Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Klani 'Bajri' kërcënon deputeten Koçeku

'Industri e korruptuar' Kaprata: Qeveria dhe SPAK po heshtin, ndërkohë që miliarda euro investohet në ndërtim

17:07, 17/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Eksperti i urbanistikës, Gent Kaprata i ftuar në edicionin informativ të lajmeve u shpreh se Shqipëria po përballet me një deformim të thellë të modelit të zhvillimit, ku ndërtimi është kthyer në mekanizëm për qarkullimin e miliarda eurove me burim të dyshimtë, kryesisht nga aktiviteti kriminal dhe ekonomia informale. Sipas tij, lulëzimi i kullave dhe resorteve nuk pasqyron ekonomi reale, por një proces masiv të pastrimit të parave që po betonizon vendin pa logjikë tregu.

Ai theksoi se ky fenomen nuk është i sotëm, por një proces i nisur prej rreth 25 vitesh, që lidhet me mënyrën se si është konceptuar dhe menaxhuar zhvillimi urban, fillimisht në Tiranë dhe më pas në gjithë vendin. Kaprata ngriti shqetësimin se në ekonomi qarkullojnë dhjetëra miliardë euro që nuk justifikohen nga burime të ligjshme, ndërsa institucionet, përfshirë SPAK-un, nuk kanë reaguar në përmasën që kërkon situata.

Ai shtoi se paradoksi është i dukshëm: për transaksione të vogla qytetarët përballen me kontroll të fortë, ndërsa në ndërtim qarkullojnë shuma gjigante pa transparencë reale. Sipas tij, mungesa e kontrollit ka sjellë një stok të madh banesash bosh, ndërkohë që ndërtimi vazhdon me ritme të larta.

Në përfundim, Kaprata u shpreh se ky model zhvillimi ka deformuar ekonominë, ka dëmtuar territorin dhe ka krijuar një realitet ku ndërtimi nuk është më zhvillim, por simptomë e një problemi të thellë strukturor.

Pjesë nga deklarata:

Është e thjeshtë, është e kuptueshme masivisht, por është e vështirë të formulosh provat. Dakord, provat që i takojnë të hyjnë në gjykatë. Pra, unë nuk dua ta marr fare në mbrojtje SPAK-un, se SPAK-u ka një mijë e një fakte. Fakti që çohet një pedagog universiteti dhe i bën thirrje SPAK-ut të bëjë një veprim të caktuar, vetë ky fakt tregon që ka një problem të madh me atë institucion. Nuk e di a më ndiqni. Pra, unë nuk mund t’i dal në mbrojtje, por ama kam këtë arsye.

Kjo histori nuk ka nisur sot. Kjo histori ka nisur para 25 vjetësh, në vitin 2001, kur zoti Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nuk është se ka lindur sot. Pra, do të thotë që SPAK-u, ose organet e tij para tij, të paktën SPAK-u në kohën e vet, ka treguar, ka shfaqur një problematikë të madhe me cilësinë, të paktën me cilësinë e punës së tij. Por nga ana tjetër, vetë veprimi tregon që kemi hyrë në atë që unë e quaj “krimin e krimeve”, mafien e mafieve.

Sepse ndërtimtaria në Shqipëri, përfshirë edhe ato që quhen turistike, por që s’kanë lidhje fare me turizmin, se as ka pasur, as do të ketë, por ama ndërtuam, ka. Prokuroria në vetvete duhet të kishte reaguar për pafundësi raste, të cilat ne i dimë fare mirë. Nëse dikush nga ne bën një transaksion “budalla” dhe hedh në bankë 10 mijë euro bashkë, i mbërrijnë te shtëpia 1200 punonjës të shtetit. Ndërkohë që dhjetëra, dhjetëra e theksoj, dhjetëra miliardë euro hyjnë, qarkullojnë në Shqipëri. Ku shfaqen këto në Shqipëri? Se nuk janë të fshehura. Kullat janë aty. Ia paska thënë eurodeputeti që ju e përmendët, dhe unë nuk e kisha dëgjuar, por s’kanë nevojë për atë; e kemi thënë edhe ne të tjerët.

Pra, pa diskutim, çështja në lidhje me SPAK-un, ose e vlerësuar nga qasja e SPAK-ut, mban shumë diskutim. Mban diskutim historik, por mban edhe diskutim praktik. Ja se si puna: nuk po them se SPAK-u nisi këtë sepse e thamë unë dhe ju, apo qoftë edhe se u ngritën, le të themi, 100 mijë shqiptarë dhe janë në protestë me thelbin pikërisht të modelit të zhvillimit, se ai është thelbi i asaj.

Tri gjëra ka protesta (nuk po flas në kuptimin organizativ): mënyra se si është respektuar e drejta politike e qytetarëve për të vendosur se si zhvillohet territori i tyre. Duhet të kuptojmë që territori shqiptar është territor i shqiptarëve. Shteti është administrator, nuk është pronar; aq më pak qeveria, dhe akoma më pak kryeministri.

Së dyti, në kuptimin ekonomik, sepse ne edhe bashkë e kemi trajtuar: janë dhjetëra miliardë euro të betonizuara kot në një gjë që s’ka të ardhme, as sot, as nesër, as në të ardhmen.

Dhe së treti, mjedisor. Duhet të kuptojmë thelbin: ne e kemi trashëguar 28,748 kilometra katrorë tokë nga të parët tanë, kushdo qofshin ata. Ne, kombi shqiptar brenda territorit, kaq do të kemi deri në fund të kohërave. Nuk shtohet. Mjedisi nuk rritet; mund të rregullohet, përmirësohet nëse e dëmton, por aq është. Kurse popullsia rritet. Në këtë kuptim, nuk është zhvillim të ndërtosh. Ndërtimi është të mos ndërtosh është komplet e kundërta.

Ndërtimi, që të marrë kuptimin e zhvillimit, do të thotë që të ketë arsye të thella pse një territor, një qytet, një lagje, një territor i hapur, i papërshtatur më përpara për zhvillim, të përshtatet për zhvillim, me qëllim dhe funksion jetësor për shoqërinë, për grupet e shoqërisë.

S’ka kuptim që kemi do ta kuptoni në një shoqëri tjetër që quhet shoqëri e çmendurish që kemi 160 mijë, kanë qenë në 2023-shin, apartamente dhe banesa bosh, ndërkohë që vazhdojmë të ndërtojmë me mijëra të tjera. Pra, ka një gjë: e lëmë korrupsionin, e lëmë krimin, i lëmë të gjitha, por edhe ne si shoqëri duhet të na tregojë që s’jemi mirë me shëndetin mendor. A ka mundësi që një njeri që ka katër makina të blejë makinën e pestë, ndërkohë që katër të parat s’i duhen? Ka një gjë që nuk shkon, në kuptimin se projeksioni ishte shumë i diskutueshëm; si çdo krahasim çalon, por gjithsesi thelbi ky është.

Shiko, nuk ka rëndësi: “Nata me ditën” është. Kush është nata dhe kush është dita, ky është thelbi i bisedës tonë.

Ok, për t’u kthyer te gjëja. Së pari, vetë ato vende që përmende ti, nëse shqiptarët do të donin të jetonin si në ato vende, si në Kolumbi, si ato që përmende (s’po humbim kohë), unë do të isha dakord. Nëse shqiptarët e kanë, do e pranonin që është mirë atje, unë do isha dakord, do të tërhiqesha nga kjo që po thosha. Por është e vështirë të gjesh masivisht, se s’po them se 10, 15, 20 shqiptarë që duan të jetojnë si në Kolumbi e bëjnë këtë gjë.

Pra kjo është e para. E dyta, në tërësinë e vet, për ta lënë shqipen dhe duke ikur prej atyre shteteve, si e vërteta direkte, por duke ardhur te koncepti: ne nuk jemi duhet ta kuptojnë shqiptarët, ata që ndonjëri s’e ka kuptuar akoma ne nuk jemi në rastin kur një nga djemtë e lagjes paska ikur jashtë, paska bërë ca para dhe po vjen të pastrojë ca para këtu nga krimi. Nuk jemi as në rastin kur një qeverisje jo e mirë e vendit tonë ka vjedhur ca para nga taksapaguesit dhe në mënyra të tjera edhe po i pastron këto para. Ne nuk jemi në këtë rast.

Ne këtu jemi në një rast kur vetë kryeministri, në radhë të parë, dhe qysh kur ka qenë kryetar bashkie para 25 vjetësh, ka ndërtuar një projekt të qartë për ndërtimin e kësaj që po ndërtohet. Për të bërë këtë, atij i duheshin para pafund, nga rrugë që s’mund t’i sillte ekonomia normale. Në këtë kuptim, të gjithë, siç është kuptimi i tij, ai mori masa dhe projektoi, dhe me ndihmën e njerëzve më të zgjuar se ai, që vendosin gjëra më të mëdha sesa vendos ai këtu në Shqipëri, dhe për së pari kanibalizoi.

E para njëherë, për të vajtur te 2001, 2002, 2003, ai e ktheu, si të thuash, ndërtimtarinë në Shqipëri fatkeqësisht veçanërisht në Tiranë dhe pastaj u shpërnda në gjithë Shqipërinë si një industri, industrinë më të korruptuar në vend. Paguheshin 10, 15, 20 për qind të ndërtimit të një pallati për të marrë një leje, e të tjera e të tjera. Pra pati një shtrëngim të madh në shtyllën kurrizore të kësaj ekonomie, e cila kishte të bënte me lejet dhe dhënien e tyre, e përputhur kjo gjithashtu me korrupsionin masiv. 20 për qind… megjithëse tani ata kanë tejkaluar çdo normë, por atëherë ishte 20 për qind, ishte një shifër e madhe.

Pra, e nisur që atëherë, duke ardhur me kanibalizimin e vendit, duke u ngritur në biznese të tmerrshme, me tonelata kokainë nëpër gjithë botën, duhet të kuptojmë që nuk është më rasti i një shqiptari që ka vajtur në Itali, ka punuar në të bardhë, por më shumë në të zezë, dhe sjell ca 20, 30 mijë, 50 mijë, 100 mijë euro. Këtu bëhet fjalë për qesharake. Këtu bëhet fjalë për miliarda euro të ndërtuara ose të krijuara nga biznese të jashtëzakonshme kriminale.

Kemi, po flas për biznesin e drogës dhe të tjera, se s’është vetëm biznesi i drogës, por ai shkëlqen. Por po të mbajmë te qeveria, të mos harrojmë: vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit çdo vit thotë që i kanë humbur qeverisë 2 miliardë euro. I kanë humbur nga të ardhurat. Pa llogaritur çfarë është bërë me një kilometër rrugë, e cila tani kushton 10 herë, 20 herë më tepër sesa normalja.

Po mirë, po të gjitha këto para ku shkojnë? Pikërisht në realizimin e ëndrrës së këtij njeriu për ta bërë Shqipërinë kështu siç është. Shqipëria kështu siç është po na tregon vetë faktin se kanë kaluar 12 vjet tani.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco