Çfarë pati “gazetari” me Presidenten Osmani?

Çfarë pati “gazetari” me Presidenten Osmani?

Nga Dren Dushi - 05/09/2023

Nga politologu: Dren Dushi

Interesimi i një shteti të fuqishëm evropian për të pajtuar Serbinë, si mike historike të saj, ishte i madh. Ky shtet, pati ndikim të madh që në kohën e Rambujesë, duke marrë për mision ndikimin në procesin e negociatave që atë kohë, duke tentuar (me sukses) që të ndikoj te një grupim i vogël politik i thirrur në luftë, dhe jo rastësisht, forcat e KFOR-it të këtij shteti do vendoseshin në veri të Kosovës, në veri të Mitrovicës së ndarë me vijë etnike.

Bëhet fjalë për Francën, dhe idenë e këtij shteti, se si do rregullohej çështja Kosovë-Serbi. Franca është shtet mik i Kosovës, por është akoma më shtet mik i Serbisë, dhe kjo shihej si një mundësi e mirë, që ndikimi i saj të rregullonte konfliktin shqiptaro-serb në Ballkan, një herë e mirë, por do kishte ndërlikime. Duhet precizuar, se Franca ka bombarduar Serbinë, me mision ushtarak e dyta pas SHBA-ve, por u bënë gabime pastaj. 

Në ekipën e rekrutuar, nga ky plan politik i disa ndërkombëtarëve, për të cilin janë shkruar edhe libra, me qëllim  pajtimin (jo domosdoshmërisht bazuar në parime), por që nuk cënon shumë interesat e Serbisë, apo thënë më mirë, maksimizon ato, si blerje e qëndrimit final të Beogradit për të lëshuar pe Kosovën, nuk do mungonte “gazetari”, që tashmë kishte bërë një eksperiencë pajtuese dhe mirëkuptuese me Serbinë, madje edhe pak para kohës së takimit të tij me Stanishiqin. Të ngjashëm si ky, do rekrutoheshin nga i ashtuquajturi Pronto-pushteti, shumë prej të cilëve ishin fëmijë të punëtorëve të strukturave politike e të sigurisë së Jugosllavisë/Serbisë, para luftës, që do hapnin organizata të ndryshme jo-qeveritare, që funksionojnë akoma sot, dhe madje mendojnë se shesin mend.

Por ka shpjegim; ideja për të kryer konfliktin shqiptaro-serb në Ballkan, do ndiqte parimin “paqe me çdo kusht” brenda Kosovës, parim i cili do sillte edhe disa “vagonë” tjerë “parimesh” si; tolerancë ndaj grupeve kriminale që do privatizonin Kosovën, do merrnin 30% të secilit tender publik për të financuar grupet e veta para-politike, do kontrollonin klandestinin, doganat, drogën, dhe tërë këto “dhurata” do “jepeshin” (toleroheshin) vetëm nëse “ekipa e rekrutuar” do ishte e dëgjueshme, dhe do aplikonte planin për pajtimin shqiptaro-serb me përpikshmëri.

Plani do bënte që Kosova të përfundoj me analfabetë funksional që japin mësim e ligjerata, madje edhe në Universitetin publik, që administrata të ishte jo-profesionale, që intelegjenca të kositej aq sa të dilnim të parafundit në botë në teste, dhe mbi të gjitha, që qytetaria e Kosovës do ta kundërshtonte me të gjitha mjetet që i kishin mbetur në duar. Plani parashihte edhe ndalimin e çdo promovimi në media të krimeve të luftës, dikush nga “të rekrutuarit” do shpallte; “duhen amnistuar të gjitha krimet”, meqë ishte porosi e planit.

Një Kosovë e dështuar ekonomikisht, në arsim, në shëndetësi, me plagë që nuk mund të shërohen lehtë, ishte pasojë e një plani që pretendonte se kështu mund të arrihej pajtimi shqiptaro-serb, pastaj mund të ecim me hapa tjerë për të përmirësuar gjërat, me “elitën” e re të krijuar nga krimi, do e shndërronim brenda natës në një “elitë” produktive, e cila me bijtë e bijat e tyre të shkolluara në Perëndim, do vinin në Kosovë dhe do e mrekullonin atë, anipse me jetër kriminelë.

Por gjërat nuk ecën sipas planit, meqë tërë këtë plan e prishi ish-Presidenti (jo i zakonshëm) i SHBA-ve, Donald Trump, me të dërguarin e tij special, Ambasadorin Richard Grenell, i cili dështoi totalisht në qasjen e tij ndaj Kosovës, apo mbase dështoi me qëllim, është e vështirë të kuptohet tani, ajo që mund të thuhet/citohet, është një tjetër President i SHBA-ve, Franklin D.Roosevelt:”Në politikë asgjë nuk ndodhë aksidentalisht, nëse ndodhë, mund të vësh bast se është planifikuar në atë mënyrë.”

Pasojat dihen, Kosova më në fund hoqi dorë nga partia opozitare fallce, LDK, si një mundësi për të bërë ndryshime në vend, dhe momentumi i krijuar, krijoi gjendjen e re, bashkë me disa arrestime të Gjykatës së vetme që ka Kosova, Gjykatës Speciale, tingëllon si rastësi edhe kjo?! 

Tashmë jemi në një situatë dëshpëruese për të gjithë ata që punuan me zell për Kosovën e klientelave mediokre, për Kosovën e parafundit në botë në teste të dijes e intelegjencës, për Kosovën ku liderët e saj politik varfnjakë ndërtojnë komplekse vilash në Brezovicë, kontrollojnë derivatet, cigaret, klubet e natës, kompanitë e sigurimeve, dhe natyrsiht, të gjitha institucionet,
përfshirë ato të sigurisë.

E tash që po kalojmë në një luftë politike mes vullnetit qytetar për ndryshim, dhe vullnetit të sistemit të kapur të drejtësisë që të mbetet i tillë, shto kësaj rrethanat gjeopolitike jo-normale, Qeveria e Kosovës nuk është në momentum të mirë, meqë presioni nga akterë gjeopolitikë të fuqishëm, po shkarkohet kryesisht te ne, për shkak të ngjarjeve në Ukrainë, ndaj nesh nuk po ka konsiderata fare. 

Si pjesë e kësaj rrjedhe, Presidenti i Francës Emanuel Makron, indirekt do përdorte javë më parë shantazhin, për fat të mirë jo vetëm ndaj nesh, por edhe palës serbe, ku për rastin tonë nënkupton vazhdim të izolimit të qytetarëve tanë, meqë politika nuk po merret vesh rreth lëshimeve pe të sovranitetit edhe ashtu të paktë që kemi si pasojë e planit të parë që veproi bukur gjatë.

Për të mbrojtur pozicionin e Kosovës, dhe për të refuzuar kategorikisht çdo shantazh të mundshëm si politikë e pa justifikuar në dëm të qytetarëve të Kosovës, pas një seti sanksionesh ndaj Kosovës meqë po ushtron sovranitetin në territorin e vet, Presidentja Vjosa Osmani do t’i bënte me dije kësaj politike shantazhuese se do haste rezistencë të fuqishme nga Kosova. Klani i vjetër i kriminalizuar, me të cilin ishin mësuar disa diplomatë perëndimorë, nuk është këtu që të ndëshkoj Kosovën për të mbrojtur interesat e veta (të mos arrestoheshin nga Dhomat e Specializuara), dhe si pjesë e këtij klani, “gazetari” do reagonte me dëshpërim, në një shkrim të gjatë e mediokër.
Sa shumë progres është bërë në Kosovë tregon pikërisht fakti se; linjna politike e Presidentit Rugova, apo thënë më mirë linja e një vetëdije të lartë politike, nuk po goditet më me plumba e eksplozivë, por vetëm me shkrime mediokre.

Liria e lëvizjes për qytetarët e Kosovës është cënuar gjatë, meqë ka ide politike edhe në perëndim, se qytetarët ndahen në klasa/grupe, dhe këto grupe kishin konsideruar se qytetarët e Kosovës nuk meritojnë lëvizje të lirë në zonën e civilizuar. Tash që kjo është tejkaluar, konflikti shqiptaro-serb, apo thënë më mirë konflikti i viktimës së gjenocidit me shkaktuesin e gjenocidit, nuk po shihet si konflikt që i nënshtrohet “parimeve evropiane”, që akoma disa politikanë në evropë i mendojnë si parime të kohës së Kardinalit Rishele, apo Bismarkut, pa kuptuar se, jetojmë në kohën e rregullave të botës së re.

Se “gazetari” i dëshpëruar do shpreh mllefin ndaj nxënëses më të mirë të Presidentit Rugova, Presidentes Vjosa Osmani, tregon për një fazë të re politike në të cilën po hyn Kosova. Kjo fazë, do të thotë, përherë e më pak klandestin, më pak ikje ndaj taksave, më pak ujë në naftë, më pak prokurorë e gjykatës që nuk i përgjigjen ligjit por partive politike që kapën barbarisht shtetin, jo 30% të secilit tender publik, më pak asfalt që shkatërrohet pas 6 muajsh, më pak klientelë analfabetësh funksional në pozita të larta shtetrore, më pak dhunë e vrasje politike, më pak vetëvrasje duke masakruar vetën si Dino Hasanaj. Kosova është në rrugë të mirë, ata që e panë si oazë plaçke, do përdorin pasurinë e tyre të plaçkës, qoftë përmes televizioneve, “gazetarëve”, portaleve, shërbimeve para-politike, që të kthejnë “oazën” për plaçkë, por tash që partia fallce nuk mund të mashtroj më, kjo nuk mbetet mundësi e madhe, meqë pa partinë fallce, pra pa LDK-në, të rekrutuarit e njohur si Pronto-klani, nuk mund të rimarrin Kosovën nën kontrollë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco