DOKUMENTI/ Deputetët e PD njoftojnë Kuvendin: Bardhi është kreu i grupit

DOKUMENTI/ Deputetët e PD njoftojnë Kuvendin: Bardhi është kreu i grupit

09:54, 21/09/2023
A+ Aa A-

Lëvizja e Lulzim Bashës për t’ju imponuar deputetëve si kryetar i Grupit Parlamentar, edhe pse shumica dërrmuese e tyre nuk e njohin dhe nuk e mbështesin, duket se ka rezultuar pa vlerë. Thirrja e Gazment Bardhit në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve si Kryetar i Grupit Parlamentar të PD duket se nuk ka qenë rastësi apo pakujdesi. Gazment Bardhi do të vazhdojë të jetë kryetar i Grupit Parlamentar të PD sa kohë mbështetet nga shumica e konsiderueshme e deputetëve të PD.

Bazuar në qëndrimin e Drejtorisë Juridike të Kuvendit, ku citohet se “Rregullorja e Kuvendit saktëson qartë mënyrën e zgjedhjes së kryesisë së grupit parlamentar, e cila është e drejtë taksative e grupit parlamentar. Pa i hyrë orientimit politik të grupit, në Kuvendin e Shqipërisë duhet të dorëzohet vendimi i grupit parlamentar për zgjedhjen e kryetarit të këtij grupi”, 28 deputetë nga 35 që janë të regjistruar zyrtarisht në Kuvend në përbërje të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i kanë dërguar sot një vendim të grupit Kryetares së Kuvendit ku konfirmohet se Kryetari i Grupit Parlamentar të PD është Gazment Bardhi.

Deputetët Agron Gjekmarkaj, Asllan Dogjani, Bledion Nallbati, Bujar Leskaj, Dashnor Sula, Dhurata Cupi, Edi Paloka, Ervin Salianji, Ferdinand Xhaferaj, Flamur Hoxha, Gazment Bardhi, Greta Bardeli, Helidon Bushati, Ina Zhupa, Isuf Celaj, Jorida Tabaku, Kastriot Piroli, Lefter Gështenja, Lindita Metaliaj, Ludovik Hasanaj, Qani Xhafa, Ramadan Likaj, Saimir Korreshi, Sorina Koti, Tomor Alizoti, Xhelal Mziu dhe Zheni Gjergji, i kanë dhënë fund në këtë mënyrë një debati që kishte lindur në gjirin e demokratëve.

Qëndrimi koherent i Kuvendit, që vuloset me vendimin e sotëm të 28 deputetëve, që kryetarin e Grupit Parlamentar e zgjedhin apo shkarkojnë vetëm deputetët, jo partitë politike, është mbajtur edhe më parë gjatë debatit midis Enkelejd Alibeajt dhe Luçiano Boçit, ku Alibeaj u njoh si Kryetar i Grupit për shkak se mbështetej nga shumica e deputetëve demokratë. Vetë Kryetarja e Kuvendit në seancën e datës 21-22 dhjetor konfirmonte se: “..Nuk është detyra ime të njoh statutin dhe rregulloret tuaja të brendshme.....Është vendimmarje e Grupit Parlamentar të PD...”Bibla” që ju thoni është Rregullorja e Kuvendit....Vlerësimi im është të bëj atë që më thotë rregullorja.”.

Mirëpo, kjo temë debati u rikthye në Kuvend për shkak se pas ndryshimeve në Statut, Lulzim Basha, me firmë të tij, njoftoi Kuvendin se Kryetar i Grupit Parlamentar të PD do të jetë ai vetë dhe më pas këtë të drejtë me raste do ia delegonte deputetes Flutura Açka. Letra e tij e lexuar nga Kryetarja e Kuvendit, shkaktojë të qeshura në sallën e Kuvendin nga rradhët e deputetëve të opozitës.

Pas kundërshtimeve të pjesës dërrmuese të deputetëve të PD, Kryetarja e Kuvendit sqaroj se vetëm kishte lexuar një njoftim, por do të shprehej pasi të merrte opinionin e Drejtorisë Juridike të Kuvendit. Dje bazuar në këtë opinion, Gazment Bardhi u ftua dhe u ul në Konferencën e Kryetarëve si Kryetar i Grupit Parlamentar të PD, gjë që solli largimin e deputetes Flutura Açka nga mbledhja. Që përfaqësimi të ndryshojë dhe nëse Lulzim Basha do të këmbëngulë të jetë Kryetar i Grupit, duhet t'i dërgojë Kuvendit një vendim të shumicës së deputetëve të grupit parlamentar – citon Drejtoria Juridike, e cila njoftimin e tij e konsideron “pjesë të procesit vendimmarrës brenda strukturave partiake (akt me karakter rregullator partiak) dhe si i tillë, ai nuk mund të prevalojë mbi dispozitat e një akti, që për nga fuqia juridike, janë drejtpërdrejt norma ekzekutive të normave kushtetuese, sic janë dispozitat e Rregullores së Kuvendit”. Pas vendimit të konfirmimit të 28 deputetëve, përfundimisht opozita në Kuvend do të drejtohet nga Gazment Bardhi.

ImageImageImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco