‘Rruga e Re’ e LDK, e parëndësishme - e ka humbur besimin e elektoratit!

‘Rruga e Re’ e LDK, e parëndësishme - e ka humbur besimin e elektoratit!

12:21, 06/09/2023 Nga A.Zh
A+ Aa A-

Lidhja Demokratike e Kosovës është afër finalizimit të platformës së saj politike "Rruga e re”. Për këtë qëllim strukturat e kësaj partie janë duke e mbajtur një takim dy ditor, pa praninë e mediave.

Nga kjo partia kanë njoftuar se po diskutohet intensivisht rreth detajeve të fundit të projekteve madhore që përfshijnë sektorin e ekonomisë, energjisë, arsimit, etj.

Nisma e re e nisur nga partia më e vjetër në Kosovë, ka synim të adresojë sfidat dhe të krijojë vizionin e ardhshëm të Kosovës në të gjitha fushat.

LDK-ja me parinë e saj, po tenton që përmes "Rrugës së re" të ndryshojë edhe imazhin e këtij subjekti.

Gjatë ditës së djeshme u shpall edhe logoja e re ku në fakt rezultoi që është një kopje e logos së Partisë "Guxo", ku shumica e strukturës së kësaj partie janë ish-anëtarë të LDK-së, shkruan Syri.net Kosova.

Por, nuk do të flasim tani për logon, e rëndësishme është të analizohet se “kush është LDK-ja sot?”.

Për këtë, Syri Kosova ka pyetur politologun, Dren Dushi, ku ka folur rreth qasjes së kësaj parti, që sot nuk e ka peshën dhe rëndësinë që dikur e kishte, me krijuesin e saj, Ibrahim Rugova.

“Pajtohem me idenë që LDK-ja nuk është më diçka e rëndësishme siç ka qenë, pra nuk ka të bëjë asgjë me atë LDK-në e Presidentit Rugova, të intelektualëve e aktivistëve të viteve 90’, shumë prej të cilëve nuk jetojnë më, shumë tjerë janë tash e një kohë të gjatë jashtë kësaj partie politike, pra LDK nuk duhet parë më si një vazhdimësi i asaj që filloi Presidenti Rugova, përkundrazi.

Që pas vdekjes së Presidentit Rugova, LDK-ja nuk ka arritur t’i bëj ballë presionit agresiv të PDK-së, meqë nuk ka pasur kapacitet t’i bëj ballë, i është nënshtruar, nënshtrim ky i cili e ka sjellur në këtë ditë ku është sot, e përçarë, pa ideologji, pa kauzë, jo-demokratike”, shprehet Dushi.

Sipas Dushit, ‘Rruga e re’ e LDK-së është e parëndësishme, pasi e ka humbur besimin e elektoratit.

“Kam thënë pak ditë më parë në një shkrim për Syri.net, se LDK-ja qe reduktuar në një parti opozitare falso (ndaj PDK-së), dhe nuk e di për çfarë “rruge të re” po angazhohet tani, meqë kjo “rrugë e re”, është tashmë e parëndësishme, pra nuk shkakton ndonjë efekt të madh në politikën e Kosovës, ngaqë është sosur besimi. Pra duhet sqaruar, bëhet fjalë për një “rrugë të re” me PDK-në apo “rrugë të re” me metoda të vjetra?”, shton më tutje, politologu Dren Dushi.

Lexo edhe: Çfarë pati “gazetari” me Presidenten Osmani?

Për me tepër, në vlerësimet e Dushit, në spektrin politik kosovar, janë duke u krijuar dy grupe politike, e që është: partitë në pushtet dhe opozita aktuale.

“Në konsideratën time, Kosova tashmë është duke krijuar dy grupime të mëdha politike, ku në grupimin e parë prijnë Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani, pra LVV me partnerë si Partia GUXO! e Alternativa, që mbase mund të zgjerohet në të ardhmen në forma më specifike, dhe në grupimin e dytë janë të tjerët, ata që i kemi pasë për rreth dy dekada. Resurset e këtyre të dytëve, mund të mos mjaftojnë për të ofruar një konkurrencë serioze karshi grupit të parë, të paktën jo edhe për një periudhë afat mesme”, përfundon analizën e tij dhënë Syri Kosovës, Dren Dushi.

Si e shpjegon Lumir Abxhiku nismën e re?

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka disa javë që nëpër takime të ndryshme për brenda partisë, por edhe me shoqërinë civile dhe mediat, ka deklaruar se gjendja aktuale në Kosovë nuk e përfaqëson askënd.

Madje, i pari i LDK-së ka ftuar qytetarët që ta mbështesin platformën e LDK-së. “Pavarësisht bindjeve që mund t’i kemi, pavarësisht dallimeve që mund t’i gjejmë, ju ftoj të mbështesni Rrugën e re. Rrugën që s’bën gabimet e së shkuarës e ndalon theqafjen e tashme. Rrugën që s’merret me të kaluarën, por thjeshtë na bën të ardhmen. Rruga e re ka filluar dhe nuk do të ndalet. Rruga e re ka nevojë për mbështetjen tënde”, ka shkruar Abdixhiku në facebook.

Pse u mor kjo nismë?

Qëllimi kryesor i kësaj nisme, sipas zyrtarëve të LDK-së, është ruajtja e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët e saj ndërkombëtarë, përkatësisht me BE-në dhe me SHBA-në.

Iniciativa është përmendur edhe si alternativë, në pamundësi të rrëzimit të Qeverisë Kurti në Kuvend, meqenëse opozita ka pranuar se nuk ka vota të mjaftueshme për një mocion mosbesimi.

“Votat në Parlament nuk i kemi, mirëpo po shihet që pushteti është në panik”, është shprehur nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, teksa ishte duke folur në Klan Kosova për rëndësinë e iniciativës së partisë opozitare.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco