Analisti Andi Tela, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, e cilësoi si një akt të guximshëm vendimin e deputetes Koçeku për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ndërsa vlerësoi edhe më shumë faktin që ajo bëri publik kërcënimin e marrë pas këtij qëndrimi.
Sipas Telës, deputetja ka treguar kurajë duke denoncuar publikisht presionet, pavarësisht mënyrës se si i janë përcjellë ato.
Analisti kritikoi gjithashtu qëndrimin e institucioneve ligjzbatuese, duke theksuar se policia dhe prokuroria nuk duhet të presin prova të plota për të reaguar kur një deputete deklaron publikisht se është kërcënuar.
Tela tha se brenda Partisë Socialiste ka ende figura që shprehin privatisht mendime kritike për protestat dhe situatën politike, por nuk gjejnë guximin për t’i artikuluar publikisht. Ai përmendi emra si Arta Dade, Petro Koçi dhe Arben Malaj, të cilët sipas tij kanë shfaqur herë pas here qëndrime publike ndryshe nga linja zyrtare e partisë.
Tela u shpreh se, publikimi i kërcënimit ndaj Koçekut mbart edhe një mesazh paralajmërues për çdo zyrtar apo deputet socialist që mund të mendojë të distancohet nga pushteti.
‘Unë e vlerësoj të guximshëm veprimin e parë që ka ndërmarrë zonja Koçeku, për t'u tërhequr nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste për shkak të ngjarjeve që po ndodhin në Shqipëri për protestat.
E shoh shumë më tepër të guximshëm faktin që e ka bërë publik kërcënimin që ka marrë. Nuk e di mënyrën se si e ka marrë kërcënimin, nuk na e ka bërë të ditur, nuk besoj se mund të jetë telefonatë apo mesazh sepse do ishte provë.
Por Bajrat janë mjeshtra për të dhënë mesazhin, dhe më mirë një mesazh në heshtje sesa një mesazh i bërë publik sipas tyre. Por guximi i zonjës Koçeku për ta bërë publike flet shumë. Duhet të ketë dhe ajo mbështetje nga njerëz që i kanë thënë: 'ok, nxirre, bëje publik faktin që je kërcënuar', sepse nga ai mjedis ku jeton ajo në Shkodër, e di shumë mirë se si funksionojnë gjërat.
Di edhe se si është bërë deputete.
Pastaj pjesa tjetër, në një vend ideal ndoshta policia dhe prokuroria do prisnin në zyrë që dikush të shkonte të bënte denoncimin. Por kur policia dhe prokuroria marrin denoncim nga një grua, nga një nënë, për dhunë në familje, nuk presin që të shohin provat e dhunës, por marrin direkt urdhrin e mbrojtjes.
Edhe në rastin konkret, është i parë veprimi i mbrojtjes ndaj deputetes në radhë të parë, ndaj një zonje në radhë të dytë, dhe pastaj kërkesa e llogarisë ndaj zonjës 'ku i ke letrat që ne të shkruajmë denoncimin'. Sepse kjo pastaj është e rëndë, që t'i kërkosh si polici, si prokurori 'ne duam provat që të nisim hetim', po flitet për një rast konkret.
Ajo thotë 'jam kërcënuar' dhe i kthehet kërcënuesit, bën një veprim prej burrneshe realisht. Dhe publikisht. Dhe pjesa tjetër pastaj, Bajrat, Partia Socialiste, Shkodra, zonja deputete që tërhiqet, flasin gjithçka për realitetin shqiptar.
Tregojnë çdo gjë realisht se çfarë ndodh në realitetin shqiptar.
Po të flasësh me deputetë të Partisë Socialiste, janë ende në stadin që ta thonë në kafene apo në tavolinë atë që mendojnë realisht për protestën, por ende nuk gjejnë guximin për të dalë për ta artikuluar publikisht.
Ka disa personazhe të Partisë Socialiste, figura publike, domethënë zonja Arta Dade, zoti Petro Koçi që janë shprehur publikisht, zoti Malaj që është shprehur publikisht, zonja Spiropali ka pasur një status shumë interesant në ditët e para të protestës me idenë që duhet një kontratë e re, pra që në ditët e para e ka shprehur mendimin e saj dhe pastaj ka vijuar heshtja.
Unë kam përshtypjen që kjo ngjarje e bërë publike sot, pra kërcënimi i zonjës Koçeku, bërja e saj publike ka në vetvete edhe një mesazh të dytë. Domethënë është një lloj kërcënimi për çdo personalitet tjetër publik të PS-së apo çdo deputet tjetër të PS-së që do ta mendojë, mund ta mendojë, të tentojë të bëjë këtë veprim apo të bëhet palë me protestuesit.
Ka kërcënimin përballë të bandave që mbrojnë pushtetin.’, u shpreh analisti Andi Tela në SYRI TV.
© SYRI.net