Pasojat politike të mos-rizgjedhjes së Presidentes Vjosa Osmani

Pasojat politike të mos-rizgjedhjes së Presidentes Vjosa Osmani

Nga Dren Dushi - 25/04/2026

1. Çfarë Presidente ishte Vjosa Osmani?

Kam pasur nderin të jem pjesë e iniciativës politike reformuese të Presidentes Vjosa Osmani pesë vite më parë, një iniciativë që si pasojë pati ndryshime të mëdha politike në vend. Pesë vite më parë u themelua Lista GUXO, një listë që i dha një shuplakë të fortë armiqve të demokracisë në LDK, por edhe jashtë saj. Po e nisë përgjigjien e kësaj pyetje me këtë nismë,sepse ajo ishte nisma që edhe krijoi momentumin më të rëndësishëm politik në Kosovë që pas vdekjes së Presidentit Historik Rugova, meqë pas një periudhe të gjatë, e vendosi në opozitë tandemin PDK/LDK, meqë LDK qe subordinuar kaherë. Duhet të jemi falënderues për këtë kontribut në politikën e brendshme të Presidentes Osmani.

Si Presidente, zonja Osmani ishte që në fillim një personalitet i formësuar ideologjikisht si e djathtë, që ndiqte mësimet politike të Presidentit Rugova si para-ardhës i saj në zyrën e fortë të Presidencës, por edhe kombinuar me energjinë e rinisë së saj si politikane, një karakter që nuk e nënshtron asnjë establishment politik aq lehtë. Nuk arritën ta nënshtrojnë as titistët e LDK-së, as kuadrot jugosllave, as ekipa e 3%-shit, as përjashtuesit e oportunistët frikacak, teksa tentuan me përjashtim ta nënshtrojnë, në të vërtetë i nënshtroi ajo ata, duke i lënë me 12%.

Gjatë tërë mandatit të saj, Presidentja Osmani ka arritur që, ndonëse Kosova e sanksionuar nga zhvillimet gjeopolitike dhe frika prej eskalimit nga raportet Kosovë-Serbi, të mbaj të hapura dyert më të rëndësishme të vendimmarrjes në botën demokratike, dhe me këtë, ta mbaj Kosovën si partnere të besueshme duke e proklamuar përherë të drejtën e saj në raport me përplasjet me Serbinë.

Ndonëse akoma politikane e re, njohuritë e saj gjeopolitike kanë qenë të larta, meqë ajo ka arritur të lëvizë nga perëndimi në lindje, nga shtete liberale në shtete konservative, nga zona me aktivitet konflikti në zona prosperiteti, për të kapur diçka, sado pak për interes të Kosovës.

Duke qenë se politikan e lider të përkryer nuk ka, siç nuk ka njeri të tillë, mund të thuhet lirisht se Presidentja Osmani, ka qenë një Presidente e mirë e Kosovës, që ka ndihmuar vendin si brenda ashtu edhe jashtë, që ka kryer detyrat e saja Kushtetuese dhe që i ka dalë para edhe atyre që kanë sfiduar e sfidojnë tradicionalisht edhe pavarësinë e gjyqsorit.

2. Dekreti

Presidentja Osmani nuk ka luksin të komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese, meqë është shumë institucionaliste. Vendimet e GJK-së janë respektuar përherë nga secili lider e President i Kosovës. Por unë nuk mund të mos e përmend faktin që, respekti im për vendimet e Gjykatës Kushtetuese është i lënduar, pavarësisht se si institucionalist nuk i kundërshtoj ato si akt por vetëm në shprehje mendimi të lirë (që po ashtu më garanton Kushtetuta), dhe për këtë kam edhe shkrime tjera. Mjafton të përmend idenë e kësaj Gjykate (sepse ajo ka më shpesh ide se gjykim); askund nuk është e shkruar në Kushtetutë, se Kryetari/ja i Kuvendit mund të kandidohet vetëm tri herë, por shkruan në akvendimin e kësaj Gjykate, të cilin unë e kam quajtur “rishkrim” të Kushtetutës. Dhe po ashtu, askund në Kushtetutë nuk përcaktohet për një afat Kushtetues në varësi të zhvillimeve politike në vend, pra askund nuk thotë se “ky afat ndryshon nëse... i teket dikujt ta çoj vendin në zgjedhje”, ose “ndryshon afati i shkruar në Kushtetutë sepse ka pasur zgjedhje këtë apo atë periudhë”, dhe pikërisht këtë bëri aktvendimi i fundit i GJK-së, i cili e shpalli Dekretin e Presidentes pa efekt juridik. Pikërisht kjo tregon se, Gjykata nuk ka guxuar ta shpallë vendimin “jo-Kushtetues”, sepse pastaj skadali do të ishte më agresiv e aspak Kushtetues, por e bëri një “interpretim” politik, pra dha ide, dhe një tjetër rishkrim të Kushtetutës. Që publiku ta ketë të qartë, Kushtetuta precizon se afati për zgjedhjen e Presidentit/es, skandon 30 ditë para përfundimit të mandatit, dhe nuk vazhdon me ndonjë tekst “por, nëse nuk është bërë qeveria me kohë, ose nëse i është tekur dikujt diçka politike, ky afat ndryshon-zgjatet apo ngushtohet...”, -këtë se gjen askund në Kushtetutë, por e gjen në aktvendimin e saj të fundit për këtë temë.

Andaj, konsideroj se, Presidentja është DETYRUAR, nuk ka pasur preferencë apo dëshirë, ta shpallë dekretin, sepse ashtu thotë Kushtetuta, ndonëse nuk e thotë Gjykata Kushtetuese, e vetmja që ka kompetencën de-jure dhe de-facto të interpretimit, dhe vendimet e saj duhen miratuar nga të gjithë ne, por kur vjen puna te respekti juridik, e vështirë të përbihet çfarë ka prodhur kjo Gjykatë ndër vite. Ishte dhe është fatkeqësi mos-zgjedhja e Presidentit/es, pa e pasë fjalën specifikisht vetëm për Presidenten Osmani.

3. “Në miqësi të përhershme me SHBA-të”- Presidenti Rugova

Presidenti Rugova, nga “elita” politike që akoma thith sot vota në emër të tij, njihet në nivel tifozërie infantile, që ka bazë marrjen e benifiteve sociale dhe ekonomike nga shumë mjeranë të politikës në Kosovë që e thërrasin emrin e tij. Nga pak, fare pak, Presidenti Rugova njihet në esencë, si intelektual dhe si lider.

Si intelektual dhe si lider, janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, nuk mund të jesh lider, aq më pak lider historik, pa një intelekt të gjerë, e intelekti i gjerë, të bën të kuptosh marrëdhëniet përtej fisit, rajonit, shtetit, pra të bën të kuptosh marrëdhëniet e botës.

Presidenti Rugova, ka njohur marrëdhëniet ndërkombëtare, ka njohur gjeopolitikën, historinë, ka njohur teorinë politike dhe ideologjinë, ka parashikuar rënien e Komunizmit, ka bërë rreshtimin, me kohë, të Kosovës me botën demokratike, me botën e lirë, dhe me shtetin më të fuqishëm, SHBA-të.

Rugova e ka ditur mirë, që Evropa në formën e BE-së, është një produkt politik i SHBA-ve, respektivisht i Luftës së Dytë Botërore, pra NATO-s. Pa NATO-n, Evropa nuk do të qëndronte ndaj Bashkimit Sovietik dhe komunizmit, dhe pa fuqinë ushtarake të SHBA-së, NATO e BE-së, do të ishte një forcë që nuk do të merrej vesh mes vete për pothuajse asgjë, pëveç mbase për ndonjë politikë që ka subjekt emitimet e dioksidit të karbonit.

Si njohës i Historisë, Rugova e ka ditur se sa herë që ka pasur luftëra dhe përplasje gjeopolitike me pjesëmarrje shqiptare, ku Evropa (jo kuptim gjeografik por politik) ka pasur ndikim, shqiptarët e kanë paguar me mijëra kilometra katrorë në secilin rast. Kjo jo sepse Evropa politike është armike si tërësi ndaj Kosovës (kemi shtete shumë mike në Evropë), por sepse është edhe mike e shumë shteteve që kanë pasur e kanë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë natyrale, pra territorit ku banojnë shqiptarët. Me pak fjalë, kompleksi gjeopolitik në Evropë, nuk ekziston në SHBA, dhe janë pikërisht SHBA-të, që kanë muskujt për të ndjekur “të drejtën”, para se të ndjekin interesat e fuqive Evropiane ose të real-politikës, interesa këto që kanë çuar shpesh në luftëra mes tyre, deri me krijimin e NATO-s dhe BE-së.

E bëra këtë përshkrim, me qëllim të kuptimit të pozicionit të Presidentes Osmani dhe Kosovës, karshi Bordit të Paqes, të inicuar nga Presidenti Donald Trump. Pa dashur të hyj në gjendjen aktuale gjeopolitike globale, mund të them vetëm një fjalë, bota demokratike dhe SHBA-të, po sfidohen për tu zëvendësuar nga bota autoritare e Rusisë, Kinës, Iranit, Koresë e shteteve tjera post e neo-komuniste, dhe SHBA-të kanë marrë një iniciativë që këtë sfidim, ta përballin me dinjitetin e një superfuqie demokratike, dhe thirrja e Kosovës, që të jetë pjesë e një ideje që ka qëllim pikërisht këtë sfidim, është luks dhe nderë për shtetin tonë të vogël, por shumë të simpatizuar nga SHBA-të. Bordi i Paqes, e forcon pozicionin ndërkombëtar të Kosovës, por edhe besueshmërinë tonë karshi aleatit më të madh historik të kombit tonë, SHBA-ve. Ky bord, i mundëson Kosovës të jetë shtet që ndihmon paqen, por edhe proceset rindërtuese në zona që kanë kaluar konflikte.

4. Ishte interes i Kosovës

Të kesh një Presidente që disa herë në vit ja përmend emrin, i dërgon letra makro-politike, e takon, e thërret në iniciativa gjeopolitike, Presidenti i fuqisë më të madhe ekonomike e ushtarake në botë, Presidenti i SHBA-ve, racionalisht, për një shtet të vogël si Kosova nën kërcënimin permanent të një shteti më të madh (Serbisë), është një luks i mirë. Edhe për një deputet që Presidenten Osmani e ka halë në sy, do mjaftonte ky sukses i saj, që është sukses dhe interes i Kosovës, që ajo të mbështetej edhe për pesë vite tjera në zyrën e Presidentes.

Por interes i Kosovës pa dyshim ishte, dhe është akoma (meqë ka akoma pak kohë e shpresë), që vendi të mos shkonte edhe një herë në zgjedhje, meqë është tepruar tashmë. Tërë aparati shtetror e populli, është duke humbur energji të mëdha me “kush ka fajet” e “kush humbë e fiton” nga kjo situatë, një gjë është e sigurtë, humbë Kosova, humbin shumë miliona, por edhe shumë ide e projekte që vendi të ecë tutje pas një viti shumë problematik, vitit 2025.

5. E pakuptimtë

Nëse mazhoranca do ta kandidonte Vjosa Osmanin edhe për një mandat për Presidente, dhe nëse LDK (meqë PDK po kuptohet që është në pozicion destruktiv për shkak të gjendjes së saj) do ta kundërshtonte emrin e një rugoviste, jo partiake, shumë e respektuar nga SHBA-të dhe shumë zyre ndërkombëtare, do të ishte vetëvrasje e saj politike, dhe po ta pamundësonte zgjedhjen e saj, mazhoranca bashkë me Presidenten Osmani, do riste akoma votën popullore (win-win për mazhorancën).

Këtë edhe e kam menduar muaj më herët, dhe akoma është e pa qartë për mua, përse emri i saj jo vetëm që nuk u kandidua, por edhe pastaj u linçua publikisht, duke e lidhur me çdo të keqe të mundshme, një iniciativë politike e pa nevojshme dhe asapk elegante. Sikur kjo, qe një shprehje e një dëshpërimi të një gabimi të madh politik, gabim të cilin do ta paguajmë të gjithë ne.

6. Aksham pazari

Sot kur LVV i ofroi PDK-së dhe LDK-së që ta zgjedhin vet Presidentin, më shumë se një akt politik vizionar esencial, duket si një akt politik para-fushate, që cak ka pozicionin më moral para procesit. Unë e kuptoj që PDK dhe LDK janë dy parti destruktive, kanë qenë të tilla që nga Qeveria Kurti 1, kanë rëzuar Qeveri në kohë pandemie, kanë bërë destruktivitet edhe me misionin qeveritar në veri, që është një sukses i madh i Kosovës, por ajo që nuk kuptoj, është përse tërë ky sukses, rrezikohet nga një vendim politik, që pati qëllim largimin e Presidentes Osmani nga kjo zyrë, për ta zëvendësuar me një kandiat të PDK/LDK-së?

Po, kjo e vendos në pozitë të keqe elektorale PDK-në dhe LDK-në, meqë refuzimi eventual (që unë mendoj se do të jetë) i bën ata më fajtorë për çuarjen e vendit në zgjedhje. Teksa po, propozimi i tre emrave, i mundëson mazhorancës të zgjedhin edhe ata me pak preferencë, teksa i mundëson PDK/LDK-së të dërgojnë tre emrat më të pa-pranueshëm për mazhorancën.

Pra, pasoja për mos-zgjedhjen e zonjës Osmani edhe për pesë vite Presidente, janë “ose-ose”, ose do kemi një President/e nga PDK/LDK, që do jetë shumë më destruktiv pesë vitet e ardshme dhe që potencialisht do e pengoj çdo reformë në drejtësi e çdo iniciativë tjetër politike e gjeopolitike që ka mbështetjen e mazhorancës, ose do shkojmë në zgjedhje ku po ashtu, me ish Presidenten Osmani tashmë të linçuar, rezultati nuk do të jetë i njejtë, meqë kurrë nuk është, dhe meqë populli është lodhur nga gabimet e politikanëve që nuk po arrijnë të dalin dot nga egot e tyre, “më të mëdha” se edhe vet Kosova.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco