Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, reagoi në Facebook pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një mesazh të qartë ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Sipas saj, raporti konfirmon shqetësimet e ngritura prej vitesh për korrupsionin, deformimin e procesit zgjedhor, kapjen e shtetit dhe cenimin e interesit publik në vend.
Postimi i plotë:
Raporti i Parlamentit Europian e thotë qartë se Shqipëria nuk mund të ecë drejt Bashkimit Europian me korrupsion, kapje të shtetit dhe grabitje të pasurive publike.
Me 483 vota pro, Parlamenti Europian miratoi raportin për Shqipërinë, një aktakuzë të qartë ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Raporti evidenton deformimin e procesit zgjedhor, keqpërdorimin e administratës shtetërore, korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes, presionin ndaj institucioneve të drejtësisë, cenimin e lirisë së medias dhe problemet e pazgjidhura të pronës. Është konfirmimi i asaj që opozita dhe qytetarët kanë denoncuar prej vitesh: shteti është vendosur në funksion të pushtetit dhe jo të qytetarëve.
Po me një shumicë dërrmuese votash, Parlamenti Europian kërkoi edhe shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura te vitit 2024, që kanë hapur rrugën për betonizimin dhe grabitjen e pasurive natyrore të Shqipërisë. Ndërsa qytetarët po mbrojnë me protesta frymëzuese pronën, natyrën dhe të ardhmen e vendit, Edi Rama vazhdon t’u shërbejë interesave të tij imediate pa trasparencë dhe llogaridhënie.
Kur Europa detyrohet të mbrojë zgjedhjet e lira, shtetin ligjor, pronën private dhe pasuritë natyrore të shqiptarëve nga qeveria e tyre, atëherë është e qartë se kjo qeveri ka humbur çdo legjitimitet moral.
Shqiptarët meritojnë një qeveri që mbron interesin publik dhe jo një Kryeministër, qëllimi i të cilit ka qenë vetëm antishqiptar në 13 vite qeverisje korruptive.
© SYRI.net