Thellohet akoma më shumë afera Rama-McGonigal.
Të tjera telashe shfaqen në sfond për ish-agjentin e lartë të FBI-së, i cili mendohet se ka qenë spiuni i djalit të presidentit amerikan, Hunter Biden, brenda FBI-së.
Në mars të këtij viti, gazeta e njohur amerikane NY Post shkruante se djali i diskredituar i presidentit amerikan, kishte një spiun brenda FBI-së që informonte partnerët e tij kinezë.
Pretendimi u ngrit nga Gal Luft, një ish-kolonel izraelit me lidhje të thella me inteligjencën amerikane dhe kineze.
Luft deklaroi atëherë se kompania kineze, e cila ka paguar miliona dollarë për të korruptuar familjen Biden, është CEFC.
Bëhet fjalë për të njëjtën kompani ku ishte i punësuar edhe Dorian Duçka, këshilltari hije i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Madje Duçka përmendet edhe në dosjen shqiptare të Charles McGonigal, pasi ka organizuar takimet e këtij të fundit me Edi Ramën.
Por historia bëhet akoma më tronditëse, pasi NY Post raporton së fundmi, se spiuni që informonte kinezët e Hunter Biden dhe Dorian Duçkës, mund të jetë pikërisht Charles McGonigal.
Gazetat amerikane kanë raportuar disa herë në të shkuarën se McGonigal mund të ketë penguar hetimet që po kryheshin ndaj kompanisë së lidhur me djalin e Biden.
Ndërkohë, Gal Luft, në rolin e dëshmitarit të penduar, thotë se është gati të ofrojë informacione në këtë drejtim.
Madje ai i është drejtuar tre drejtuesve të komisioneve hetimore parlamentare në SHBA, që po merren me aferat e familjes Biden.
Luft pretendon në mënyrë bombastike se kinezët janë informuar se po hetoheshin në SHBA nga një mesazh i dërguar nga Hunter Biden. Ky i fundit, duke kërkuar të zhvasë të tjera miliona nga kompania kineze, i shkruante një punonjësi të CEFC: “Jam ulur këtu me babain tim dhe do të doja të di se përse nuk është përmbushur angazhimi që keni marrë”.
Më tej, ai thekson: “Unë do të sigurohem që mes burrit që është ulur pranë meje dhe çdo personi që ai njeh dhe aftësisë sime për të mbajtur përgjithmonë mëri, do të pendoheni nëse nuk ndiqni udhëzimin tim. Unë jam ulur këtu me babain tim duke pritur telefonatën”.
Nëntë ditë pas mesazhit, në adresën e Hunter Biden mbërritën 5.1 milionë dollarë.
Kujtojmë se kompania CEFC është e njëjta që ka sponsorizuar një ekspozitë të kryeministrit Edi Rama në Hong Kong.
Po ashtu, këshilltari i Ramës, Dorian Duçka, del në laptopin famëkeq të Hunter Biden. Ky i fundit angazhohet se do e paguajë nga pjesa e tij Duçkën për punën e mirë që ka bërë.
© SYRI.net