thënë Sveçla.

“The Guardian” ka shpalosur edhe deklarimet e qeverisë serbe, të cilët kanë mohuar autorësinë për gjendjen në veri, “por ka mbajtur një ditë zyrtare zie për tre të vdekurit”.

Vuçiq ka kërkuar të justifikojë veprimet e tyre në një takim me ambasadorin rus në Beograd, duke pretenduar rrejshëm se Qeveria e Kosovës po kryente spastrim etnik.

Kosova pretendon se grupi drejtohej nga Milan Radoiçiq, nënkryetari i partisë Lista Serbe e mbështetur nga Beogradi, e cila dominon politikën në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Sveçla tha se shërbimi i inteligjencës së vendit të tij besonte se Radoiçiq, i cili është sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, ishte plagosur dhe po shërohej në spitalin kryesor ushtarak në Beograd.

Pretendimi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Radoiçiq nuk ka bërë një deklaratë publike, por ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se video ku duket se Radoiçiqi është në mesin e paraushtarakëve është një “mashtrim”.

Përplasja ndodhi në një kohë kur bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve kanë ngecur, me Vuçiqin që u zotua se nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe Qeveria e Kosovës si pasojë refuzon të krijojë një asociacion gjysmë autonom të komunave serbe.

“SHBA-të i kanë mbështetur bisedimet dhe deri më tani kanë mbajtur anën e Evropës për fajin më të madh për dështimin e tyre te kryeministri kosovar, Albin Kurti. Por, administrata Biden po heton përfshirjen e Beogradit në njësinë paraushtarake dhe po përpiqet të zbulojë misionin e saj”, shkruan The Guardian.

Nëse Vuçiç zbulohet se ka qenë i përfshirë, kjo mund të ndryshojë qasjen e ndërmarrë nga SHBA dhe BE ndaj negociatave, të cilat janë kritikuar nga ligjvënësit në të dy anët e Atlantikut si të njëanshëm ndaj Beogradit. Kjo gjithashtu mund të çojë në sanksione ndaj Serbisë.

“Është gjithnjë e më e qartë se ka pasur një skenar në punë për të provokuar një konflikt në mënyrë që ushtria serbe pastaj të hyjë për të mbrojtur popullin serb në veri dhe kështu të zbatojë ndarjen e Kosovës”, tha Sonja Biserko, presidentja e Helsinkit.

Gutje Biserko tha se ky operacion, pavarësisht se kush është drejtpërdrejt përgjegjës për të në Beograd, ka kaluar një vijë të kuqe që perëndimi nuk mund ta tolerojë.

“Kjo situatë nuk është provokuar nga Kurti, siç komentojnë shumica në Beograd. Përkundrazi, ai tregoi pjekuri dhe policia e Kosovës tregoi profesionalizëm”, u shpreh Biserko.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, dënoi sulmin ndaj policisë kosovare dhe tha se autorët e krimit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi hetimor transparent.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë më tej tensioned”, tha Blinken duke kërkuar kthim në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Ish-zëvendës shefi i misionit në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Edward P Joseph, tha se nëse Beogradi qëndron pas grupit paraushtarak, SHBA-ja do të duhet të rimendojë qasjen e saj ndaj rajonit.

“Çështja është se thirrjet për dialog janë boshe tani që e gjithë strategjia e SHBA për të zhvilluar Serbinë e Vuçiqit si ‘partner’ është hedhur në erë. Mohimet e njohurive të Vuçiqit janë po aq të besueshme sa politika iluzionare e SHBA-së ndaj Serbisë”, tha Joseph./The Guardian, përktheu: Medina Pasoma/ RTK

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco