PD, Teliti: Si po e përdor Erion Veliaj propagandën politike mbi fëmijët

13:07, 11/09/2023
A+ Aa A-

Partia Demokratike denoncoi sot propagandën politike të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me arsimin dhe fëmijët.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të PD, Dorian Teliti tha se realiteti është shumë larg mashtrimeve dhe propagandës së Veliajt.

Ai u ndal te situata në Tiranë, duke theksuar faktin se një zonë e tërë prej 70 mijë banorësh në Astir, nuk ka asnjë shkollë.

DEKLARATA E PLOTË

Në emër të Partisë Demokratike dhe në emrin tim si prind, ju uroj nxënësve dhe gjimnazistëve gëzuar ditën e parë të shkollës. Rrugë të mbarë në udhën e dijes, sidomos atyre vogëlushëve që sot fillojnë klasën e parë.

Duke uruar nxënësit, nuk mund të harrojmë prindërit, pa përpjekjet dhe sakrificat e të cilëve nuk do ishte i mundur arsimimi i këtij brezi dhe brezave të shkuar të Shqipërisë.

Partia Demokratike, duke respektuar punën e mësuesve dhe duke e ndarë trupën e tyre fisnike nga një grup aktivistësh dhe patronazhistësh që gjenden mes tyre me urdhër partiak, shpreh mbështetjen e pakufishme për ta.

Edukimi i fëmijëve tanë kalon në duart dhe mendjet e tyre.

Megjithatë, ne këshilltarët bashkiakë të opozitës në Tiranë kemi vënë re me shqetësim se, edhe sot si përherë, me Rilindjen dita e parë e shkollës u përdor për propagandë politike.

Pjesë e propagandës është fakti se disa nxënës trajtohen si të nënës dhe ca si të njerkës. Buçasin ekranet me disa shkolla rreth qendrës së qytetit dhe heshtet për disa të tjera.

Jo pak, por 70 mijë banorë të njësisë administrative 16 nuk kanë shkolla. Zero. As 9-vjeçare dhe as të mesme.

Krejt ndryshe nga sa thotë Erion Veliaj, premtimet e të cilit po i ribëjmë publike nëpërmjet këtij statusi të tij në Facebook.

Në vitin 2021 Veliaj premtonte 3 shkolla, në vitin 2023 ai e rriti stekën duke premtuar 5 shkolla te reja.

Bashkangjitur media dhe publiku kanë edhe deklaratat.

Vitet kanë kaluar dhe premtimet janë shtuar, por 70 mijë banorët e Astirit dhe zonës përreth duhet të emigrojnë për të arsimuar fëmijët e tyre.

Shkollat më të afërta janë shkolla në qendër Kombinat apo ‘Vasil Shanto’ dhe ‘Andrea Stefani’, e cila është në zonën e Laprakes, njësia 11.

Jo vetëm që nuk është hapur asnjë shkolle e re, por ndërtimi ende nuk ka nisur.

Siç do ta shihni në këtë foto, mbi premtimet ka mbirë bari i harresës dhe janë hedhur hekura dhe mbetje të mashtrimit të Veliajt.

Ky është realiteti përtej propagandës. Kjo është fytyra e vërtetë që fshihet pas ndriçimit televiziv.

Erion Veliaj i ndërton shkollat me pesëfishin e kostos së standardit evropian.

Por këtë standard e tejkalon vetëm në financa, standardet e tjera, që nga ngrohja, siguria, higjiena, mbipopullimi (nxënës për klasë) nuk janë aspak europiane.

Kur këto janë pamjet në Tiranë imagjinoni në Shqipërinë e periferisë, të rretheve, të fshatrave të largët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco