Parlamenti Europian sapo miratoi rezolutën e tij mbi Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025, duke shprehur shqetësim serioz për zhvillimet që po vijojnë brenda Zonës së Mbrojtur Vjosë–Nartë dhe duke theksuar se sundimi i ligjit dhe standardet mjedisore të BE-së janë kushte të panegociueshme për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Në postimin në Facebook të organizata BirdLife International, një partneritet global i organizatave të ruajtjes së natyrës, i cili synon mbrojtjen e shpendëve, habitateve të tyre dhe biodiversitetit në nivel botëror, thekson se rezoluta e miratuar kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, legjislacion që ka mundësuar dëmtimin e një prej zonave natyrore më të jashtëzakonshme të Mesdheut.
Gjithashtu, ajo kërkon një “moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura dhe të sigurohet përputhja e plotë me standardet europiane për mbrojtjen e natyrës”.
Rezoluta e miratuar kërkon në mënyrë të veçantë shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024, të cilat lejojnë ndërtimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe dobësojnë mekanizmat kryesorë të mbikëqyrjes mjedisore.
Eurodeputetët shprehën gjithashtu shqetësim të thellë për Ligjin Shqiptar për Investimet Strategjike, duke paralajmëruar se procedurat e përshpejtuara të lejeve mund të anashkalojnë kontrollin mjedisor në zona të ndjeshme.
Që nga fillimi i majit 2026, punimet e ndërtimit kanë vijuar brenda zonës së mbrojtur pa publikimin e projektit, pa një vlerësim të ndikimit në mjedis, pa konsultim publik dhe pa leje të vlefshme, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, si në fushën e mjedisit ashtu edhe në Klasterin 1 për sundimin e ligjit. Kjo situatë i shtohet edhe ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në të njëjtën zonë, i cili nisi në nëntor të vitit 2021.
Anouk Puymartin, drejtuese e Politikave në organizatë, deklaroi:
“Sot Parlamenti Europian u rreshtua në krah të mijëra shqiptarëve që protestojnë në rrugët e Tiranës. Mbrojtja e Vjosë–Nartës dhe respektimi i Direktivave për Shpendët dhe Habitatet janë kushte themelore për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Shqiptarët që protestojnë në Tiranë e kanë kuptuar prej kohësh se mbrojtja e natyrës dhe mbrojtja e demokracisë janë e njëjta betejë. Sot, këtë e tha edhe Parlamenti Europian.”

© SYRI.net