Sekretari i Përgjithshëm i partisë së Lirisë Tedi Blushi ka reaguar pas kërcënimit të deputetes Marjana Koçeku.
“Nëse një deputete e Kuvendit deklaron publikisht se është kërcënuar, çfarë garancie ka për jetën dhe sigurinë qytetari i zakonshëm që guxon të ngrejë zërin kundër keqqeverisjes së Edi Ramës”, shkruan deputeti i PL.
Mesazhi:
Kërcënimi ndaj deputetes Marjana Koçeku, pas largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, nuk është thjesht një ngjarje e rëndë. Është një tjetër provë tronditëse e shkrirjes njësh të krimit me pushtetin dhe e degradimit të shtetit në një instrument presioni e frikësimi.
Nëse një deputete e Kuvendit deklaron publikisht se është kërcënuar, çfarë garancie ka për jetën dhe sigurinë qytetari i zakonshëm që guxon të ngrejë zërin kundër keqqeverisjes së Edi Ramës? Për çfarë rendi dhe sigurie publike mund të flitet, kur edhe një deputete grua ndihet e pambrojtur përballë mekanizmave mafiozë të intimidimit?
Askush nuk mund të ketë më iluzione për ekzistencën e një shteti ligjor nën qeverisjen e Edi Ramës.
Shqipëria sundohet nga një regjim që ka shkrirë interesat e pushtetit me ato të krimit, duke krijuar një sistem mafioz që ndihet aq i paprekshëm sa të kërcënojë edhe një deputete, faji i vetëm i së cilës është largimi nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Prandaj sot ka më shumë arsye se kurrë për t’u bashkuar në shesh dhe për të kërkuar largimin e panegociueshëm të Edi Ramës. Sepse largimi i tij nuk është më thjesht një çështje politike, por një interes kombëtar, një domosdoshmëri për të shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat e krimit, frikës dhe pandëshkueshmërisë.
© SYRI.net