Donika Gërvalla thirrje Perëndimit: Dështoi politika e zbutjes ndaj Serbisë, pranojeni

Donika Gërvalla thirrje Perëndimit: Dështoi politika e zbutjes ndaj Serbisë, pranojeni

20:02, 27/09/2023
A+ Aa A-

 

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, adresoi të mërkurën një thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar, duke u kërkuar të njëjtëve të pranojnë se “politika e zbutjes” ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç, tanimë ka dështuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit e banuar kryesisht me serbë etnikë.

Shefja e diplomacisë kosovare, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, konsideroi se tash duhet krejt një qasje tjetër ndaj Serbisë, veçanërisht pas dyshimeve se shteti serb qëndron prapa sulmit terrorist të së dielës, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe dy të tjerë u plagosën.

 “I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Nevojitet një ndryshim thelbësor. Regjimi i Vuçiçit përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Evropës. Këtë herë, ne nuk mund të përballojmë t’u kthehemi punëve si zakonisht”, ka shkruar kryediplomatja të mërkurën.

Ndryshe, harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe “hija kërcënuese” e bandave kriminale është zgjeruar edhe më tej, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit në pjesën veriore të territorit ndaj Policisë së Kosovës, ku u shua jeta e një zyrtari policor.

Pjesëtarët e këtij grupi, përfshirë kryekriminelin serb në arrati, Milan Radojçiç, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Radojçiçi i cili ka mbështetjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe autoriteteve të tjera në Beograd, kërkohet nga Qeveria e Kosovës dhe është gjithashtu në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britanisë së Madhe për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

Terroristët që cenuan sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizuan nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbështetje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste, sipas të dhënave aktuale, u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe disa të tjerë janë arrestuar, ndërsa të tjerët janë arratisur në Serbi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco